SHOQËRI

Seksion

Në Bratislavë shënohen 100 vjet të studimit akademik të gjuhës bullgare

Premte, 16 Tetor 2026, 07:00

Ndërtesa e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski” në Bratislavë

Ndërtesa e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski” në Bratislavë

FOTO: СНИМКА: facebook.com/fphil.uniba

Madhësia e shkronjave

Një konferencë shkencore kushtuar dialogut ndërkulturor bullgaro-sllovak nis sot në institucionin më të madh dhe më të vjetër të arsimit të lartë në Sllovaki, Universitetin “Komenski”. Ndërsa në orën 17:30, sipas orës lokale, në Sallën Mojzes të universitetit do të nisë edhe koncerti festiv “Misteri i polifonisë bullgare”, i cili do të interpretohet nga kuarteti vokal “Svetogllas” nga Bullgaria. Veprimtaria organizohet me rastin e 100-vjetorit të fillimit të studimit akademik të gjuhës bullgare në Bratislavë.

Forumi shkencor dyditor zhvillohet nën patronazhin e Shkëlqesisë së Saj, Snezhana Joveva-Dimitrova, ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Bullgarisë në Republikën Sllovake, si dhe të prof. dr. Marian Zouhar, dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit “Komenski”. Gjuha bullgare është pjesë e Katedrës së Filologjive Sllave të këtij fakulteti.

“Shënimi i këtij përvjetori kaq të rëndësishëm është me vlerë për zhvillimin e studimeve bullgaristike në mbarë botën”, theksoi në një intervistë për Radio Bullgarinë ambasadorja e vendit tonë në Republikën Sllovake, Snezhana Joveva-Dimitrova.

Snezhana Joveva-Dimitrova

Snezhana Joveva-Dimitrova

FOTO: facebook.com/Bulgarian.Embassy.Slovakia

“Ambasada e Bullgarisë në Bratislavë u përfshi aktivisht në përgatitjen dhe organizimin si të koncertit festiv të kuartetit ‘Svetogllas’, ashtu edhe në aspektet logjistike të konferencës shkencore ndërkombëtare dhe të veprimtarive shoqëruese në Universitetin ‘Komenski’. Këto përfshijnë, ndër të tjera, prezantimin e ekspozitave të posaçme dokumentare me riprodhime fotografike, kushtuar trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare, thesareve të lashta të Bullgarisë dhe monumenteve të përfshira në listën e UNESCO-s. Këto projekte i realizojmë së bashku me partnerë, si Instituti i Studimeve Ballkanike me Qendrën e Trakologjisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, Instituti Shtetëror i Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Radioja Kombëtare Bullgare dhe të tjerë. Besojmë se, përmes këtij aktiviteti festiv, do të rrisim interesin për studimet bullgaristike. Për këtë arsye, po nxisim edhe pjesëmarrjen më aktive të nxënësve të Shkollës së Mesme Bullgare ‘Hristo Botev’ në Bratislavë në iniciativa të ndryshme shoqëruese. Ata janë ndër studentët e mundshëm të ardhshëm të Fakultetit Filozofik të universitetit”, theksoi ambasadorja Snezhana Joveva-Dimitrova, pak orë para hapjes së forumit shkencor “Dialogu ndërkulturor bullgaro-sllovak” në Universitetin “Komenski”.

Veprimtaria e gjerë shkencore, e organizuar me rastin e 100-vjetorit të studimeve bullgaristike në Sllovaki, përfshin një sërë sesionesh leksionesh dhe diskutimesh, të cilat zhvillohen paralelisht në salla të ndryshme të Fakultetit Filozofik të universitetit.

Në fokus të diskutimeve do të jenë tema të tilla si historia, zhvillimi dhe e ardhmja e studimit akademik të gjuhës bullgare jashtë vendit, si dhe ndërveprimet letrare mes Bullgarisë, Sllovakisë dhe pjesës tjetër të botës sllave. Gjithashtu, do të prezantohen studime etnologjike mbi komunitetin bullgar në Sllovaki, si dhe çështje të tjera me interes shkencor dypalësh dhe ndërkombëtar.

Në Bratislavë shënohen 100 vjet të studimit akademik të gjuhës bullgare

FOTO: facebook.com/fphil.uniba

E pyetur se si ndikojnë lidhjet mes studiuesve bullgarë dhe sllovakë në marrëdhëniet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Sllovakisë, Snezhana Joveva-Dimitrova deklaroi se Akademitë e Shkencave të Bullgarisë dhe Sllovakisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe prej shumë vitesh.

“Ky bashkëpunim është rezultat i marrëveshjeve ndërmjet dy akademive dhe pritet të përditësohet shumë shpejt”, vijon ambasadorja e Bullgarisë në Republikën Sllovake. “Duhet të theksojmë se studiuesit bullgarë janë qartësisht të njohur në komunitetin akademik sllovak dhe marrin pjesë në projekte të ndryshme në kuadër të programeve evropiane dhe programeve të tjera. Për shembull, edhe studentët marrin pjesë aktivisht në programin ‘Erasmus’. E gjithë kjo kontribuon në forcimin e lidhjeve mes studiuesve, studentëve dhe komuniteteve akademike sllovake dhe bullgare.”

Në një intervistë për Radio Bullgarinë, Shkëlqesia e Saj, Snezhana Joveva-Dimitrova, foli gjithashtu për potencialin e pashfrytëzuar sa duhet në marrëdhëniet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Sllovakisë, për rolin e Ambasadës Bullgare në promovimin më të mirë të Bullgarisë në Sllovaki, si dhe për zhvillimin e Institutit Kulturor Bullgar në Bratislavë, i cili në nëntor do të festojë 55-vjetorin e themelimit.

Intervistën e plotë me drejtuesen e misionit diplomatik bullgar në Republikën Sllovake mund ta ndiqni në ditët në vijim në programet e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) dhe të Radio Bullgarisë.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello