Lajm
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Burgasit me analizë për biznesin në Bullgari
Shtunë 10 Tetor 2026 07:45
Shtunë, 10 Tetor 2026, 07:45
FOTO: arkiv
Madhësia e shkronjave
Rregullat e parashikueshme, fuqia punëtore e kualifikuar dhe infrastruktura e mirë janë ndër faktorët që përcaktojnë gjithnjë e më shpesh se ku kompanitë ndërkombëtare zgjedhin të investojnë. Kjo del nga një analizë e posaçme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Burgasit mbi përparësitë që ofron Bullgaria për biznesin.Në analizë vihet në dukje gjithashtu se pagat në vend po rriten, popullsia në moshë pune po zvogëlohet dhe kompani nga sektorë të ndryshëm po hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve të përshtatshëm.
Sipas analizës, rëndësi gjithnjë e më të madhe po fitojnë produktiviteti, qasja në financim, mjedisi administrativ dhe, mbi të gjitha, parashikueshmëria e rregullave, përfshirë ato tatimore. Pikërisht kjo po i shtyn disa kompani të largohen nga vendi.
FOTO: SEBN BG
Analiza shqyrton gjithashtu propozimin e Ministrisë së Financave për vendosjen e një taksimi shtesë njëherësh mbi fitimet në vitin 2027 në gjashtë sektorë: bankat, shoqëritë e sigurimeve, kompanitë e telekomunikacionit, zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë të produkteve ushqimore, zyrat e këmbimit valutor dhe kompanitë e kredive të shpejta.
Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Burgasit theksojnë se për biznesin çështja nuk kufizohet vetëm te niveli i taksimit, por lidhet edhe me parashikueshmërinë e politikës tatimore dhe besimin në stabilitetin afatgjatë të rregullave. Gjithashtu vihet në dukje se ndryshimet në pozicionin kapital të bankave mund të ndikojnë në kushtet e kreditimit të ndërmarrjeve.
Në analizë citohet edhe një studim i Dhomës Gjermano-Bullgare të Industrisë dhe Tregtisë, i zhvilluar me 83 kompani, sipas të cilit 70% e tyre planifikojnë t’i ruajnë ose t’i rrisin investimet në Bullgari, ndërsa 77% nuk e shqyrtojnë zhvendosjen e aktivitetit të tyre në një vend tjetër.
Ndër avantazhet kryesore të vendit, të përmendura nga kompanitë, janë barra e ulët tatimore dhe kuadri i qëndrueshëm fiskal. Bullgaria vazhdon të ketë një barrë tatimore relativisht të ulët, anëtarësim në Bashkimin Evropian, pozicion të favorshëm gjeografik, qasje në tregun unik evropian dhe një bazë të konsiderueshme industriale.
Sipas analizës, është e nevojshme të krijohen kushte për brezin e ardhshëm të investimeve, si teknologjitë e avancuara, automatizimi, kërkimi dhe zhvillimi, shërbimet inxhinierike, prodhimi me produktivitet të lartë dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Redaktoi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva