SHOQËRI

Seksion

Drejtoresha e Shkollës dhe Kopshtit Bullgar në Budapest, Vanya Kotorova:

Fëmijët bullgarë jashtë vendit janë ambasadorët e vegjël të Bullgarisë në botë

Nga data 20 deri më 22 nëntor, Budapesti do të jetë mikpritës i festivalit “Unë jam bullgar”

Martë, 13 Tetor 2026, 10:00

Fëmijët bullgarë jashtë vendit janë ambasadorët e vegjël të Bullgarisë në botë

FOTO: Arkiva personale e Vanya Kotorovës

Madhësia e shkronjave

Fëmijë bullgarë nga vende të afërta e të largëta, së bashku me mësuesit e tyre nga shkollat bullgare jashtë vendit, do të mblidhen në nëntor në Hungari për edicionin e tetëmbëdhjetë të Festivalit të Bullgarëve në Botë, “Unë jam bullgar”.Ky aktivitet organizohet që nga viti 2009, me iniciativën e Shoqatës “Tangra” nga Madridi, ndërsa gjatë viteve mikpritës të tij kanë qenë qytete të ndryshme evropiane. Në vitin 2026, për herë të dytë, organizimin do ta marrë përsipër Shkolla dhe Kopshti Bullgar në Budapest.“Jemi shumë të lumtur që na është dhënë kjo mundësi”, – komentoi në një intervistë për Radio Bullgarinë drejtoresha Vanya Kotorova

Paralelisht me programin e festivalit, nga data 20 deri më 22 nëntor, specialistë të arsimit do të diskutojnë çështje që lidhen me përditshmërinë e shkollave bullgare jashtë vendit. Në një tryezë të rrumbullakët, ata do të shqyrtojnë programet e reja të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mësimdhënien e gjuhës bullgare si gjuhë e dytë ose e huaj. Këtë e mësojmë nga drejtuesja e Shkollës dhe Kopshtit Bullgar në Budapest, e cila është gjithashtu anëtare e Bordit Drejtues të Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit.

Vanya Kotorova në një nga forumet për arsimin bullgar jashtë vendit.

Vanya Kotorova në një nga forumet për arsimin bullgar jashtë vendit.

FOTO: Shkolla dhe Kopshti Bullgar në Budapest

Sipas Vanya Kotorovës, nevoja për programe të reja arsimore lidhet me ndryshimin e profilit të fëmijëve që ndjekin shkollat bullgare jashtë vendit. Gjithnjë e më shumë fëmijë nuk e zotërojnë gjuhën bullgare në nivelin e gjuhës amtare, pasi nuk e përdorin atë çdo ditë në mjedisin familjar.Për këtë arsye, programet tradicionale mësimore, të cilat në masë të madhe kanë ndjekur programet e hartuara për fëmijët në Bullgari, nuk janë gjithmonë të përshtatshme për ta.

Programet e reja vënë theksin te qasja komunikative dhe e bazuar në veprimtari - në vend që mësimi i gjuhës të mbështetet kryesisht te rregullat dhe strukturat gramatikore, fëmijët e përvetësojnë atë përmes situatave dhe komunikimit që i afrohen jetës reale.Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme për komunitetet historike bullgare më të vjetra në botë, siç është komuniteti ynë në Hungari.

“Shumë herë kemi folur për kopshtarët bullgarë në Hungari dhe për faktin se një pjesë e madhe e fëmijëve tanë janë pasardhës të tyre”, – thotë Vanya Kotorova. – “Ata janë bullgarë të brezit të tretë ose të katërt dhe dëshirojnë të mësojnë gjuhën e paraardhësve të tyre. Megjithatë, shpesh nuk kanë mundësi ta përdorin atë në një mjedis të natyrshëm gjuhësor. Shkolla Bullgare në Budapest është vendi ku ata mund të njihen nga afër me rrënjët e tyre.”

Megjithëse shkollat bullgare jashtë vendit kanë një qëllim të përbashkët, kushtet në të cilat ato funksionojnë janë të veçanta, pasi mjedisi gjuhësor në secilin shtet ndikon në mënyrën se si fëmijët e përvetësojnë gjuhën bullgare.

Siç e dimë, misioni i shkollave bullgare jashtë vendit nuk kufizohet vetëm te mësimdhënia e gjuhës bullgare. Këto qendra janë një hallkë jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës, historisë dhe traditave të atdheut.Prandaj, edicioni i tetëmbëdhjetë i festivalit “Unë jam bullgar”, që do të zhvillohet në Budapest, përbën një tjetër mundësi që fëmijët të forcojnë lidhjen e tyre me Bullgarinë përmes lojërave dhe veprimtarive krijuese, ndërsa mësuesit e tyre nga shkollat bullgare të shkëmbejnë përvoja dhe të ndajnë njohuritë me njëri-tjetrin.

Radioja Kombëtare Bullgare është partnere mediatike e kësaj nisme dhe do t’ju mbajë të informuar për gjithçka më interesante që do të ndodhë në Budapest nga data 20 deri më 22 nëntor. Sepse, siç thekson edhe Vanya Kotorova, mbështetja dhe vëmendja e mediave bullgare ndaj jetës së bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

“Në Bullgari dëgjohet shumë pak për punën tonë, ndërsa ne këtu, secili sipas mjedisit ku jeton dhe mundësive që ka, bëjmë diçka të rëndësishme jo vetëm për veten, por edhe për Bullgarinë”, – thekson ajo. – “Përveçse ruajmë lidhjen tonë me atdheun, ne përhapim edhe kulturën bullgare. Gjithmonë i paraqes fëmijët tanë si ambasadorë të vegjël të shpirtit bullgar. Kjo sepse çdo familje, fëmija i së cilës ndjek një shkollë bullgare ose merr pjesë në nisma të tilla komunitare, u tregon më pas për to miqve dhe kolegëve. Në këtë mënyrë, njohuritë për Bullgarinë përhapen përtej komunitetit bullgar. Prandaj, falënderoj radion që e bën të dukshme edhe në Bullgari punën që ne bëjmë.”

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello