Aktori Vlladimir Zombori debuton si kantautor me këngën e tij - “Pa ndërprerje”

Martë, 20 Tetor 2026, 10:05

Aktori Vlladimir Zombori debuton si kantautor me këngën e tij - “Pa ndërprerje”

FOTO: YouTube /ZOMBORI

Madhësia e shkronjave

Talenti i aktorit Vlladimir Zombori nuk njeh kufij – nga piktura, te aktrimi e deri te muzika. Ai u regjistrua përmes pikturës në Gjimnazin Kombëtar të Arteve Skenike dhe të Ekranit në Plovdiv, ku u diplomua në degën e Interpretimit Artistik Skenik. Më pas iu përkushtua aktrimit – aplikoi në NATFIZ “Krëstjo Sarafov”, ku u njoh nga afër me bukurinë e artit teatror. Ai këndon prej kohësh, por vetëm për kënaqësinë e tij personale, ndonëse në spektakle televizive muzikore ka mahnitur publikun me aftësinë për të interpretuar hite botërore.

“Të bësh muzikë, të krijosh një vepër muzikore, për mua është diçka vërtet shumë serioze për sa i përket qëllimit dhe drejtimit që merr. Sepse një gjë është të interpretosh këngë të muzikantëve të mëdhenj, të cilët i kanë krijuar tashmë ato – këngët kanë jetën e tyre, njerëzit ndiejnë nostalgji për to dhe i duan. Kështu është më e lehtë. Është e lehtë t’i risjellësh, t’i këndosh – kjo nuk është edhe aq unike. Por të krijosh një këngë tënden, që të mbetet dhe të lërë një gjurmë, kjo është diçka krejt tjetër”, – pranon aktori i njohur.

Vlladimir Zombori

Vlladimir Zombori

FOTO: Facebook /Zombori Official

Vlladimir Zombori e ka menduar prej disa vitesh idenë për të regjistruar një këngë të tijën. Tani kjo ide është bërë realitet, pasi ai ka takuar njerëzit e duhur për ta krijuar atë: Pllamen Dençevin – në tastierë, dhe Aleks Valerievin – në kitarë, me të cilët ndan shije të ngjashme muzikore.Të tre kanë shkruar këngën “Pa ndërprerje”. Në shkrimin e tekstit i ka ndihmuar Preja, ndërsa Borisllav Bojaxhiev – Borçe, është marrë me detajet që i dhanë projektit formën përfundimtare.

Si një person që ka marrë pjesë në procesin e krijimit të veprave në arte skenike të ndryshme dhe në role të ndryshme, Vlladimir Zombori hyn për herë të parë në studio si këngëtar për të regjistruar një këngë të tijën origjinale.

“Doja shumë të krijoja diçka që të buronte tërësisht nga unë, të merrja pjesë aktivisht në çdo komponent të këngës”, – thotë ai. – “Ky ishte synimi im që në fillim. Ndoshta edhe për këtë arsye u vonova, megjithëse çfarë do të thotë vonesa? Ja ku është, tashmë e gjallë, dhe tani ka jetën e saj në duart e publikut.”

Aktori Vlladimir Zombori debuton si kantautor me këngën e tij - “Pa ndërprerje”

FOTO: Facebook /Владимир Зо̀мбори

“Pa ndërprerje”është kënga e parë origjinale e Vlladi Zomborit, por me siguri nuk do të jetë e vetmja – aktori premton edhe të tjera:

“Tani dua t’i jap pak më shumë hapësirë kësaj ane timen që lidhet me muzikën, në mënyrë që të krijoj sa më shumë këngë origjinale dhe të kem edhe këtë lloj takimi me publikun, sepse më pëlqen shumë të takohem me njerëzit sy më sy. Mendoj se kam ende shumë gjëra për t’u treguar dhe rrëfyer.”


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello