SHOQËRI

Artikull

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

Kuzhinieri bullgar ndërthur përvojën profesionale me nismat për ushqim më të qëndrueshëm në spitalet britanike dhe promovon kuzhinën bullgare

Martë, 20 Tetor 2026, 06:54

Nedko Rusev

Nedko Rusev

FOTO: Facebook/ Chef Ned

Madhësia e shkronjave

Rrugëtimi nga Kërxhali drejt kuzhinave ku përgatiten ushqimet për anëtarët e familjes mbretërore britanike kërkon shumë punë, përkushtim dhe këmbëngulje. Kjo është historia e Nedko Rusevit, i njohur si Chef Ned, i cili u largua nga qyteti i tij i lindjes në vitin 1997. Ai zhvilloi aftësitë profesionale në Bullgari, Gjermani dhe Angli, ndërsa sot punon në fushën e ushqimit në spitale dhe në organizimin e shërbimeve të kateringut për veprimtari të mëdha.

 

Hapat e parë i hodhi në Kërxhali

 

Nedko Rusevi mbaroi shkollën e mesme profesionale të gastronomisë në Kërxhali, ku u specializua si kryekuzhinier. Më pas, u nis drejt Plovdivit për të vazhduar arsimin. Siç tregon vetë, përgatitja që mori në qytetin e lindjes i dha një bazë të fortë profesionale, për të cilën u është mirënjohës mësuesve të tij.

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

FOTO: Facebook/ Chef Ned

„Që i vogël, më pëlqen të gatuaj. Kam gatuar për familjen time, për motrën time. Sidomos kur mbeteshim vetëm. Dhe kështu nisi gjithçka.“

 

Kështu e kujton Nedko Rusevi fillimin e interesit të tij për gatimin. Më vonë, punoi për disa vite në Gjermani dhe më pas u vendos në Angli, ku vazhdoi të fitonte përvojë në profesionin e tij. Puna i dha mundësinë të njihte kuzhinierë nga vende të ndryshme, si dhe gatime e mënyra të reja për përgatitjen e ushqimit.

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

FOTO: Facebook/ Chef Ned


Nga kuzhinat e spitaleve te pritjet mbretërore

 

Në Britani, Nedko Rusevi nisi të punonte në përgatitjen e ushqimit për pacientët në spitale. Fillimisht punoi në një spital të njohur, ndërsa më vonë iu dha mundësia të bëhej pjesë e një ekipi që përgatiste ushqim edhe për veprimtari të mëdha. Me kalimin e kohës, puna e çoi deri te përgatitja e ushqimit për personalitete të njohura dhe përfaqësues të politikës dhe jetës publike britanike.

Nedko Rusev pranë Kate Middleton dhe Princit William

Nedko Rusev pranë Kate Middleton dhe Princit William

FOTO: личен архив

Në një intervistë për BNR Kërxhali, Rusevi përmend emra të njohur si Boris Johnson, Theresa May, Anthony Joshua, Anthony Hopkins dhe Stiliyan Petrov. Ai tregon se që nga viti 2023 gatuan edhe për anëtarë të familjes mbretërore britanike dhe se gjatë vitit ekipi i tij shërben në dhjetëra pritje zyrtare. 

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

FOTO: Facebook/ Chef Ned

Rusevi u dallua edhe në konkurse kombëtare të kuzhinës, ku fitoi çmime dhe u rendit ndër më të mirët. Ndër vlerësimet më të rëndësishme është çmimi „Kuzhinieri i Vitit“, që iu dha në vitin 2025 në kuadër të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS). 

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

FOTO: Facebook/ Chef Ned

Proshuta tradicionale bullgare në menutë e spitaleve

 

Një nga nismat me të cilat Nedko Rusevi krenohet është përfshirja në menutë e spitaleve britanike e një specialiteti tradicional bullgar, proshutës së tharë të derrit, e njohur si elenski but, sipas emrit të qytetit të Elenës. Pas negociatave të gjata, ai arriti të fitonte mbështetjen e partnerëve dhe organizatave për këtë nismë. Sipas tij, sot ky produkt shërbehet në më shumë se 50 spitale në Britani. Ndër gatimet që përgatit Rusevi është edhe musakaja sipas recetës bullgare.

 

„Pas një viti negociatash, arrita të përfshij mishin e derrit të tharë sipas traditës së Elenës në menutë e spitaleve. Tani, më shumë se 50 spitale e shërbejnë këtë produkt. Me të përgatis edhe musaka sipas një recete bullgare, e cila është shumë e pëlqyer.“

 

Rusevi shpjegon se kjo nismë lidhet edhe me përpjekjet për një ushqyerje më të qëndrueshme dhe për uljen e emetimeve të karbonit. Ai është pjesë e një programi që nxit përdorimin e produkteve që ndikojnë më pak në mjedis.


Puna e tij nuk kufizohet vetëm te gatimet me mish. Në intervistë, ai flet edhe për menu që lënë gjurmë më të vogël karboni, ku një pjesë të rëndësishme zënë ushqimet me bazë bimore dhe ato vegane. Përgatitja e këtyre gatimeve dhe prezantimi i tyre te pacientët janë pjesë e përpjekjeve të tij për të përmirësuar cilësinë e ushqimit në spitale.

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

FOTO: Facebook/ Chef Ned


Kuzhina bullgare gjen vend në Britani

 

Përveç arritjeve në profesionin e tij, Nedko Rusevi përpiqet të promovojë edhe kuzhinën bullgare. Interesi për gatimet bullgare nuk kufizohet vetëm te musakaja e shijshme që përgatit ai.

 

„Sallatën shopska e hanë pa fund, kështu që mund ta kuptoni vetë se sa shumë e pëlqejnë“, thotë ai.

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

FOTO: Facebook/ Chef Ned

Rusevi merr pjesë edhe në takime profesionale dhe demonstrime gatimi, ku kuzhinierët prezantojnë produkte, receta dhe mënyra të reja të përgatitjes së ushqimit. Sipas tij, kur një kuzhinier prezanton me sukses një gatim, ai mund të zgjojë interesin edhe të profesionistëve të tjerë.

 

Megjithatë, përparësia e tij mbetet përmirësimi i ushqimit në spitale. Ai thekson rëndësinë e punës në grup dhe nevojën që ushqimi të jetë njëkohësisht i përshtatshëm për nevojat e pacientëve dhe mjaftueshëm tërheqës, në mënyrë që ata ta pëlqejnë dhe ta konsumojnë.

Nga Kërxhali te pritjet mbretërore në Britani: rrugëtimi i Nedko Rusevit

FOTO: Facebook/ Chef Ned

Lidhja me qytetin e lindjes mbetet e fortë

 

Edhe pse jeton dhe punon në Angli, Nedko Rusevi nuk i ka humbur lidhjet me Kërxhalin. Ai kthehet në qytetin e lindjes një herë në vit, ku çon vajzat në vendet që i kujtojnë fëmijërinë e tij dhe takohet me miqtë. Historia e tij është një tjetër shembull se suksesi në profesion arrihet me këmbëngulje dhe dëshirën për t'u zhvilluar vazhdimisht. Por, në këtë rrugëtim, një “përbërës” i rëndësishëm mbetet lidhja e fortë me vendin ku i kemi rrënjët tona.

 

Tekst: Ljubomir Kollarov (bazuar në intervistën e Galina Georgievës nga Radio Karxhali)

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova