KULTURË

Artikull

Bullgarja Ina Sotirova me pesë nominime për Çmimet e Filmit të Karaibeve

Nëse do të fitojë një çmim – do të bëhet e ditur më 10 tetor

Enjte, 8 Tetor 2026, 20:20

Bullgarja Ina Sotirova me pesë nominime për Çmimet e Filmit të Karaibeve

FOTO: imdb.com

Madhësia e shkronjave

Ina Sotirova është regjisore, përpjekja e së cilës është që me gjithçka që bën të ndihmojë në ndryshimin e botës përreth saj. Pikërisht për këtë arsye, në kërkimet e saj profesionale, ajo përpiqet gjithmonë të kapë pulsin dhe të ndiejë atë që i shqetëson njerëzit në përditshmërinë e tyre, edhe nëse nuk e shfaqin apo është diçka tepër personale. Aftësia e saj për t’i rrëfyer historitë me sinqeritet dhe përmes këndvështrimit të vetë pjesëmarrësve në to, fiton admirimin e publikut dhe çmimet për punën e saj nuk vonojnë. Filmi i saj i katërt – “Mango me erë të keqe” (Stinky Mango) – mori disa nominime për çmime në eventin “Diversity in Cannes” dhe fitoi çmimin për kastin më të mirë të aktorëve në Kanë, ndërsa më pas mori edhe një çmim për rrëfim novator të historisë në festivalin “Films that Move” në Xhamajkë.

Bullgarja Ina Sotirova me pesë nominime për Çmimet e Filmit të Karaibeve

FOTO: Mango Magic Movie

Tani, një vit më vonë, kemi një arsye të re për t’u takuar me Ina Sotirovën, pasi “Mango me erë të keqe” ka tre nominime për “Çmimet e Filmit të Karaibeve” – për filmin më të mirë të shkurtër, për aktorin më të mirë, për rolin e Sheldon Shepherd, si dhe për Çmimin për Trashëgiminë Kulturore të Karaibeve. Bullgarja është nominuar për regjisoren më të mirë në ngritje. Nëse do të fitojë ndonjërin prej çmimeve, do të bëhet e ditur më 10 tetor, gjatë edicionit të parë të kësaj gare kinematografike në qytetin amerikan Wilmington. Qëllimi i eventit është që kinemaja dhe kultura që zhvillohen në rajonin e Karaibeve të bëhen shumë më të dukshme dhe të njohura në mbarë botën. Filmat e nominuar mund të jenë xhiruar si në rajonin e Karaibeve, ashtu edhe jashtë tij, me kushtin që të paktën disa prej aktorëve ose anëtarëve të ekipit të kenë prejardhje nga ky rajon.


Bullgarja Ina Sotirova me pesë nominime për Çmimet e Filmit të Karaibeve

FOTO: Arkivi personal i Ina Sotirova

Për çmimin “Dokumentari më i mirë” është nominuar edhe filmi më i ri i Ina Sotirovës – “Motrat dhe stuhia”. Projekti është financuar nga një program i UNICEF-it:

Bullgarja Ina Sotirova me pesë nominime për Çmimet e Filmit të Karaibeve

FOTO: imdb.com

“Vitin e kaluar, në pjesën jugperëndimore të ishullit të Xhamajkës, më 28 tetor, na goditi uragani ‘Melissa’. Ishte shumë i fuqishëm dhe shkaktoi shumë dëme. Deri më sot, njerëzit ende nuk kanë mundur të rimëkëmben – na tregon Ina Sotirova. – Në fillim të këtij viti, UNICEF-i, së bashku me Shoqatën Xhamajkane të Profesionistëve të Filmit dhe Televizionit – Jamaica Film and Television Association (JAFTA) – ndërmorën një nismë për financimin e tre filmave të shkurtër dokumentarë mbi pasojat e uraganit tek gratë dhe fëmijët. Unë propozova filmin tim ‘Motrat e stuhisë’, për të cilin fitova një nga tre çmimet. Historia e tij lidhet me tri vajza që nuk kanë familje ose janë ndarë prej tyre për shkak të problemeve si dhuna në familje apo arsye të tjera dhe jetojnë në të ashtuquajturat fshatra për fëmijë. Uragani shkatërron njërin prej tyre dhe ato detyrohen të zhvendosen në një vend të ngjashëm në kryeqytetin e Xhamajkës – Kingston, ku nuk ndihen si në shtëpinë e tyre.”

Procesi i xhirimit shndërrohet në një sfidë emocionuese, për shkak të personazheve kryesore:

Bullgarja Ina Sotirova me pesë nominime për Çmimet e Filmit të Karaibeve

FOTO: Arkivi personal i Ina Sotirova

“Ato janë fëmijë, disa prej të cilave nuk kanë prindër. Duhej ta mbanim të fshehtë identitetin e tyre. Ky nuk është një dokumentar tipik, në të cilin mund të shohësh intervista me pjesëmarrësit. Ne e realizuam në një mënyrë që t’i ngjante një lloj ditari audio. Meqenëse nuk kishim të drejtë t’i tregonim as vizualisht dhe as të thoshim se ku ndodheshin, duhej t’i qaseshim kësaj pjese të procesit të xhirimit në mënyrë shumë kreative. Kjo e shndërroi filmin në një portret shumë më poetik dhe intim të këtyre fëmijëve në një moment të caktuar të jetës së tyre.”

Xhirimet përfundojnë vetëm për pesë ditë, por montazhi vazhdon për dy muaj:

Bullgarja Ina Sotirova me pesë nominime për Çmimet e Filmit të Karaibeve

FOTO: Arkivi personal i Ina Sotirova

“Mendoj se ky është filmi më i shpejtë që kam realizuar në jetën time. Është tetë minuta i gjatë, nuk është shumë i gjatë, por duhet të theksojmë se tetë minuta realizohen më vështirë se pesëmbëdhjetë, sepse kërkohet shumë më tepër mjeshtëri për të përzgjedhur atë që është e rëndësishme.”

A ka ndonjë temë nga përditshmëria në vendin tonë që e shqetëson aq shumë bashkatdhetaren tonë, saqë ta rrëfejë përmes një filmi dhe të tërheqë publikun në Xhamajkë apo në mbarë botën?

“Sigurisht, kudo që të shikosh, ka histori – shprehet bindshëm Ina. – Ka gjëra për të cilat mendoj se do të ishte mirë që edhe unë vetë të mësoja më shumë. Thjesht, ende nuk kam pasur kohën dhe mundësinë të zhytem në këto tema. Kam një interes të madh për temën e komunizmit dhe për mënyrën se si trashëgimia e tij vazhdon të ndikojë në kulturën bashkëkohore, ndaj në një moment do të zhytem edhe në këto histori.”

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski