Artikull
Bullgaria kulinare – nëntë festa të shijes gjatë fundjavës
Shtunë 17 Tetor 2026 07:00
Shtunë, 17 Tetor 2026, 07:00
FOTO: BNT
Madhësia e shkronjave
Një udhëtim i vërtetë kulinar përmes recetave tradicionale, prodhuesve vendas, folklorit dhe demonstrimeve të gatimit ofron Bullgaria në mesin e muajit tetor. Me proshutë të tharë të Elenës, fasule të Smoljanit, gështenja të pjekura dhe ëmbëlsira me kungull, bullgarët festojnë vjeshtën.
FOTO: facebook.com/elenski.byt
Në qytetin Elena, në Bullgarinë Veriore, zhvillohet Festa e dashur e proshutës së Elenës (16–18 tetor), dhe kushdo që ndalet në zonën malore të Ballkanit ka mundësinë të shijojë këtë delikatesë tradicionale bullgare, të përgatitur nga kofsha e derrit e tharë në mënyrë natyrale, karakteristike për rajonin e Elenës.
Vendasit thonë se receta është e thjeshtë: mish, kripë, erëza dhe pak durim. Por e vërteta është se shija e veçantë e këtij produkti është e lidhur pazgjidhshmërisht me klimën lokale, mënyrën e tharjes dhe përvojën e grumbulluar të prodhuesve të Elenës.
FOTO: BTA
Dashamirët e gatimeve vegjetariane me siguri do të tundohen të bëjnë një vizitë në fshatin Smoljan, në malet e Rodopit, ku zhvillohet Festa tradicionale e fasuleve të Smoljanit (16–18 tetor).
FOTO: Facebook / Njerëz dhe tradita – Brezhani
Ndërkaq, sheshi i fshatit Brezhani, në Bullgarinë Jugperëndimore, është qendra e Festës së gështenjës së Brezhanit. Gështenjat e famshme të Brezhanit, të cilat dallohen për madhësinë më të vogël dhe lëvozhgën më të çelët, por kanë shije shumë më të ëmbël se varietetet e tjera, piqen në vend dhe shërbehen me verë të re nga vjelja e fundit. Të ftuara speciale do të jenë zonjat nga Shoqata Kulturore dhe Artistike “Goce Dellçev”, nga qyteti Dellçevo në Maqedoninë e Veriut. Në koncertin muzikor në shesh do të marrin pjesë këngëtarja Sonja Kovaçka, soliste e Ansamblit “Pirin”, si dhe grupe artistike amatore nga Komuna e Simitlit dhe Krupnikut.
FOTO: kazanlak.com
Këtë fundjavë, në qendër të fshatit Goljamo Drjanovo, në rajonin e Kazanllëkut, zhvillohet edhe Festivali i 11-të Kombëtar i Arrës. Veprimtaria lindi në vitin 2014, për nder të arrës më të vjetër në Gadishullin Ballkanik, e cila ishte rreth 500 vjeç dhe jetoi deri në vitin 1993. Për nder të saj, në vitin 1965, në Bullgari u emetua një pullë postare e posaçme, në tri tirazhe. Edhe sot e kësaj dite, në fshatin Goljamo Drjanovo gjendet një nga plantacionet më të mëdha me arra të varieteteve bullgare, të shtrira në një sipërfaqe prej më shumë se 2500 dynymësh.
FOTO: nesebar.bg
Shija e detit do të jetë në qendër të Festivalit të 13-të Kombëtar të Peshkut “Pasazhet e vjeshtës” në Nesebër (16–18 tetor). Programi përfshin demonstrime gatimi nga shefi Diko Tomçev, një konkurs kulinarie për fëmijë, degustime dhe koncerte.
FOTO: facebook.com/festivalnazhitenatapitka
Me rastin e Ditës Botërore të Bukës dhe Ushqimit (16 tetor), në Strazhicë zhvillohet Festivali i kulaçit të grurit. Festa është frymëzuar nga përralla emblematike “Kulaçi i grurit”, e shkrimtarit Angel Karaliçev, i lindur në Strazhicë.
FOTO: facebook.com/festivalnazhitenatapitka
Këtë vit, në qendër të vëmendjes janë nestinarët dhe vallja e tyre mbi zjarr, ndërsa këngëtarja Mona do të ketë një paraqitje të veçantë të shtunën.
FOTO: BTA
Festa e kungullit organizohet për herë të shtatë në fshatin Dëllboki, në rajonin e Stara Zagorës, në Bullgarinë Jugore. Programi përfshin një konkurs kulinarie, gatime të ndryshme me kungull dhe degustimin e reçelit tradicional raçell, të përgatitur nga kungulli.
FOTO: BTA
Nuk mund ta vizitosh qytetin Radomir, i njohur si Kryeqyteti i bozës në Bullgari, pa provuar këtë pije të ëmbël të fermentuar, karakteristike për Ballkanin. Për herë të njëmbëdhjetë, ky qytet i vogël pranë Sofjes organizon më 17 tetor Ditën e Bozës, me një treg fermerësh dhe një rrugicë të artizanëve.
FOTO: visit.varna.bg
Për dashamirët e verërave bullgare, destinacioni i kësaj fundjave është qyteti i Varnës. Në kryeqytetin detar të vendit zhvillohet “Urban Wine Fest” (16–17 tetor), si pjesë e një serie festivalesh kushtuar verës bullgare dhe Ditës Ndërkombëtare të Mavrudit, që festohet më 26 tetor. Për herë të parë, veprimtaria organizohet në ambient të hapur, në sheshin “Nezavisimost” (Pavarësia), ndërsa theksi vihet te rajoni i verërave të bregdetit verior të Detit të Zi.
Përpiloi: Vesella Krësteva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski