Autor
Cvetana Tonçeva
Lajm
Kryevepra të kulturës muzikore bullgare:
Mendimi unik i të riut Dimitër Nenov në "Katër skica për orkestër të madh"
Premte 9 Tetor 2026 14:43
Premte, 9 Tetor 2026, 14:43
FOTO: archives.bnr.bg
Madhësia e shkronjave
I padiskutueshmi intelektual dhe aristokrati shpirtëror ndër muzikantët bullgarë, Dimitër Nenov, është një nga figurat kryesore në krijimin e shkollës profesionale kombëtare të kompozicionit në Bullgari. Muzika e tërhoqi me pasion që në fëmijërinë e hershme, por në adoleshencë interesat e tij ishin shumëplanëshe: letërsia, arti, filozofia, matematika dhe fizika. Jeta e tij ishte e mbushur me sprova dhe vështirësi. Që në moshë fare të re ai hyri në konflikt me prindërit e tij, të cilët këmbëngulnin që të hiqte dorë nga muzika dhe t’i përkushtohej një profesioni që ata e konsideronin më “serioz”.
Në moshën 19-vjeçare, Dimitër Nenovi shkoi në Drezden për të studiuar arkitekturë. Ai e zgjodhi këtë qytet jo rastësisht, pasi aty kishte mundësinë të ndiqte njëkohësisht studimet për piano dhe kompozicion në Konservator, pavarësisht kundërshtimeve të familjes së tij. Në atë kohë, Gjermania tërhiqte me artin e saj avangard shumë bullgarë, muzikantë, piktorë dhe shkrimtarë, të cilët më vonë sollën dhe afirmuan prirje të reja moderniste në kulturën bullgare.
Vitet studentore të Dimitër Nenovit ishin jashtëzakonisht të vështira. Ai u nis pa bursë, pothuajse pa mjete jetese dhe madje pa njohuri të gjuhës gjermane. Për të paguar tarifat universitare dhe për të siguruar strehimin, punonte shtatë orë në ditë si pianist në kinema dhe si korrepetitor në një shkollë baleti.
Ai i shtynte vazhdimisht provimet, sepse duhej të siguronte vetë jetesën dhe ishte i mbingarkuar me punë. Megjithatë, paralelisht me këtë, arkitekti i ri po afirmohej si një pianist koncertesh shumë i kërkuar, me turne të shumta në qytete të ndryshme të Gjermanisë, Danimarkës dhe Çekisë. Pikërisht në këtë periudhë lindën edhe veprat e tij të para: pjesë për piano, këngë, Simfonia e Parë, “Poema”, “Balada”, “Suita kinematografike”, një sonatë për violinë, dy sonata për piano dhe “Katër skica për orkestër të madh”.
Edhe pse u krijuan nga një kompozitor vetëm 24-vjeçar, “Katër skica për orkestër të madh” të Dimitër Nenovit lënë mbresa me profesionalizmin e tyre imponues dhe me vlerën e lartë artistike.
Është e dukshme ngjashmëria midis dy skicave të para, “Përmallimi” dhe “Dëshira”. Nuk është rastësi që për titujt e tyre janë zgjedhur fjalë sinonime. Këto dy vepra i kanë shtyrë studiuesit të kërkojnë në muzikën e Nenovit lidhje kuptimore dhe asociative me krijimtarinë e kompozitorit të madh rus Aleksandër Skrjabin, e veçanërisht me veprën e tij të famshme “Poema e ekstazës”, ku shfaqen, të përcaktuara nga vetë autori, “tema e ëndrrave dhe e përmallimit” si edhe “tema e fluturimit”.
Në kontrast të fortë me “Përmallimi” dhe “Dëshira”, të frymëzuara nga Skrjabini, qëndron skica e tretë e Nenovit, “Grotesku”, një kundërpeshë e spikatur ndaj botës së ëndrrave dhe përsiatjeve, me karakter të gjallë, dinamik dhe teatral.
Pjesa e fundit e ciklit “Katër skica për orkestër të madh”, “Vallja”, tërheq vëmendjen me larminë e saj melodike dhe ritmike, si edhe me orkestrimin plot ngjyra, që të kujton krijimtarinë e një tjetër kompozitori të shquar rus, Nikollaj Rimski-Korsakovit. Lidhjet me “Festën në Bagdad”, pjesën е njohur nga suita simfonike jashtëzakonisht e njohur “Sheherazada”, janë më se të dukshme.
Sipas kompozitorit dhe dirigjentit të shquar bullgar Konstantin Iliev, “Katër skicat” e Dimitër Nenovit, secila prej të cilave është kaq e ndryshme për nga figuracioni i saj muzikor, përbëjnë një cikël stilistikisht tërësor, ku “Grotesku” i pasqyron “Përmallimet” nëpërmjet “Valles”. Kjo partiturë rinore është një nga dëshmitë e para më të ndritura të talentit të jashtëzakonshëm të Dimitër Nenovit, një krijues me intelekt të lartë dhe shpirt aristokratik, me ndjeshmëri të thellë. Drama e madhe e jetës së tij qëndronte në detyrimin për t'u marrë me arkitekturë, ndërsa mendja, zemra dhe e gjithë qenia e tij synonin muzikën.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva