HISTORI

Seksion

Shën Petka: shenjtorja e mrekullive dhe legjendave popullore

Mërkurë, 14 Tetor 2026, 07:10

Shën Petka: shenjtorja e mrekullive dhe legjendave popullore

FOTO: BNR (arkiva)

Madhësia e shkronjave

Më 14 tetor, Kisha Ortodokse përkujton Shën Parashqevinë (Shën Petkën) – një nga shenjtoret më të njohura dhe më të dashura në vendin tonë. Përrallat dhe legjendat popullore i atribuojnë asaj fuqi të mbinatyrshme. Për aftësitë e saj mrekullibërëse flasin edhe jetëshkrimet e Shën Petkës.

Shën Parashqevia, e quajtur nga populli bullgar Petka, ka lindur në Epivat, në Turqinë e sotme. Ajo ka jetuar në shekujt X dhe XI. Kur prindërit e saj ndërruan jetë, vëllai i saj ishte bërë tashmë murg. Parashqevia shpërndau gjithçka që zotëronte dhe iu kushtua një jete asketike. Pasi kaloi pesë vjet në një manastir të vogël, u nis për pelegrinazh drejt Jerusalemit dhe Varrit të Krishtit. Më pas u tërhoq në shkretëtirën e Jordanisë, ku iu përkushtua agjërimit dhe lutjes.

Sipas jetëshkrimit të shenjtores, një natë, ndërsa po lutej, iu shfaq një engjëll qiellor, i cili i tha të kthehej në atdheun e saj. Autor i jetëshkrimit të saj është Patriarku Eftimij, një nga udhëheqësit e mëdhenj shpirtërorë të Bullgarisë mesjetare. Populli ynë e ka përcjellë atë që ai shkroi sipas mënyrës së vet, duke ruajtur faktet kryesore të jetës së Shën Petkës.

Sërish, sipas jetëshkrimit të saj, lipsanet e shenjtores u zbuluan rastësisht. Kur u kthye në trojet e vendlindjes, ajo nuk i tregoi askujt se kush ishte. Pas vdekjes, u varros nga njerëz të panjohur. Një natë, Shën Petka iu shfaq në mënyrë të mrekullueshme në ëndërr dy personave njëkohësisht, duke zbuluar emrin e saj. E rrethuar nga drita, ajo kërkoi që trupi i saj i paprishur të zhvendosej.

 

Shën Petka: shenjtorja e mrekullive dhe legjendave popullore

FOTO: svetimesta.com

Nga viti 1238 deri në rënien e Bullgarisë nën sundimin osman, në fund të shekullit XIV, lipsanet e saj të shenjta preheshin në qytetin e vjetër mbretëror Veliko Tërnovo, në kishën "Shën Petka e Tërnovos". Pas disa zhvendosjeve të tjera, që nga viti 1641 ato ndodhen në katedralen e qytetit të Jashit, në Rumaninë veriore.

Legjendat tregojnë për shërime të panumërta të mrekullueshme të kryera falë lipsaneve të saj: njerëzit me gjymtyrë të paralizuara fillonin të ecnin, të verbrit rifitonin shikimin dhe ata që vuanin nga sëmundje të rënda shëroheshin papritur. Sipas besimit popullor, edhe lutja drejtuar Shën Petkës sjell ndihmë. Besohet se fuqia e saj është veçanërisht e madhe në rastet e problemeve me sytë, verbërisë, çrregullimeve psikike dhe infertilitetit.

Edhe sot vazhdon tradita që të sëmurët të kalojnë natën në manastire, duke marrë me vete dhurata. Zakonisht, ata e zbukurojnë ikonën e saj me një shami të re dhe një tufë borziloku.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello