LAJME

Lajm

Parashikimi i motit për 14 tetorin 2026

Kod i verdhë për reshje shiu në Bullgarinë Lindore dhe Juglindore

Martë, 13 Tetor 2026, 19:23

Parashikimi i motit për 14 tetorin 2026

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Të mërkurën temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 11 gradë. Në Sofje, në orët e mëngjesit, temperatura do të jetë 6 gradë. Gjatë ditës moti do të jetë i vranët dhe në shumë zona do të ketë reshje shiu. Reshjet më të zgjatura priten në pjesën qendrore të malit Stara Planina, në zonat rrëzë tij, në malin Rodop dhe në Bullgarinë Juglindore. Gjatë ditës së nesërme, reshjet do të dobësohen fillimisht në pjesën perëndimore të vendit dhe më pas do të pushojnë. Në orët e mëvonshme, vranësirat në zonat perëndimore do të fillojnë të shpërndahen. Në shumë zona do të fryjë erë mesatare, ndërsa në pjesën lindore të vendit era nga veriu-verilindja do të jetë e fortë. Temperaturat maksimale do të luhaten nga 10 deri në 15 gradë, pa ndryshime të ndjeshme gjatë ditës. Në kryeqytet, temperatura do të jetë rreth 10 gradë.

Përgjatë bregdetit të Detit të Zi moti do të jetë i vranët, me reshje shiu në shumë zona. Reshjet më të zgjatura priten në pjesën jugore të bregdetit. Do të fryjë erë e fortë nga veriu. Temperaturat maksimale të ajrit do të jenë nga 14 deri në 16 gradë, ndërsa temperatura e ujit të detit do të jetë 19–20 gradë. Deti do të jetë i trazuar, me dallgëzim të shkallës 3–5 ballë.

Në zonat malore moti do të jetë i vranët. Reshje shiu priten kryesisht në malin Stara Planina, në Rodopet dhe në Stranxha, ndërsa në masivet malore të Bullgarisë Jugperëndimore reshjet do të pushojnë. Mbi 1500 metra lartësi do të bjerë dëborë, ndërsa në malin Rodopa dëborë pritet mbi 1200 metra. Era do të fryjë e fortë nga veriu-verilindja, ndërsa në zonat malore të pjesës lindore të vendit do të jetë me karakter stuhie. Temperatura maksimale do të jetë rreth 5 gradë në lartësi 1 200 metra dhe rreth 0 gradë në lartësi 2000 metra.

Të enjten, reshjet do të pushojnë në të gjithë vendin që gjatë natës. Gjatë ditës, vranësirat do të shpërndahen dhe përkohësisht do të pakësohen, por më vonë do të shtohen sërish. Era do të vazhdojë të fryjë nga veriu-veriperëndimi, kryesisht me intensitet mesatar. Mëngjesi do të jetë më i freskët, ndërsa temperaturat gjatë ditës do të rriten lehtë.

Të premten, moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje shiu në shumë zona. Nga veriu do të depërtojë një tjetër masë ajri relativisht e ftohtë.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova