Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

Ekspozitë me piktura të pacientëve të Qendrës së Shëndetit Mendor “Prof. N. Shipkovenski” me rastin e Ditës së Shëndetit Mendor

Shtunë, 10 Tetor 2026, 09:55

Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

FOTO: Daniella Popova

Madhësia e shkronjave

“Arti është një plagë e shndërruar në dritë.”

Georges Braque


Sipas të dhënave të Strategjisë Kombëtare për Shëndetin Mendor, rreth 5% e popullsisë në Bullgari vuan nga çrregullime të rënda mendore, si skizofrenia, çrregullimi bipolar afektiv dhe psikozat e rënda. Afro 20% e bullgarëve zhvillojnë gjendje ankthi dhe depresioni, ndërsa vendi renditet i 17-ti në botë për nivelet e ankthit dhe depresionit sipas Raportit Global për Shëndetin Mendor (Global Mental Health & Research Studies).

10 tetori, Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor, është një rast për reflektim dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut ndaj kësaj problematike. Pikërisht këtë synojnë të bëjnë edhe mjekët e Qendrës së Shëndetit Mendor “Prof. Nikolla Shipkovenski”. Ata kanë ndërmarrë një nismë të bukur për ta shënuar këtë ditë përmes prizmit të artit pamor, me ekspozitën “Konturet e shpirtit”.

Bisedojmë me një nga nismëtaret kryesore të kësaj ideje, dr. Antoana Uzunova, mjeke specializante në Qendrën “Prof. N. Shipkovenski”.

Dr. Antoana Uzunova

Dr. Antoana Uzunova

FOTO: Dr. Antoana Uzunova

“Në fakt, ideja për këtë ekspozitë lindi që para dy vitesh, kur në një bisedë me një dizajner grafik përmenda se shumë nga pacientët tanë krijojnë vepra artistike, se shumë prej tyre pikturojnë”, tregon dr. Uzunova. “Këtë ide ua ndava disa pacientëve dhe ata u emocionuan shumë. Kjo më dha edhe më tepër energji dhe frymëzim për të vazhduar dhe për të arritur, në fakt për të arritur së bashku me kolegët dhe ekipin tim, ta realizonim këtë nismë. Kjo u bë e mundur edhe falë Shtëpisë së Kinemasë, e cila na ofroi këtë mundësi, si edhe partneritetit tonë me ‘Collegium Psikiatria Private’.

Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

FOTO: Antoana Uzunova

Emrin ‘Konturet e shpirtit’ e zgjodhi një koleg. Mendoj se është një metaforë e bukur, sepse shpirti nuk ka kufij, por një nga rolet tona është ta njohim dhe ta kuptojmë atë, aq sa është e mundur. Arti është një nga mënyrat për ta bërë këtë”, shpjegon dr. Antoana Uzunova.

Çdo pacient që dëshiron të marrë pjesë është i mirëpritur. Rezulton se shumë prej tyre fshehin brenda vetes një potencial të jashtëzakonshëm krijues, ndonjëherë të panjohur edhe për vetë ata.

 “Kishim një paciente që ishte një personalitet mjaft krijues. Ajo i nxiste pacientët e tjerë të krijonin. Madje edhe njerëz, jeta e përditshme e të cilëve është mjaft e zymtë dhe për të cilët nuk e kisha menduar se mund të kishin një talent të tillë, krijuan vepra me motive mjaft të thella dhe të larmishme, të cilat prekin secilin në mënyrën e tyre të veçantë”, thotë dr. Uzunova.

Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

FOTO: Antoana Uzunova

Pse shumë njerëz me çrregullime mendore i drejtohen artit?

“Sipas mendimit tim, kjo u jep atyre një lloj lirie, një ndjenjë lehtësimi, sepse shumë shpesh bota e tyre e brendshme dhe proceset që zhvillohen në të nuk janë aspak të lehta. Arti është një mënyrë për t'u çliruar nga kjo peshë e brendshme që mbartin”, thotë dr. Uzunova.


Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

FOTO: Antoana Uzunova

A mund të dallohet një çrregullim mendor nga pikturat e realizuara nga një person?

“Unë personalisht nuk jam eksperte në këtë fushë dhe nuk mund të them me siguri. Ka piktura që, kur i shohim, nuk do ta merrnim kurrë me mend se janë krijuar nga një person me çrregullime mendore. Por ka edhe të tilla ku këto veçori mund të dallohen. Përgjigjen për pyetjen tuaj mund ta kërkoni në librat e docent Aleksandër Marinov, i cili gjithashtu më frymëzoi për këtë ekspozitë. Ai ka qenë psikiatër në qytetin Bjalla dhe është autor i dy librave që trajtojnë artin e pacientëve të tij. Librat janë të ilustruar me shumë piktura dhe përmbajnë mjaft teori mbi mënyrën se si arti ndërthuret me sëmundjet mendore.”

Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

FOTO: Daniella Popova

Cili është roli i hobive për një shëndet të mirë mendor?

“Sipas mendimit tim, roli i tyre është shumë i rëndësishëm. Shumë shpesh unë i pyes pacientët që takoj për hobet e tyre, për atë që u pëlqen të bëjnë, dhe përpiqem t’i inkurajoj në këtë drejtim. Sepse kur njeriu është zhytur, në mënyrë figurative, në një lloj grope, ai humbet motivimin dhe i harron gjërat që i pëlqen të bëjë.

Ajo që vërej te pacientët, sidomos tani në lidhje me ekspozitën, është se sa shumë u ka ndihmuar pikërisht kjo për të zhvilluar dhe forcuar burimet e tyre të brendshme”, thotë dr. Uzunova.

Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

FOTO: Daniella Popova

Parandalimi, siç thuhet, është pjesa më e rëndësishme e trajtimit. Çfarë mund të bëjë njeriu për të ruajtur një shëndet të mirë mendor?

“Po, sigurisht. Kudo flitet për rëndësinë e parandalimit dhe të kujdesit parandalues. Ka shumë praktika të ndryshme që përfshijnë aktivitetin fizik, sportin, por mbi të gjitha bisedën dhe komunikimin, sepse ne, si qenie njerëzore, kemi nevojë të lidhemi me njëri-tjetrin. Konkretisht, secili prej nesh ndoshta duhet t’i kushtojë vetes 10-15 minuta çdo mëngjes; në përgjithësi, të gjejë më shumë kohë për veten dhe për reflektim personal. Të gjejë kohë për njerëzit e afërt dhe për gjërat që pëlqen të bëjë. Njeriu duhet të kujdeset për ruajtjen e shëndetit të tij mendor njësoj siç kujdeset për shëndetin fizik.”

Ekspozita “Konturet e shpirtit” do të hapet në Shtëpinë e Kinemasë në Sofje, më 10 tetor, të shtunën, në orën 18:00. Veprat do të qëndrojnë të ekspozuara atje deri në fund të muajit tetor.

Ekspozitë në Sofje kërkon konturet e shpirtit

FOTO: Daniella Popova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva