Artikull
Pllovdivi mbledh mbi 1000 garues në cheerleading dhe baton twirling
Shtunë 17 Tetor 2026 08:00
Shtunë, 17 Tetor 2026, 08:00
FOTO: Facebook/ European Cheer League
Madhësia e shkronjave
Mbi 1000 garues nga më shumë se 14 shtete të Evropës, Azisë dhe Afrikës mbërrijnë në Pllovdiv. Më 17 dhe 18 tetor, qyteti nën kodra është mikpritës i Ligës Evropiane të Cheerleading-ut (European Cheer League – ECL, koreografi sportive me pom-pom) dhe Kupës Botërore të Baton Twirling-ut (IBTF World Cup, mjeshtëri sportive me shkop). Të dyja garat, të bashkuara në një forum të madh sportiv, zhvillohen në sallën “Kollodrum”, njoftojnë organizatorët nga Unioni Bullgar i Cheerleading-ut dhe klubi sportiv “Seven Storms” – Pllovdiv, një nga klubet më të suksesshme bullgare në këtë disiplinë.
FOTO: cheerunion.org
Cheerleading-u është një sport që ndërthur koreografinë e vallëzimit, akrobacinë, kërcimet, ekuilibrin dhe performancat e sinkronizuara në grup. Gjatë ushtrimeve ekipore, garuesit realizojnë figura të ndërlikuara, ngritje dhe piramida, ndërsa vlerësohen teknika, koordinimi, shkalla e vështirësisë dhe sinkronizimi.
FOTO: Facebook/ International Baton Twirling Federation
Baton twirling-u ndërthur vallëzimin, elementet e gjimnastikës dhe përdorimin artistik të një shkopi metalik. Garuesit kryejnë rrotullime, hedhje në ajër dhe kapje të shkopit në sinkron me muzikën, duke demonstruar saktësi, kontroll dhe prani skenike.
FOTO: Facebook/ European Cheer League
Liga Evropiane e Cheerleading-ut (European Cheer League – ECL) funksionon aktivisht në këtë format që nga viti 2013/2014, megjithëse strukturat kryesore drejtuese pas saj kanë një histori më të gjatë. Ajo administrohet nga Unioni Evropian i Cheerleading-ut (European Cheer Union – ECU), i themeluar në shtator të vitit 2010 në Paris.
Në Bullgari, këto sporte kanë shënuar përparim të madh gjatë dekadës së fundit, ndërsa në themel të zhvillimit të tyre qëndrojnë pikërisht klubet nga qyteti i Pllovdivit. Unioni Bullgar i Cheerleading-ut u krijua në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 vendi iu bashkua organizatave ndërkombëtare ICU dhe ECU. Po atë vit, Bullgaria mori pjesë për herë të parë në Kampionatin Botëror të Cheerleading-ut në Florida. Në vitin 2023, në vend u organizuan kampionatet e para kombëtare për shkollat dhe universitetet. Po atë vit, Bullgaria ishte mikpritëse e Kampionatit të parë Evropian të NBTA Europe në Baton Twirling. Në fillim të vitit 2024, unioni mori njohjen zyrtare nga Komiteti Olimpik Bullgar dhe aktualisht ka më shumë se 30 klube të certifikuara nga Ministria e Rinisë dhe Sportit. Kampionati i 18-të Botëror i Cheerleading-ut do të zhvillohet nga 21 deri më 23 prill 2027 në Orlando, Florida, SHBA.
Përpiloi: Vesella Krësteva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski