Lajm
Tino prezanton albumin e tij të dytë “Dashuri” me një koncert
Enjte 15 Tetor 2026 19:35
Enjte, 15 Tetor 2026, 19:35
FOTO: Facebook/ TINO
Madhësia e shkronjave
Pesë vjet pas albumit të tij debutues “A mund të them diçka?”, Tino ka përmbledhur këngët e tij të reja në albumin e dytë, “Dashuri”.
Më 15 tetor, në skenën e Pirotska 5 Event Center në Sofje, Tino do t’ia prezantojë publikut këngët e albumit në një koncert të titulluar “Dashuri live”.
Tino tregon se albumi “Dashuri” zhvillohet gjatë një procesi ndarjeje dhe se çdo këngë përshkon një emocion të ndryshëm. Duke folur për përjetimin intim gjatë krijimit të këngëve, artisti shton:
“Nuk është shumë ndryshe nga një proces terapeutik – ndërgjegjësimi dhe ndarja e emocioneve me të tjerët, si dhe kalimi përmes tyre. Këngët e albumit ekzistojnë falë njëra-tjetrës dhe këtij procesi. Nëse dikush, duke dëgjuar këtë muzikë, ndihet i kuptuar dhe jo i vetëm në atë që po përjeton, atëherë procesi vazhdon.”
FOTO: Facebook/ TINO
Pasi shkroi muzikën dhe tekstet, Tino realizoi aranzhimin dhe regjistrimin e të gjitha këngëve së bashku me producentin muzikor Denis Popstoev. Videoklipet janë realizuar nga regjisori Bojko Shtonov, në bashkëpunim me operatorin Ivan Daskallov.
Edhe pse çdo këngë nga albumi “Dashuri” zë një vend të veçantë në zemrën e Tinos, ai veçon njërën prej tyre:
“‘Ndryshim’ është një nga këngët e mia të preferuara në album. Ajo është një kundërshtim i drejtpërdrejtë ndaj kurthit të mendimit se ‘ndryshimi është e vetmja konstante në jetë’. Edhe pse kjo është e vërtetë, ky mendim mund të na shërbejë si një justifikim i lehtë për të vazhduar të sillemi në rreth, si dhe për të shkatërruar gjithçka dhe për t’u larguar nga frika.
Ndonjëherë, ‘duhet të ndryshoj diçka’ do të thotë ‘duhet të kujdesem për diçka’.”
Përpiloi: Diljana Traçeva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello