Autor
Desisllava Semkovska
Lajm
Pesë bullgarë që lanë gjurmë në Amerikë dhe në botë
Petja Ilieva sjell në vëmendje historitë dhe kontributin e tyre, duke nxjerrë në pah ndikimin që patën përtej kufijve të atdheut
Dielë 11 Tetor 2026 14:04
Dielë, 11 Tetor 2026, 14:04
FOTO: Petja Ilieva
Madhësia e shkronjave
Portretet e pesë personaliteteve të shquara, të lindura në Bullgari, që emigruan në Shtetet e Bashkuara dhe atje arritën suksese me përmasa botërore, tashmë mund të shihen në stacionet e autobusëve në Sofje, Plovdiv, Veliko Tarnovo dhe Burgas. Bashkë me portretet, vizitorët mund të gjejnë edhe informacione të shkurtra për arritjet dhe kontributin e tyre. Kjo është pjesë e projektit të radhës “Arti për diplomacinë”, të piktores së talentuar dr.Petja Ilieva, e cila përmes artit e nxjerr kulturën në hapësirat publike, duke e sjellë atë drejtpërdrejt pranë njerëzve. As vendndodhja e portreteve nuk është zgjedhur rastësisht. Synimi është që njerëzit që kalojnë nëpër rrugët e qytetit ose presin transportin publik të kenë mundësinë të mësojnë diçka të re dhe të zgjerojnë horizontin e tyre përmes arsimit, kulturës dhe shkencës.
Petja Ilieva
FOTO: Desisllava Shapkarova
“Historitë e këtyre pesë personave janë vërtet frymëzuese. Të gjithë kanë qenë fëmijë me interesa dhe prirje të veçanta, të cilët, me shumë punë dhe përkushtim, arritën t’i realizonin ëndrrat e tyre - tregon Petja Ilieva në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë. - E përbashkëta e tyre është se që në moshë të hershme zgjodhën profesionin që do të ndiqnin, morën një arsimim shumë të mirë në fushën përkatëse dhe punuan me shumë pasion. E quajtëm këtë projekt “Engjëjt bullgaro-amerikanë”. Ai u realizua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bullgari, sepse bëhet fjalë për bullgarë që arritën të shpalosnin plotësisht potencialin e tyre në Amerikë. Ata hodhën themelet e shkencave inxhinierike dhe hapësinore, pa të cilat Amerika nuk do të ishte ajo që është sot. Të pesë këta njerëz e ruajtën gjatë gjithë jetës lidhjen me atdheun e tyre dhe, sa herë u jepej mundësia, e përmendnin me krenari origjinën e tyre bullgare.”
Petja Ilieva mendon se emrat e Asen Jordanovit, Petër Petrovit, Viden Tabakovit, Xhon Atanasovit dhe Viola Esenit ndoshta nuk janë të njohur për shumicën e amerikanëve, por as për të rinjtë bullgarë të ditëve të sotme. Megjithatë, për specialistët e fushave përkatëse, ata përbëjnë një pikënisje dhe një burim frymëzimi.
Kush janë ata – bullgarët që ndryshuan Amerikën dhe botën?
Asen “Xheri” Jordanov (02.09.1896, Sofje – 19.10.1967, White Plains, SHBA)
Asen “Xheri” Jordanov
FOTO: Petja Ilieva
Nga qielli mbi Sofje deri në kabinën e avionëve amerikanë – pionieri bullgar që ndihmoi në zhvillimin e aviacionit modern. Shpikës. Inxhinier. Pilot testues. Themelues i inxhinierisë aeronautike në Bullgari dhe autor i manualeve për përdorimin dhe mirëmbajtjen e avionëve të parë amerikanë të pasagjerëve. Asen Jordanov shpiku gjithashtu edhe airbag-un për automobila.
Viola Eseni (pseudonimi artistik i Violeta Kolçagovës)
Viola Eseni
FOTO: Petja Ilieva
Bullgaro-amerikania që pushtoi zemrën e Amerikës me vallëzimin e saj – me hijeshi dhe liri, duke kapur ritmin e shekullit të ri.
E bija e emigrantëve bullgarë – valltare dhe koreografe në trupën e njohur American Ballet Theater. Një nga krijueset e baletit modern amerikan. E dashura bullgare e Marlon Brandos.
Petër Petrov (21.10.1919, Brestovica – 27.02.2003, Huntsville, Alabama, SHBA)
Petër Petrov
FOTO: Petja Ilieva
Nga Brestovica drejt yjeve – inxhinieri, idetë e të cilit ndihmuan në hapjen e epokës hapësinore të Amerikës.
Petër Petrov punoi si inxhinier në NASA dhe shpiku një nga sistemet e hershme të telemetrisë satelitore, orën digjitale dhe teknologjinë pa tela për monitorimin e zemrës në distancë.
Viden Tabakov (14.12.1919, fshati Stakevci – 06.06.2015, Cincinnati, SHBA)
Viden Tabakov
FOTO: Petja Ilieva
Inxhinier, shkencëtar, shpikës dhe pedagog. Bullgaro-amerikan, ai punoi në kuadër të programit amerikan hapësinor “Apollo”.
Nga fshati Stakevci deri në NASA – Tabakovi ishte një pionier në përmirësimin e sistemeve të shtytjes reaktive, duke kontribuar në hapjen e rrugës për eksplorimin e hapësirës.
Xhon Vincent Atanasov (04.10.1903, Hamilton – 15.06.1995, Frederick, SHBA)
Xhon Vincent Atanasov
FOTO: Petja Ilieva
Xhon Atanasov, profesori amerikan i fizikës dhe matematikës me origjinë bullgare, njihet gjerësisht si “babai i kompjuterit”. Së bashku me studentin e tij, Kliford Berrin, Atanasovi krijoi në Universitetin Shtetëror të Ajovës kompjuterin e parë elektronik digjital në botë. Ky ishte një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e shkencës moderne, i realizuar gjatë viteve 1939–1942.
Pesë fate të ndryshme, pesë histori dhe një lidhje e përbashkët – Bullgaria. Me projektin “Engjëjt bullgaro-amerikanë”, Petja Ilieva na nxit të interesohemi më shumë për këta bullgarë të shquar dhe për kontributin e tyre në përparimin e botës.
Panelet e printuara me portretet e tyre do të udhëtojnë dhe do të shfaqen në vende të ndryshme, me synimin për t’iu përcjellë historitë e tyre një rrethi sa më të gjerë njerëzish. “Shpresoj që në të ardhmen të arrijnë edhe në SHBA, në mënyrë që edhe publiku i gjerë atje të ketë mundësinë t’i njohë këta personalitete”, tha në fund Petja Ilieva.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #art
- #histori
- #arsim
- #Amerikë
- #projekt
- #kompjuter
- #botë
- #Petja Ilieva
- #matematikë
- #stacion
- #fizikë
- #portret
- #shpikës
- #NASA
- #shkencëtar
- #kontribut
- #bullgarë që lanë gjurmë
- #bullgarë që lanë gjurmë në botë
- #Asen “Xheri” Jordanov
- #Viola Eseni
- #Petër Petrov
- #inxhinjer
- #epokë hapësinore
- #Viden Tabakov
- #Xhon Vincent Atanasov
- #hapësirë publike
- #"Arti për diplomacinë"