Shërbimet e sigurisë nuk përjashtojnë akte sabotimi në territorin e Bullgarisë

Mërkurë, 14 Tetor 2026, 15:14

Pllamen Tonçev

Pllamen Tonçev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Agjencisë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare (DANS), Pllamen Tonçev, nuk përjashton mundësinë e akteve të sabotimit në territorin e Bullgarisë. Kjo u bë e ditur gjatë një seance dëgjimore në Kuvendin Popullor, lidhur me hetimet për zjarrvënien e qëllimshme të antenave të komunikimit me sistemin satelitor amerikan “Starlink”, të vendosura pranë Sofjes.

Disa ditë më parë, bashkëkryetari i partisë “Po, Bullgaria”, Ivajllo Mirçev, njoftoi se në një objekt sekret në afërsi të kryeqytetit u dogjën qëllimisht 11 antena për komunikimin me “Starlink”. Sipas kryetarit të DANS-it, kapacitetet e komunikimit të këtij sistemi përdoren edhe nga Ukraina për qëllime ushtarake.

“Veprime të tilla të sabotimit nuk përjashtohen as në të ardhmen. Praktikisht, çdo ditë identifikojmë persona që kryejnë një lloj vëzhgimi të infrastrukturës kritike, përfshirë urat hekurudhore dhe stacionet e trenave. Prandaj, ashtu si kryeministri dhe ministrat e mbrojtjes dhe të brendshëm, bëj thirrje për qetësi dhe unitet, në mënyrë që shteti dhe Bashkimi Evropian të mund t’i kalojnë këto kohë të vështira”, tha Pllamen Tonçev. Ai siguroi se DANS-i ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore për të vepruar kundër aktiviteteve të shërbimeve sekrete ruse. “Asnjë punonjës nuk është larguar nga puna dhe as nuk është transferuar nga drejtoria që ka për detyrë të kundërveprojë ndaj veprimtarive ruse”, shtoi ai, raportoi gazetarja e Radios Kombëtare Bullgare (BNR), Maria Fileva.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova