Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
“Një djalë jep ar për një vajzë” – një hit mes këngëve të veçanta shope
Premte 16 Tetor 2026 20:10
Premte, 16 Tetor 2026, 20:10
Kremena Stançeva dhe Vasillka Andonova
FOTO: arkiva
Madhësia e shkronjave
Një djalë i jepte ar një vajze. Ai ofronte, por nëna e tij nuk e lejonte: “Mos jep, biri im, ar për një vajzë! Vajza është një mashtrim i madh, ajo do të të gënjejë!” “Nuk do të më gënjejë, nënë”, – përgjigjej i biri. “Ajo nxjerr ujë nga puset e mia, mbledh lule në kopshtet e mia, byzylyku i saj është në xhepat e mi, ndërsa unaza ime është në dorën e saj të vogël.” E regjistruar në fshatin e vogël Vasillovci, që ndodhet në rajonin e Sofjes, kjo këngë plot zgjuarsi pasqyron në mënyrë të shkëlqyer një nga çështjet më të ndërlikuara të marrëdhënieve familjare e shtëpiake te bullgarët – marrëdhënien midis vjehrrave dhe nuseve. E lindur në Shoplluk, siç quhet rajoni i Bullgarisë së Mesme Perëndimore, kjo këngë është një shembull mjaft karakteristik i njerëzve që e kanë krijuar. Shopët janë njerëz me temperament, këmbëngulës, kokëfortë, mjaft ziliqarë, të njohur për kursimin e tyre dhe shumë konservatorë. Kjo cilësi e fundit ka luajtur një rol pozitiv në ruajtjen e shkëlqyer të kulturës së tyre tradicionale. Përveç kësaj, shopët janë të njohur për sensin e tyre të jashtëzakonshëm të humorit dhe të vetëironisë. Një nga figurat më të ironizuara, jo vetëm në folklorin e tyre, por në folklorin bullgar në përgjithësi, është padyshim vjehrra – një zonjë e urryer, e cila mbetet besnike ndaj karakterit të saj edhe në këngën e njohur “Një djalë jep ar për një vajzë”. Kjo këngë është një shembull i veçantë i stilit arkaik dhe unik të të kënduarit folklorik me dy zëra, karakteristik për rajonin folklorik Shop në Bullgari. Ky stil dallohet për ndërthurjet e tij të ashpra, të mprehta dhe depërtuese të tingujve.
FOTO: YouTube
Ndër interpretueset më mbresëlënëse të diafonisë së famshme të krahinës janë solistet e Ansamblit të Këngëve Popullore të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), Kremena Stançeva dhe Vasillka Andonova. Të lindura në të njëjtin vit, më 1941, të dyja kënduan në duet për më shumë se tri dekada, ndërsa interpretimet e tyre dallohen për shkrirjen e pazakontë të zërave dhe mjeshtërinë e admirueshme. Karizmatike, të buzëqeshura, magjepsëse dhe me zëra shumë të bukur, Kremena dhe Vasillka janë modeli i padiskutueshëm i interpretimit të këngëve me dy zëra të Shopllukut. Interpretimet e tyre bartin frymën e së kaluarës, por tingëllojnë të fuqishme dhe bashkëkohore. Duetet si "Era fryn", "Pushka krisi" dhe "Një djalë jep ar për një vajzë" janë jashtëzakonisht të dashura për breza të tërë bullgarësh. Në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare, këngëtari i njohur i muzikës popullore, studiuesi, producenti dhe gazetari Daniell Spasov, nxënës dhe mik i ngushtë i Kremena Stançevës, kujton interpretimet e drejtpërdrejta të dyshes: "E gjithë hapësira mbushej me tinguj,... Në të vërtetë, ato ishin si zile, si dy kambana që kumbonin. Nuk e di se si e arritën këtë përsosmëri!''
Kremena Stançeva dhe Vasillka Andonova, të quajtura "bilbilat e këngës së Shopllukut", interpretojnë perlën folklorike "Një djalë jep ar për një vajzë", së bashku me Orkestrën e Muzikës Popullore të Radios Kombëtare Bullgare, në aranzhimin mjeshtëror të folkloristit, kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Anastas Naumov, një muzikant me merita të jashtëzakonshme për pasurimin e arkivit të Radios Kombëtare Bullgare me një numër të madh regjistrimesh të muzikës popullore.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello