Autor
Miglena Ivanova
Mërkurë 14 Tetor 2026 14:30
Mërkurë, 14 Tetor 2026, 14:30
FOTO: Reuters
Madhësia e shkronjave
Ëndrra për të arritur Everestin lindi që në vitin e largët 1852, kur ai u përcaktua si maja më e lartë e planetit, në atë kohë me emrin Maja XV. Por ngjitja e tij e parë zyrtare u realizua vetëm në vitin 1953 nga Zelandezi i Ri Edmund Hillary, së bashku me sherpan nepalez Tenzing Norgay. Tridhjetë e një vjet më vonë, për herë të parë, në majë mbetën gjurmë bullgare.
Që nga ajo kohë e deri më sot, 18 bullgarë kanë arritur majën e Everestit, por ngjitjet e suksesshme janë gjithsej 20, pasi dy alpinistë bullgarë – Nikollaj Petkov dhe Atanas Skatov – e kanë arritur majën nga dy herë.
Ekspedita bullgare drejt Everestit në vitin 1984
FOTO: Avram Avramov / Arkivi personal
Gjithçka filloi me një ekspeditë të madhe bullgare në vitin 1984. Ajo përbëhej nga 24 persona, nën drejtimin e Avram Avramov. Qëllimi i saj ishte të arrinte majën përmes rrugës më të vështirë – Kurrizit Perëndimor. Bullgarët mbërritën në kampin bazë në muajin mars dhe për javë të tëra u përgatitën për ngjitjen. Mes tyre ishte Hristo Prodanov, i cili u nis i pari drejt majës, së bashku me sherpan Ringji. Data ishte 20 prill. Megjithatë, sherpa hasi probleme dhe u detyrua të kthehej. Prodanov vazhdoi i vetëm, pa oksigjen shtesë. Në orën 18:10, ai u lidh me radiostacionin me kampin bazë – ishte bërë bullgari i parë që kishte arritur pikën më të lartë të Tokës. Nga kampi bazë e përgëzuan dhe e pyetën si ishte dhe nëse kishte ndonjë problem. Ai u përgjigj:
Hristo Prodanov
FOTO: Arkiv
„Nuk ka asnjë problem. Vetëm se është ftohtë. Arrita të fotografoj pesë kuadro me diell. Kam probleme me kamerën. Vëllezërit kanë bërë një piramidë me katër bombola [boshe oksigjeni]. Edhe flamurin e tyre e fotografova. Kaq është gjithçka që gjej këtu lart.“
Por ishte vonë. Prodanov qëndroi gjysmë ore në majë dhe më pas mori rrugën e kthimit. Nata e zuri lart në Kurrizin Perëndimor. Pa tendë dhe pa thes gjumi, në një lartësi mbi tetë mijë metra, ai u detyrua ta kalonte natën në qiell të hapur.
Ljudmill Jankov
FOTO: Arkiv personal
Të nesërmen, komunikimi me të u bë gjithnjë e më i vështirë. Një pjesë e anëtarëve të ekspeditës u nisën për të kërkuar Prodanovin. Mes tyre ishte Ljudmill Jankov, i cili përparoi me shpejtësi të madhe në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar mikun e tij. Ai përshkoi një diferencë lartësie prej 1330 metrash dhe arriti në rreth 8500 metra. Çmimi që pagoi ishin katër gishta të ngrirë, falangat e të cilëve do t'i amputoheshin më vonë. Kërkimet nuk dhanë rezultat. Hristo Prodanov nuk u gjet. Megjithatë, ekspedita duhej të vazhdonte misionin e saj.
Më 8 maj, Metodi Savov dhe Ivan Vëllçev arritën Everestin përmes Kurrizit Perëndimor. Savov ishte gjithashtu kameraman. Gjatë ekspeditës, ai filmoi pamje nga ngjitja historike bullgare. Të nesërmen, në majë arritën edhe Nikollaj Petkov dhe Kirill Doskov. Por momentet dramatike nuk kishin përfunduar ende. Gjatë kthimit, pasi kaloi natën në qiell të hapur në lartësi të mëdha, Savov për pak sa nuk humbi jetën. Ai u shpëtua nga Nikollaj Petkov dhe Kirill Doskov, por, për shkak të ngrirjeve të rënda, më vonë iu desh t'i nënshtrohej amputimit të pjesshëm të shputës së këmbës. Të katër alpinistët realizuan përshkrimin historik bullgar të Everestit.
Metodi Savov, i pari nga e djathta
FOTO: Arkiv personal
Bilanci i ekspeditës ishte pesë bullgarë që arritën Everestin, katër që realizuan traversimin historik dhe humbja tragjike e Hristo Prodanovit. Megjithatë, ngjitja e tij mbetet një arritje e jashtëzakonshme në historinë e alpinistëve botërorë. Ai ishte personi i trembëdhjetë që arriti majën pa oksigjen shtesë dhe i pari që e bëri këtë përmes Kurrizit Perëndimor, pa aparat oksigjeni. Që nga viti 1984 e deri më sot, nuk ka pasur asnjë ngjitje tjetër në Everest përgjatë gjithë gjatësisë së Kurrizit Perëndimor.
Për Ljudmill Jankovin, ajo që ndodhi në vitin 1984 shkonte shumë përtej ambicieve personale të alpinistëve. Ja çfarë tregoi ai në një regjistrim të Fondit të Artë të Radios Kombëtare Bullgare, të realizuar në vitin e ngjitjes:
Ljudmill Jankov
FOTO: Arkiv personal
„Bullgaria na dërgoi në Everest, prandaj ne nuk kishim të drejtë të ktheheshim pa ia dalë mbanë. Ndodhi diçka krejt e re – në një moment, alpinizmi pushoi së qeni një sport që e bënim vetëm për veten tonë. Ai u shndërrua në diçka që lidhej me të gjithë kombin tonë, me Bullgarinë. U bë çështje prestigji dhe dinjiteti kombëtar që ta ngjitnim majën. Jemi të lumtur që ia dolëm, sepse për ne – nuk dua të tingëllojë tepër deklarative – nuk kishte rrugë tjetër. Ne duhej ta ngjitnim Everestin; nuk kishim të drejtë ta linim për më vonë. Kjo ishte ëndrra e brezave të alpinistëve tanë dhe ne u përpoqëm ta realizonim. Për mua është shumë i rëndësishëm fakti që 24 persona, secili prej të cilëve ishte mësuar të ishte në krye të klubit të vet alpin, të drejtonte gjërat dhe të zgjidhte problemet, iu nënshtruan si një i vetëm një ideje të madhe. Nga kjo ekspeditë do të më mbetet një shembull që na tregoi se si mund të vdesësh për një ëndërr. Ajo që bëri Hristo, për të cilën ende dëgjoj kritika nga njerëz që nuk arrijnë ta kuptojnë atë që bëri ai në Everest, do të mbetet gjithmonë në mendjen dhe në zemrën time si një mënyrë të menduari, si një mënyrë përkushtimi të plotë dhe si forcë karakteri e përpjekje për një ide të madhe.“
Dojçin Vasilev
FOTO: Ljubomir Ivanov
Ngjitja e radhës bullgare u realizua 13 vjet më vonë. Në maj të vitit 1997, Dojçin Vasilev arriti Everestin. Alpinisti dhe dokumentaristi ishte pjesëmarrës edhe në ekspeditën e vitit 1984, ndërsa këtë herë arriti të realizonte ëndrrën e tij.
Gjatë ekspeditës kombëtare bullgare të organizuar në vitin jubilar 2004, Everestin e ngjitën Petko Totev, Nikollaj Petkov, Dojçin Bojanov dhe Hristo Hristov.
Për Nikollaj Petkov kjo ishte ngjitja e dytë, por këtë herë përmes një rruge tjetër – nga veriu, nëpërmjet Tibetit. Gjatë zbritjes, megjithatë, ai pati probleme serioze me shikimin. Dojçin Bojanov i erdhi në ndihmë.
Petja Kollçeva
FOTO: Facebook /Petya Kolcheva
E njëjta ekspeditë humbi Hristo Hristovin. Ai arriti majën pa oksigjen shtesë, por u zhduk gjatë zbritjes. Disa ditë më vonë, në atë zonë u zhduk edhe Mariana Masllarova, mbesa e Hristo Prodanovit, e cila ishte nisur me një ekspeditë komerciale ruso-braziliane, me ëndrrën për të shkelur në Everest, ashtu si xhaxhai i saj. Arritja e saj në majë mbetet e pakonfirmuar.
Më 22 maj 2009, Petja Kollçeva u bë gruaja e parë bullgare që arriti Everestin. Bashkë me të, në majë ishte edhe bashkëshorti i saj, Kamen Kollçev. Pesë vjet më parë, ajo nuk kishte gjetur vend në ekspeditën jubilare, por nuk hoqi dorë. Nënë e tre fëmijëve dhe avokate në profesion, ajo vazhdoi të përgatitej me këmbëngulje, duke ngjitur maja të tjera.
Atanas Skatov
FOTO: Arkiv personal
Gradualisht, ekspeditat e mëdha kombëtare drejt Everestit u lanë vendin ngjitjeve komerciale ndërkombëtare. Maja u bë më e arritshme për njerëz me nivele të ndryshme përvoje në alpinizëm, megjithëse lartësia, të ftohtit dhe moti i ndryshueshëm vazhdojnë të paraqesin rreziqe serioze.
Në vitin 2014, Everestin e arriti bullgari Atanas Skatov, i cili u bë personi i parë vegan që ngjiti majën. Ai kishte filluar të merrej me alpinizëm vetëm katër vjet më parë. Në vitin 2017, ai u ngjit për herë të dytë në Everest.
Në maj të vitit 2018, Sllavi Nestorov arriti “çatinë e planetit” me një ekspeditë komerciale. Një ditë më vonë, u ngjit edhe avokati Stefan Stefanov. Në përgatitjen e tij e ndihmoi alpinisti ynë i madh Bojan Petrov, i cili gjithashtu planifikonte të arrinte Everestin në pranverën e po atij viti. Në vitin 2004, Petrov nuk ishte lejuar të merrte pjesë në ekspeditën kombëtare bullgare për shkak të diabetit. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, më në fund mori dritën jeshile për të realizuar këtë synim të tij. Deri atëherë, ai kishte pasur pas vetes dhjetë maja tetëmijëshe të ngjitura pa oksigjen shtesë. Por, përpara se të nisej drejt Everestit, ai u drejtua për në Shisha Pangma, ku mbeti përgjithmonë – pranë yjeve.
Silvija Azdreeva në majën e Everestit, më 15 maj 2022
FOTO: Facebook /Silvia Azdreeva
Më 15 maj 2022, Silvia Azdreeva u bë gruaja e dytë bullgare që arriti Everestin. Pas saj, në vitin 2024, u ngjit Marieta Georgieva; në vitin 2025, Hristina Josifova; dhe në vitin 2026, Georgi Koleviçin.
Çfarë e bën Everestin të vazhdojë të tërheqë kaq shumë njerëz? Dhe çfarë ndien njeriu kur më në fund arrin vendin për të cilin ka ëndërruar? Ja çfarë tregoi Metodi Savov në vitin 1984:
„Qëllimi yt, nga njëra anë, është të vësh veten në provë; nga ana tjetër, të ngjitesh në majë; dhe, nga ana e tretë, të tregosh se je i aftë të bësh diçka. Kjo është kaq njerëzore! Dhe, së katërti, të shpëtosh nga ky ferr. Ndonjëherë më pyesin: «Çfarë ndjeve në majë?» Çfarë mund të ndiej tjetër, përveç dëshirës për t'u larguar nga ai vend dhe për të zbritur sa më shpejt drejt jetës? Pra, emocionet vijnë kur tashmë jemi poshtë, mes njerëzve, në kampin bazë, kur mbërrijmë të gjallë dhe shëndoshë e mirë. Prandaj thuhet se një alpinist ia ka dalë mbanë vetëm kur është kthyer në kampin bazë. Me fjalë të tjera, vetëm atëherë ai e ka përfunduar vërtet ngjitjen.“
FOTO: Reuters
Kështu, siç rezulton, maja nuk është pika përfundimtare, por vetëm një pjesë e rrugëtimit që vazhdon me kthimin drejt jetës dhe drejt njerëzve që të presin. Prandaj, historia e bullgarëve në Everest nuk matet vetëm me lartësitë e arritura, por edhe me fatet njerëzore që kanë mbetur të lidhura përgjithmonë me malin.
Regjistrimet e përdorura janë të vitit 1984 dhe ruhen në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bulllgarisë:
- 40 vjet nga ngjitja e parë bullgare në Everest
- Një grua e tretë bullgare u ngjit në majën më të lartë në Tokë
- Alpinisti Atanas Skatov – për kthesat dhe vendimet në jetë
- Alpinizmi bullgar – që nga fillimi e këtej
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski