Autor
Joan Kolev
Lajm
29 bullgare, 29 stuhi që mund të shndërrohen në uraganë
Ellka Ruskova, anëtarja më e re e familjes së “Bullgares së Vitit”
Ljutvije Gençeva u zgjodh “Bullgarja e preferuar e publikut”
Premte 16 Tetor 2026 18:15
Premte, 16 Tetor 2026, 18:15
Ellka Ruskova
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Për të 15-in vit radhazi, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit i akordoi çmimin “Bullgarja e Vitit” një prej dhjetëra grave bullgare që investojnë energji, dije, përkushtim dhe një pjesë të madhe të kohës së tyre personale në kauza të lidhura me ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve të bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën me Bullgarinë.
Për çmimin e këtij viti u nominuan 29 bullgare nga 11 vende. Në një ceremoni të veçantë në sallën “Maksima” të Universitetit të Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore juria ia dha çmimin që mban emrin e Shën Zllata Mëglenska Ellka Ruskovës nga SHBA-ja.
Ajo mori një statujë bronzi dhe një ikonë të shenjtores, mbrojtëses qiellore të bullgarëve jashtë atdheut.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që jam ‘zogu’ më i ri në tufën e fitueseve të këtij çmimi prestigjioz”, ndau znj. Ruskova, duke ia kushtuar vlerësimin shkollave bullgare, organizatave folklorike, bibliotekave, qendrave kulturore (çitalishtet) dhe klubeve kulturore bullgare në SHBA dhe Kanada.
“Për mua “Bullgarja e Vitit” është lidhje, komunikim, urë dhe bashkim me Bullgarinë, përgjegjësi e madhe dhe dashuri. Nuk mund ta përkufizoj këtë moment dhe punën time për vendin me një fjalë të vetme, por është lidhje, urë dhe dashuri për Bullgarinë”, tha ajo me emocion për Radio Bullgarinë menjëherë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve.
Me mbështetjen e Ellka Ruskovës zhvillohen programe dhe formacione të përhershme kulturore, ndër to kori i grave “Zërat Bullgarë” në Siatëll, formacioni folklorik “Siatëll Çeta”, grupi folklorik i fëmijëve “Medena Pitka” dhe rrethi letrar “Gllagollnicata”. Përmes tyre, kultura bullgare nuk mbetet vetëm një kujtim i së kaluarës, por shndërrohet në një përvojë të gjallë që përcillet nga brezi në brez.
Koncertet, shfaqjet teatrore dhe veprimtaritë kulturore të organizuara prej saj në Nju Jork, Çikago, Los Anxhelos, Finiks, San Diego, Las Vegas dhe Siatëll krijojnë ura mes bullgarëve në pjesë të ndryshme të Amerikës dhe prezantojnë pasurinë e shpirtit bullgar para një publiku më të gjerë.
Ellka Ruskova nuk i harron as nxënësit. Me nismën e saj, në “Shkollën e Vogël Bullgare në Çikago” organizohet edhe konkursi i recitimit të poezisë bullgare “Sa i bukur je, o Atdhe im”.
Ellka Ruskova, anëtarja më e re e familjes së “Bullgares së Vitit” - Ellka Ruskova me drejtoreshën e “Shkollës së Vogël Bullgare në Çikago”, Zhivka Buballova-Petrova
FOTO: Joan Kolev
“Për mua është e rëndësishme të vazhdojmë veprimtarinë në mbështetje të organizatave bullgare jashtë vendit. Ato kanë jashtëzakonisht nevojë për këtë mbështetje, pasi janë të angazhuara çdo ditë me arsimimin dhe edukimin e fëmijëve bullgarë jashtë atdheut, gjë që e them nga përvoja ime shumëvjeçare si dëshmitare e këtij procesi. Mendoj se veçanërisht në SHBA duhet të përpiqemi të punojmë së bashku me organizatat bullgare, qendrat kulturore, bibliotekat, ansamblet folklorike, festivalet dhe shkollat bullgare. Ky do të jetë misioni im i ardhshëm bashkues, për të cilin gëzohem dhe shpresoj të kem forcën dhe mbështetjen që kam pasur deri më tani.”
Znj. Ruskova shtoi se me kënaqësi do të mbështesë nismat rreth të cilave do të bashkohen anëtarët e Klubit të sapokrijuar të fitueseve të çmimit “Bullgarja e Vitit – Shën Zllata Mëglenska”.
Me pllaketa për kontribut në promovimin e gjuhës bullgare, folklorit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore jashtë vendit u nderuan Elisaveta Jordanova, themeluese dhe koreografe e ansamblit “Gorana” në Nju Jork; Teodora Mileva, nga drejtuesit e Organizatës Kulturore-Arsimore Bullgare “Kirili dhe Metodi” në Vjenë; Ellka Ruskova, një nga bashkëthemelueset e Qendrës Kulturore Bullgare në Siatëll; si dhe Jana Beliçka, drejtuese dhe koreografe e Ansamblit “Zornica” në Montreal.
FOTO: Joan Kolev
Për të disatin vit radhazi u nda edhe çmimi “Bullgarja e preferuar e publikut”. Ky vlerësim iu akordua Ljutvie Gençeva (Frajburg, Gjermani), krijuese dhe frymëzuese e ansamblit folklorik “Mlladost na Megdana” (“Rinia në Mejdan”).
Ellka Ruskova, anëtarja më e re e familjes së “Bullgares së Vitit” - Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Rajna Manxhukova, i dorëzon Ljutvije Gençevës çmimin “Bullgarja e preferuar e publikut”.
FOTO: BTA
Formacioni bashkon nxënës dhe të rinj bullgarë të moshës 15 deri në 25 vjeç nga Gjermania, Franca, Holanda, Spanja, Anglia dhe Suedia. Ai u krijua spontanisht në fund të edicionit të dhjetë të festivalit “Në mejdanin e Bullgarisë tjetër” në vitin 2025 në Lion, ndërsa sot numëron një seri mbresëlënëse paraqitjesh në vende të ndryshme të Bullgarisë dhe Evropës.
“Nuk guxonim as të ëndërronim për një zhvillim të tillë”, shprehet sinqerisht zonja Gençeva, duke përmendur disa nga takimet e ardhshme të trupës së vallëzimit me publikun: në Londër (24.10), Arbanasi (30.10), në Sofje, në Pallatin Kombëtar të Kulturës (NDK), së bashku me ansamblin “Trakia” (31.10), ndërsa më 7 nëntor do të marrin pjesë në një koncert me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Shoqatës së Ansambleve Folklorike Jashtë Vendit.
Sa i përket çmimit, Ljutvie Gençeva ndau me publikun:
Ellka Ruskova, anëtarja më e re e familjes së “Bullgares së Vitit” - Ljutvije Gençeva me çmimin “Bullgarja e preferuar e publikut
FOTO: Joan Kolev
“Për mua ky vlerësim do të thotë shumë, sepse ‘E preferuara e publikut’ është gruaja për të cilën kanë votuar njerëzit, ndërsa ata votojnë vetëm kur njohin dikë dhe e dinë se çfarë bën. Falënderoj të gjithë ata që më kanë dhënë votën e tyre, sepse këtë vit kishte 29 bullgare të nominuara. Për mua, secila prej tyre është, thënë në mënyrë metaforike, një stuhi në vendin ku jeton, e cila përpiqet, në mënyrën e vet dhe përmes cilësive të saj të forta, të ruajë komunitetin bullgar ose ta udhëheqë atë në një drejtim të caktuar.
FOTO: Joan Kolev
Do të doja shumë që këto gra të kenë mundësinë të bashkohen rreth qëllimeve të përbashkëta, në mënyrë që 29 stuhi të shndërrohen në një uragan.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva