MUZIKË

Artikull

Orkestrat e mandolinave - një traditë 120-vjeçare e kryeqytetit bullgar

Dielë, 18 Tetor 2026, 09:00

Orkestrat e mandolinave - një traditë 120-vjeçare e kryeqytetit bullgar

FOTO: Facebook / Formacionet e mandolinave me dirigjent Pllamen Maslev

Madhësia e shkronjave

Mandolina – një violinë në formë bajameje, e cila e ka zëvendësuar tingullin e ngrohtë të harkut me goditjet e ndritshme të pendës, lindi në epokën e Rilindjes në Itali, ku që në shekullin XVI ishte instrumenti popullor më i dashur. Në shekujt pasues, ajo preferohej nga përfaqësuesit e dashuruar të gjinisë së fortë për serenata romantike nën dritaret e vajzave të bukura. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, mandolina, e cilësuar në mënyrë poetike si “jehona e Mesdheut”, “shpirti i natës italiane”, “bilbili me trup bajameje” ose “shiu i argjendtë i instrumenteve me tela”, ishte jashtëzakonisht e përhapur në të gjithë botën.

Në Bullgari, tradita e orkestrave të mandolinave ekziston prej më shumë se një shekulli. Instrumenti mbërriti në trojet tona që në mesin e shekullit XIX, ndërsa nga fundi i atij shekulli u krijuan ansamblet e para në vend. Orkestra e parë e mandolinave në kryeqytet u krijua në vitin 1906, ndërsa në vitin 1907 u botua edhe libri i parë mësimor për mandolinën.

Orkestrat e mandolinave - një traditë 120-vjeçare e kryeqytetit bullgar

FOTO: Facebook / Kuarteti "Telat e Artë"

Në tetor të vitit 2026, qendra kulturore “Struni” po përgatit një seri veprimtarish për të shënuar 120-vjetorin e ansamblit të parë të mandolinave në Sofje. Projekti përfshin botimin e një monografie me autore Lora Nedjallkova, një ligjëratë nga dirigjenti, mandolinisti dhe lutieri Pllamen Maslev, si dhe një seri koncertesh. Koncerti i parë do të mbahet më 18 tetor, kur kuarteti i mandolinave “Zllatni Struni” do të jetë mysafir në skenën e qendrës kulturore “Bratja Milladinovi – 1917” në Knjazhevo.

Kulmi i festimeve do të jetë koncerti i orkestrës “Prima Visione” në Klubin Qendror Ushtarak në Sofje, më 24 tetor. Në këtë koncert do të interpretohen për herë të parë këngë të krijuara nga Atanas Kovaçev, dirigjenti i orkestrës së parë të mandolinave në kryeqytet, të cilat janë aranzhuar posaçërisht për orkestrën.

Orkestra "Prima Visione"

Orkestra "Prima Visione"

FOTO: Facebook / Qendra Kulturore "Iskra – 1964" në Sofje

Mysafir i veprimtarisë do të jetë kompozitori i njohur grek Nikos Harizanos, i cili ka shkruar posaçërisht për këtë rast një vepër kushtuar Sofjes. Ajo do të interpretohet për herë të parë në botë. Solistë do të jenë baritoni Feodor Katranov, Gjirgina Gjirginova – soprano dhe pedagoge në Akademinë Kombëtare të Muzikës – si dhe studentet e saj Demetra Grigorova dhe Kang Xiaoning. Në koncert do të marrë pjesë edhe kori i fëmijëve VOX ANGELORUM.

Në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, autorja e monografisë “120 vjet orkestrat e mandolinave në Sofje”, Lora Nedjallkova, sqaroi se nismat me rastin e përvjetorit dhe kërkimet mbi historinë e ansambleve kishin filluar që në vitin 2020. Informacioni i gjetur në shtypin periodik dhe në libra është i pakët, prandaj ajo zhvillon edhe intervista me pjesëmarrës që janë ende gjallë:

“Në orkestrën tonë – “Prima Visione” – një pjesë e madhe e anëtarëve janë njerëz mjaft të moshuar, të cilët, që në fëmijëri, kanë filluar të luajnë në orkestrat e mëparshme të mandolinave. Falë tyre, u mblodh një sasi e konsiderueshme materialesh. Ekzistojnë disa botime institucionale, kushtuar orkestrave të veçanta të mandolinave, sepse, siç rezultoi, në shtypin periodik kishte shumë pak informacion. Gjatë viteve vazhdova të grumbulloja të dhëna. Gjëja interesante është se për disa orkestra dimë vetëm nga njerëzit që kanë marrë pjesë në to. Për shembull, Bojko Cvetanov, tenori i njohur, e kishte babanë pjesëtar të një orkestre mandolinash pranë TABSO-s – kompanisë së aviacionit. (TABSO – Shoqëria Bullgaro-Sovjetike e Transportit Ajror – ishte një kompani e mëparshme ajrore në Bullgari, që funksionoi nga viti 1948 deri në vitin 1968 dhe ishte paraardhëse e kompanisë ajrore “Ballkan” – shënim i autores). Nuk ekziston asnjë informacion tjetër për këtë orkestër; vetëm ai na e ka siguruar këtë të dhënë. Kishte edhe orkestra të tjera të tilla, për të cilat mësuam vetëm nga intervistat. Kur fillova të mblidhja dhe të paraqisja materialin, fillimisht duhej të përfundoja punën me burimet. Gjithçka duhej të sistemohej dhe, papritur, rezultoi se ishte grumbulluar një material i jashtëzakonshëm. Kur fillova ta paraqisja, në fund doli se kisha 170 faqe tekst të pastër. Kështu, në fakt, u bë një libër. Prandaj do ta botojmë në versionin e plotë, sepse nuk ka kohë për të humbur – ky informacion po zhduket. Për shembull, botimet periodike të Shtëpisë Kulturore të Punonjësve të Transportit, të cilat datojnë që nga vitet 1930, sot gjenden vetëm në mikrofilma në Bibliotekën Kombëtare. Kjo do të thotë se së shpejti do të zhduken të gjitha burimet që kemi. Prandaj u përpoqa t’i shfrytëzoja të gjitha dhe t’i përfshija në libër, në mënyrë që ky informacion të ruhet. Gjithashtu, nga njerëzit u mblodh një sasi e konsiderueshme fotografish, të cilat madje nuk janë botuar askund. Prandaj, në libër do të vendos sa më shumë fotografi që të jetë e mundur”.

Orkestrat e mandolinave - një traditë 120-vjeçare e kryeqytetit bullgar

FOTO: Muzeu Kombëtar Politeknik

Lora Nedjallkova tregon se si, në fillim të shekullit të kaluar, Atanas Kovaçev, i lindur në vitin 1882 në Pllovdiv, erdhi në Sofje për të studiuar. Ai nuk arriti ta përfundonte gjimnazin për shkak të mungesës së mjeteve financiare dhe filloi të punonte si tipograf. Por, kur në vitin 1905 u hap zyrtarisht Shkolla e Muzikës në Sofje, ai u regjistrua atje.  Sot, në disa burime, vitin 1906 e gjejmë të shënuar si vitin e krijimit të orkestrës së parë të mandolinave, ku ai ishte dirigjent. Ansambli u themelua pranë Partisë Socialdemokrate të Punëtorëve Bullgarë, e cila në atë kohë kishte veprimtari mjaft aktive në Sofje: organizonte mbrëmje argëtuese çdo javë me programe muzikore, koncerte dhe ligjërata. Në vitin 1908, Atanas Kovaçev u nis për në Odesa për të vazhduar studimet muzikore. Pasi përfundoi studimet dhe u bë drejtues bande muzikore, u kthye në Sofje dhe, në vitin 1911, drejtoi për disa muaj orkestrën vendase të tamburave. Më pas filloi Lufta Ballkanike dhe ai u nis për në front.

Orkestra e parë e mandolinave në Sofje, në vitin 1906, me dirigjent Atanas Kovaçev

Orkestra e parë e mandolinave në Sofje, në vitin 1906, me dirigjent Atanas Kovaçev

FOTO: Arkiv

Dirigjenti Pllamen Maslev komenton një fotografi të ruajtur të orkestrës së parë të mandolinave të vitit 1906, ku shohim burra të rinj, të veshur zyrtarisht me kostume koncertesh, të cilët mbajnë në duar të gjithë gamën e instrumenteve të familjes së mandolinave: mandolina pikolo, mandolina, mandola, mandoloncela dhe berdeja – basi i mandolinave. Instrumentet janë të stilit tipik italian: të rrumbullakosura nga pas, në formë dardhe, dhe duket qartë se janë importuar nga jashtë. Për repertorin e këtij ansambli mund të gjykohet nga burime të tërthorta, për shembull, nga biografia e kompozitorit të shquar të brezit të parë, Nikolla Atanasov, autor i simfonisë së parë bullgare. Sipas bashkëbiseduesve tanë, ai është i vetmi kompozitor bullgar që ka shkruar për orkestër mandolinash. Repertori tipik i asaj kohe përbëhej nga pjesë të lehta klasike – valsë, mazurka, polka dhe marshe. Një nga veprat e para të Nikolla Atanasovit ishte pikërisht një mazurka.

Orkestra e mandolinave e Shtëpisë së Kulturës së Sindikatave "Georgi Dimitrov"

Orkestra e mandolinave e Shtëpisë së Kulturës së Sindikatave "Georgi Dimitrov"

FOTO: Facebook / Qendra Kulturore "Iskra – 1964" në Sofje

Ansamblet e mandolinave të krijuara më vonë në kryeqytet nuk ekzistuan për një kohë të gjatë. Gjatë viteve 1930 dhe 1940, Kuarteti i Mandolinave të Sofjes u sillte rregullisht kënaqësi dëgjuesve përmes transmetimeve të drejtpërdrejta në valët e Radio Sofjes. Orkestra më e madhe e mandolinave në Sofje ishte ajo pranë Shtëpisë Sindikale të Kulturës, e cila gjatë viteve arriti të kishte më shumë se 70 anëtarë. Ajo u themelua në vitin 1940 nga Asen Arsov, i cili e drejtoi deri në vitin 1985. Ansambli ishte pjesëmarrës aktiv në jetën kulturore të të gjithë Bullgarisë, performonte në festivale dhe konkurse kombëtare, zhvillonte turne jashtë vendit dhe, gjatë viteve 1970, u vlerësua me medalje ari në konkurse në Hollandë dhe Gjermaninë Perëndimore. Gjatë shekullit XX, në Sofje ekzistuan edhe disa orkestra të tjera amatore të suksesshme të mandolinave.

Një rol të rëndësishëm në ngritjen e këtyre ansambleve në nivel profesional pati Ivan Maslev, i cili filloi të luante kitarë dhe mandolinë që në fëmijëri. Pasi përfundoi Akademinë e Muzikës me specializim në oboe, Maslev punonte si instrumentist në Operën e Sofjes kur, gjatë viteve 1960, themeloi ansamblin “Sofijski Mandolinisti”, me qëllim që të shoqëronte profesionalisht këngëtarët solistë në regjistrimet për kompaninë diskografike Balkanton dhe për Radion Kombëtare Bullgare. Për Radio Bullgarinë, i biri i Ivan Maslevit, Plamen Maslev, kujton:

Pllamen Maslev

Pllamen Maslev

FOTO: Facebook / Formacionet e mandolinave me dirigjent Pllamen Maslev

“Unë isha i vogël kur, gjatë viteve 1970, ai realizoi në Vjenë regjistrime me Nikollaj Gjaurov për kompaninë britanike Decca (Decca Records). Më vonë, në fillim të viteve 1980, realizoi një album të dyfishtë me tenorin Rumen Dojkov – “Këngë italiane”. Patëm një projekt shumë interesant me Boris Hristovin. Fatkeqësisht, ai u sëmur; kjo ndodhi gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Në fund, projektin e realizuam me baritonin Sabin Markov. Pra, këngëtarë vërtet të rëndësishëm në Bullgari, por jo vetëm në Bullgari, por edhe në botë, kanë treguar gjithmonë interes për këtë lloj instrumentesh, sepse ato ofrojnë diçka të ndryshme. Ka edhe muzikë që tingëllon dukshëm më mirë me këto instrumente sesa me një orkestër simfonike. Për shembull, këngët italiane, këngët popullore klasike ruse dhe roman­cat, sigurisht… Madje, më kujtohet se si Boris Hristov më tha se gjatë gjithë jetës kishte dëshiruar t’i regjistronte këto këngë me një orkestër të këtij lloji”.

Orkestrat e mandolinave - një traditë 120-vjeçare e kryeqytetit bullgar

FOTO: Facebook / Formacionet e mandolinave me dirigjent Pllamen Maslev

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski