100 vjet studime bullgaristike

Konferencë dhe koncert në Universitetin “Komenski”

Për kremtimet në kryeqytetin sllovak mbërrijnë studiues të sllavistikës nga disa shtete

Hënë, 12 Tetor 2026, 16:00

Ndërtesa e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski” në Bratisllavë

Ndërtesa e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski” në Bratisllavë

FOTO: facebook.com/fphil.uniba

Madhësia e shkronjave

Më 15 dhe 16 tetor, Bratisllava do të jetë mikpritëse e një konference të madhe shkencore ndërkombëtare, kushtuar dialogut kulturor bullgaro-sllovak. Ndërsa në mbrëmjen e 15 tetorit, kuarteti bullgar “Svetoglas” do të japë një koncert me titullin “Misteri i polifonisë bullgare”.

Si konferenca, ashtu edhe koncerti do të zhvillohen në sallat e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski”, në kryeqytetin sllovak. Rasti është më se i rëndësishëm – 100-vjetori i fillimit të studimit akademik të gjuhës bullgare në universitetin më të madh dhe më të vjetër të Sllovakisë.

Veprimtaritë jubilare me rastin e përvjetorit të rëndësishëm të lektoratit bullgar në Sllovaki nisën që në shtator, me hapjen e dy ekspozitave fotografike në hapësirën artistike “Atrium” të Universitetit “Komenski”. E para, me titull “Thesaret e lashta të Bullgarisë”, është krijuar nga Instituti i Ballkanistikës me Qendrën e Trakologjisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, me autorë prof. Valeria Fol dhe dr. Aleksandra Millanova. Ekspozita e dytë është ekspozita trivjeçare “Monumentet bullgare nën mbrojtjen e UNESCO-s”, organizuar nga Instituti Shtetëror i Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë.

Ekspozitat i njohin studentët dhe vizitorët me gjetje të rëndësishme arkeologjike, thesare trake dhe monumente unike kulturore e natyrore të Bullgarisë – nga ari më i vjetër i përpunuar në botë, i zbuluar në Varna, deri te Manastiri i Rillës, Nesebëri, Kisha e Bojanës dhe Kalorësi i Madarës, si dhe bukuritë natyrore të parqeve kombëtare dhe rezervateve. Në ekspozita përfshihen gjithashtu fotografi mbresëlënëse të fotografit të njohur bullgar Ivo Haxhimishev.

Ekspozitat mund të vizitohen deri më 15 tetor 2026, ditë në të cilën do të arrijnë kulmin edhe kremtimet me rastin e 100-vjetorit të studimeve bullgaristike në Sllovaki.

Më 15 tetor do të hapet konferenca shkencore ndërkombëtare “Dialogu ndërkulturor bullgaro-sllovak”. Veprimtaria, e cila do të zgjasë dy ditë, zhvillohet nën patronazhin e prof. dr. Marian Zouharit, dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski”, dhe të Shkëlqesisë së Saj, Snezhana Joveva-Dimitrova, ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Bullgarisë në Republikën Sllovake.

Programi jashtëzakonisht i pasur i këtij forumi shkencor është ndarë në disa sesione, të cilat do të zhvillohen paralelisht në salla të ndryshme të Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski”.

Hapja zyrtare, në orën 9:00 sipas orës lokale, do të pasohet nga referati i bullgaristes sllovake, prof. dr. Maria Dobrikova, me temën “Studimet bullgaristike në Bratislavë. Njëqind vjet arsim universitar”. Rezultatet e studimit të parë gjithëpërfshirës mbi komunitetin bullgar në Sllovaki do t’i paraqesë prof. dr. Vlladimir Pençev, studiuesi ynë i shquar i sllavistikës dhe bohemistikës, etnolog dhe hulumtues i traditave dhe folklorit të diasporës bullgare jashtë vendit.

Në ditën e parë të konferencës shkencore, Mariola Valçak-Mikolajçakova nga Polonia do të prezantojë Institutin e Filologjisë Sllave të Universitetit “Adam Mickiewicz” në Poznan, si promovues të kulturës, letërsisë dhe gjuhës bullgare. Më pas, bullgaristja dr. Maria Dudaš nga Hungaria do t’i njohë të pranishmit me historinë e filologjisë bullgare në Universitetin “Loránd Eötvös” në Budapest, ndërsa kolegia e saj, Monika Farkaš Barati, do të prezantojë studimet bullgaristike në Universitetin e Segedinit. Për perspektivat dhe sfidat e studimit të gjuhës bullgare në Rumani do të flasë Svetllana Karaxhova, lektorja jonë në Universitetin Perëndimor të Timishoarës.

Interesant pritet të jetë edhe prezantimi i punimeve të diplomës në gjuhën bullgare, të mbrojtura nga studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski” në Bratislavë. Prezantimin do ta bëjë Juraj Kishka nga Sllovakia.

Gjithashtu, do të diskutohen marrëdhëniet letrare ndërmjet Bullgarisë dhe Sllovakisë, mësimdhënia e gjuhëve të huaja dhe tema të tjera gjuhësore. Në diskutime do të marrin pjesë prof. Anna Koçeva, doc. Kirill Kirillov, doc. dr. Dimitër Kamburov, Tatjana Içevska, Igor Hoçel, Krasimira Taneva dhe Elena Ovçarova, prof. dr. Magdalena Kostova-Panajotova, prof. dr. Cenka Ivanova, dr. Miglena Mihajllova-Palanska e të tjerë.

Në ditën e dytë të forumit shkencor, më 16 tetor, në Universitetin “Komenski”, studiuesit do t’i thellojnë diskutimet mbi tema të tilla si formimi i fjalëve, veçoritë e përkthimit, frazeologjia, etnolinguistika dhe historia.

Koncert i kuartetit “Svetogllas” – në nder të 100-vjetorit të studimeve bullgaristike në Sllovaki

Koncert i kuartetit “Svetogllas” – në nder të 100-vjetorit të studimeve bullgaristike në Sllovaki

FOTO: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Bratisllavë

Pas diskutimeve të thelluara shkencore në Universitetin “Komenski”, pjesëmarrësit e konferencës dhe të ftuarit zyrtarë në kremtimet e 100-vjetorit të fillimit të studimeve bullgaristike në Sllovaki do të kenë mundësinë të zhyten në misterin e këndimit polifonik bullgar, së bashku me kuartetin “Svetoglas”.

I krijuar në vitin 2009 nga Daniel Spasov dhe Milen Ivanov, solistë të korit me famë botërore “Misteri i Zërave Bullgarë”, kuarteti vokal “Svetoglas” është një nga formacionet e shquara bullgare, të përkushtuara ndaj ruajtjes dhe promovimit të traditës së lashtë muzikore bullgare. Përmes interpretimeve mbresëlënëse polifonike të këngëve autentike popullore dhe himneve kishtare ortodokse, muzikantët zbulojnë pasurinë, përmasën shpirtërore dhe bukurinë e trashëgimisë muzikore bullgare.

Me tingullin e tij karakteristik dhe interpretimin origjinal të traditës, kuarteti ka fituar vlerësim si në Bullgari, ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Misioni i “Svetoglas” është t’i shndërrojë mesazhet e lashta muzikore në art të gjallë, që prek dëgjuesin bashkëkohor.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski