Lajm
“Trend”: Shumica e bullgarëve mendojnë se rastet e agresionit janë shtuar
Enjte 15 Tetor 2026 16:52
Enjte, 15 Tetor 2026, 16:52
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Sipas 53% të bullgarëve, gjatë tre viteve të fundit janë shtuar rastet e shfaqjes së formave të ndryshme të agresionit. Këtë e tregojnë të dhënat e një sondazhi përfaqësues në nivel kombëtar, të zhvilluar nga Qendra Kërkimore “Trend” me 800 pjesëmarrës. Dy të tretat e të anketuarve e konsiderojnë agresionin një problem shumë serioz, ndërsa vetëm 3% mendojnë të kundërtën.
Pothuajse gjysma e të anketuarve e konsiderojnë shuplakën një mënyrë të pranueshme edukimi. Çdo i katërti bullgarë ka qenë viktimë e agresionit në trafik, ndërsa çdo i treti ndryshon sjelljen e tij nga frika e agresionit, bëhet e ditur nga anketimi.
Në pyetjen se ku haset më shpesh sjellja agresive, 52% e të anketuarve përmendin rrugët dhe hapësirat publike, 50% trafikun, 42% familjen dhe shtëpinë, 39% shkollën dhe 33% lokalet apo klubet.
Plot 64% e pjesëmarrësve në sondazh e konsiderojnë serioz kërcënimin që paraqesin për sigurinë e tyre të ashtuquajturit “lokali”, grupe të rinjsh që mblidhen në hapësira publike. Ndërkohë, 35% e të anketuarve kanë shmangur gjatë vitit të fundit vende të caktuara nga frika e përballjes me agresionin.
Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në anketim deklarojnë se frika për sigurinë e tyre do t’i pengonte të denonconin raste agresioni ose të bashkëpunonin si dëshmitarë në raste të tilla.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova