SHOQËRI

Seksion

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

Bashkatdhetarët që dëshirojnë të kthehen preferojnë të jetojnë jashtë kryeqytetit

Hënë, 19 Tetor 2026, 08:10

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

Madhësia e shkronjave

Çfarë i shtyn bullgarët që jetojnë jashtë vendit të kthehen në atdhe? Çfarë i pengon dhe si ndihen ata që tashmë e kanë bërë këtë hap? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i sjell studimi i parë i thelluar i platformës informative „RiKthim në Bullgari“.

Studimi është kryer me 2 286 bullgarë nga 51 shtete në 6 kontinente. Ai shqyrton aspektet praktike, emocionale dhe sociale të kthimit në atdhe, duke ofruar rekomandime konkrete për bizneset, sektorin civil dhe institucionet.

Katerina (majtas) dhe Anna-Maria Andreeva në Radion Kombëtare Bullgare.

Katerina (majtas) dhe Anna-Maria Andreeva në Radion Kombëtare Bullgare.

FOTO: Vesella Krësteva

„Qëllimi i studimit është të na ndihmojë të kuptojmë se cilat hapa të mëtejshëm duhet të ndërmarrim si organizatë. Deri më tani, kemi zhvilluar një podcast me rrëfime të bullgarëve që janë kthyer në atdhe, kemi organizuar shumë aktivitete, si edhe kemi përgatitur këtë studim dhe një buletin informativ për bullgarët që jetojnë jashtë vendit dhe ata që janë kthyer. Qëllimi i dytë është që raporti të jetë i aksesueshëm për publikun. Duam që njerëzit ta kuptojnë më mirë se si zhvillohet procesi i kthimit dhe nëse ka vërtet bullgarë që jetojnë jashtë vendit dhe dëshirojnë të kthehen“, shpjegon Anna-Maria Andreeva në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Dhe bullgarë të tillë ka, madje gjithnjë e më shumë – 69% e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit planifikojnë (38%) ose po e shqyrtojnë mundësinë (31%) e kthimit në atdhe, tregon studimi i organizatës.

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

Motra Anna-Maria dhe Katerina e kanë përjetuar personalisht këtë rrugëtim, për të cilin do të diskutojnë me pjesëmarrësit në aktivitetin që do të mbahet në Sofje. Të dyja kanë lindur dhe janë rritur në SHBA, në një familje emigrantësh bullgarë. Megjithëse i kishin të gjitha kushtet për të bërë një jetë të mirë në vendin e mundësive të pakufizuara, ato zgjodhën Bullgarinë si shtëpinë e tyre.

Katerina Andreeva

Katerina Andreeva

FOTO: YouTube / Back2Bulgaria podcast

Studimi me titull „Gjendja e rikthimit në Bullgari“ është realizuar përmes një sondazhi online në gjuhën bullgare dhe angleze. Në të kanë marrë pjesë 1 810 bullgarë që jetojnë jashtë vendit dhe 476 bashkatdhetarë që tashmë janë kthyer në Bullgari.

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

FOTO: zavrushtanevbulgaria.com

Çfarë tregojnë rezultatet?

Familja është motivi kryesor që i shtyn bullgarët të kthehen në atdhe. 64% e bullgarëve që jetojnë jashtë vendit e përmendin afërsinë me familjen si arsye personale për t’u kthyer, ndërsa 80% e atyre që janë kthyer thonë se marrëdhëniet familjare dhe mbështetja e familjes janë ndër gjërat që vlerësojnë më shumë në jetën në Bullgari.

„Në sondazh pyetëm gjithashtu se sa të lidhur ndihen me Bullgarinë. Doli se kishte një dallim në përqindje mes njerëzve që jetojnë jashtë vendit dhe atyre që jetojnë në Bullgari, por shumica u përgjigjën se ndihen “mesatarisht të lidhur” ose “shumë të lidhur”, gjë që është interesante. Ndoshta kjo është forca e Bullgarisë: megjithëse ka shumë bullgarë jashtë vendit, ata vazhdojnë të ndihen të lidhur me shtetin dhe kjo i shtyn të interesohen për të dhe për atë që ndodh këtu“, shpjegon Anna-Maria Andreeva. 88% e atyre që janë kthyer kanë hasur vështirësi gjatë procesit të kthimit, por 59% janë të kënaqur me vendimin e tyre dhe do t’ua rekomandonin edhe të tjerëve.

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

FOTO: zavrushtanevbulgaria.com

Pikërisht mungesa e informacionit të sistemuar, të saktë dhe të qartë, madje edhe për procedurat administrative që duhen ndjekur kur merret një vendim i tillë, është një nga problemet më të mëdha të kthimit në Bullgari.

„Si rekomandim për institucionet tona, do të thosha që, para së gjithash, ato duhet të krijojnë lidhje me organizatat joqeveritare, si e jona. Ka shembuj në vende të tjera ku institucionet bashkëpunojnë drejtpërdrejt me OJQ të tilla, sepse ne po bëhemi gjithnjë e më shumë ekspertë n; lidhje me këtë temë dhe për këtë grup të synuar“, thekson Katerina Andreeva. „Një vëzhgim interesant është se shumica e bashkatdhetarëve që dëshirojnë të kthehen preferojnë të jetojnë jashtë kryeqytetit, Sofjes. Rreth 50% e atyre që janë kthyer shprehen se e shohin kuptimplotë të krijojnë diçka këtu. Ata synojnë të angazhohen në punë vullnetare, të bëhen pjesë e proceseve shoqërore në vendin ku jetojnë dhe të krijojnë biznesin e tyre. Ata duan të jenë të dobishëm“, shpjegon Katerina Andreeva.

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

Shqetësimet më të shpeshta të bullgarëve që jetojnë jashtë vendit lidhur me Bullgarinë, të evidentuara në studim, kanë të bëjnë me pasigurinë politike (59%), mundësinë për të ruajtur një standard të mirë jetese me pagat vendase (58%) dhe sistemin e kujdesit shëndetësor (42%).

Çfarë do ta lehtësonte vendimin për t’u kthyer? Sipas raportit, përgjigjet qëndrojnë te kushtet më të mira të punës (67%), ndryshimet reale dhe mundësitë në Bullgari (65%), si dhe një shoqëri më e drejtë dhe më e sigurt (65%).

Pse gjithnjë e më shumë bullgarë zgjedhin të jetojnë në vendin e tyre? A është bërë Bullgaria një vend më i mirë për të jetuar, apo jeta jashtë vendit nuk është aq e bukur sa e imagjinojmë?

„Në sondazh nuk i pyesim pikërisht për këtë, por më tepër për atë që i motivon të dëshirojnë të kthehen në Bullgari. Arsyet kryesore i përmendëm tashmë: familja, natyra, mënyra e jetesës dhe mundësitë për të kontribuar në një mënyrë ose në një tjetër për vendin. Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë njerëz më thonë se ndiejnë se Bullgaria ka nevojë për ta“, thotë Anna-Maria Andreeva.

„Këtu ka shumë fusha me potencial, gjëra që ende nuk janë zhvilluar plotësisht. Ka hapësirë për të krijuar, për të eksperimentuar dhe për të ndërtuar diçka të re.“

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

Që prej vitit 2023, organizata „RiKthim në Bullgari“ përpiqet të krijojë një komunitet njerëzish me të njëjtat ide dhe ta bëjë kthimin në atdhe një proces më të informuar, më të mbështetur dhe më të lidhur me të tjerët.

Si duket rikthimi në Bullgari sot?

FOTO: Facebook /RiKthim në Bullgari

„Sepse mbështetja është gjithmonë e rëndësishme dhe rruga nuk është kurrë vetëm një. Edhe studimi e dëshmon këtë: vetëm 25% e atyre që janë kthyer e përjashtojnë mundësinë e largimit sërish nga vendi, 34% do ta konsideronin mundësinë e të jetuarit jashtë Bullgarisë për shkak të nevojave të familjes, ndërsa 31% do ta bënin këtë nëse do të kishin një mundësi më të mirë profesionale jashtë vendit.“


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello