LAJME

Lajm

Para se të shkonte në SHBA për bisedime, Kirillo Budanov kishte qenë në Sofje

Premte, 9 Tetor 2026, 13:54

Para se të shkonte në SHBA për bisedime, Kirillo Budanov kishte qenë në Sofje

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Do t’i dërgoj një letër zyrtare qeverisë, me kërkesën që të informohem për arsyen e vizitës dhe se çfarë bisedimesh janë zhvilluar konkretisht me Kirillo Budanovin, shefin e kabinetit të presidentit ukrainas Vollodimir Zelenski. Këtë e deklaroi në ambientet e Parlamentit lideri i partisë “Vëzrazhdane”, Kostadin Kostadinov, raporton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Ish-ministri i brendshëm Cvetan Cvetanov publikoi një fotografi të përbashkët me Budanovin, të realizuar në Sofje. “Jam i impresionuar nga inteligjenca, forca e karakterit dhe vendosmëria e Kirillo Budanovit. I urova sukses në takimet e ardhshme në SHBA dhe shpreha shpresën se përpjekjet e tij do të kontribuojnë në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi Cvetanov në një postim në Facebook.

Shefi i kabinetit të Zelenskit ka qëndruar rreth 20 orë në Sofje. Ai mbërriti në pasditen e vonë të 7 tetorit, ndërsa më 8 tetor, pas një sërë takimesh të padeklaruara me përfaqësues të shtetit bullgar, u nis drejt SHBA-së, shkruajnë mediat faktor.bg, 24chasa.bg dhe segabg.com.

Për televizionin bTV, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes kanë mohuar zhvillimin e takimeve me Budanovin. Këshilli i Ministrave nuk jep informacion për vizitën.

Para se të bëhej shef i kabinetit të Zelenskit dhe një prej të dërguarve të tij më të besuar, Budanov drejtonte shërbimin ukrainas të inteligjencës.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova