148 vjet nga lindja e shkencëtarit të shquar

Dr. Stamen Grigorov dhe bakteri që e ktheu kosin bullgar në legjendë

Zbulimi gjatë vitit 1905 tërhoqi vëmendjen e komunitetit shkencor dhe e vendosi Bullgarinë në hartën e mikrobiologjisë botërore

Martë, 27 Tetor 2026, 07:45

Dr. Stamen Grigorov (1878 – 1945)

Dr. Stamen Grigorov (1878 – 1945)

FOTO: nauka.bg

Madhësia e shkronjave

Kosi bullgar nuk është thjesht një ushqim, por një simbol i traditës, shëndetit dhe shijes së veçantë. Ai njihet gjerësisht në mbarë botën për cilësitë e tij të jashtëzakonshme ushqyese dhe shëndetësore, të cilat i detyrohen baktereve specifike të acidit laktik Lactobacillus bulgaricus dhe Streptococcus thermophilus.

Kosi autentik bullgar ka një konsistencë të dendur, homogjene dhe kremoze, me aromë delikate dhe të freskët. Shija e tij është harmonike, këndshëm e thartë dhe freskuese, pa hidhësi apo nota artificiale. Cilësia e mirë e kosit bullgar garantohet nga standardi shtetëror “Kos sipas BDS” (“Kosi sipas Standardit Shtetëror Bullgar”). Ai përcakton kërkesat për produktin, i cili duhet të prodhohet nga qumësht lope, deleje, bualli, dhie ose nga përzierje qumështi, i fermentuar me kultura simbiotike Lactobacillus delbrueckii ssp. bulgaricus dhe Streptococcus thermophilus, të izoluara në Bullgari dhe pa modifikime gjenetike.

Që nga vera e vitit 2023, Kosi Bullgar është regjistruarnë Regjistrin Evropian të Emërtimeve të Mbrojtura të Origjinës.

Dr. Stamen Grigorov dhe bakteri që e ktheu kosin bullgar në legjendë

FOTO: nivabg.com

Historia e kosit bullgar është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e shkencëtarit të shquar bullgar, dr. Stamen Grigorov (27 tetor 1878 - 27 tetor 1945), mikrobiolog që la një gjurmë të qëndrueshme në shkencë me zbulimin e bakterit të kosit bullgar dhe me punën e tij për krijimin e një vaksine kundër tuberkulozit.

Gjatë vitit 1905, vetëm në moshën 27 vjeçe, doktori Stamen Grigorov përshkroi mikroorganizmin acid laktik Lactobacillus bulgaricus i cili provokon tharmëtimin e qumështit.

Bakteri Lactobacillus delbrueckii subsp. bulgaricus

Bakteri Lactobacillus delbrueckii subsp. bulgaricus

FOTO: gbif.org

Stameni ishte fëmija e nëntë nga 12 fëmijët gjithsej të familjes Grigorovi. Dhe asnjeri nuk mendonte, se ky djalë nga fshati Studen Izvor do të mbaronte me nota të shkëlqyeshme shkencat natyrore në Universitetin në Montpellier të Francës. Në sajë të përkrahjes së bullgarëve atdhedashës Stameni shkoi të mësonte mjekësi në Gjenevë. Kureshtja e tij u zbulua nga bakteriologu i njohur, profesor Léon Massol. Ai e vuri para Stamenit për detyrë të studionte florën e kosit bullgar. Në atë kohë laureati i Çmimit Nobel profesor Ilja Meçnikov kërkonte shkaqet për plakjen e organizmit të njeriut dhe për jetëgjatësinë e njerëzve në Evropë. Rezultatet ishin të habitshme. Doli që më shumë njëqindvjeçar kishte në Bullgari. Për fat të keq sot vendi e ka humbur këtë përparësi. Vallë, a nuk fshihet një nga shkaqet në cilësinë e kosit bullgar?

“Për fat të keq, sot shumë nga prodhuesit preferojnë të shfrytëzojnë tharmin më të lirë dhe me cilësi më të ulëta – tregon e bija e shkencëtarit Julija Grigorova. - Natyrisht, cilësitë e tij shijuese janë disi të ndryshme, sepse produktit duhet t’i jepet një pamje tregtare, të jetë i qëndrueshëm me kalimin e kohës dhe të ketë dendësinë e përcaktuar. Ndërsa qumështi i mpiksur në mënyrë shtëpiake nuk e ka këtë dendësi dhe trashësi, por pikërisht ai ndikon shumë mirë në mikroflorën e organizmit. Sa i përket jetëgjatësisë, arsyet nuk qëndrojnë vetëm te konsumimi më i pakët i kosit të vërtetë. Nuk është rastësi që shumë bullgarë në pleqëri tërhiqen për të jetuar në fshat. Atje njeriu e thith ajrin ndryshe."

Dr. Stamen Grigorov dhe bakteri që e ktheu kosin bullgar në legjendë

FOTO: culinarytourism.bg

Një hollësi interesante nga biografia e dr. Grigorovit është se, për shkak të një sërë rrethanash, ai nuk arriti ta regjistronte emrin e tij edhe si krijues i vaksinës kundër tuberkulozit. Kështu, në histori mbetën emrat e francezëve Albert Calmette dhe Camille Guérin si zbulues të kësaj vaksine.

“Para se të kthehej në Bullgari, dr. Grigorov filloi punën mbi qelizat e tuberkulozit dhe i vazhdoi kërkimet e tij si mjek kryesor i Spitalit të Trënit”, tregoi më shumë se një dekadë më parë e afërmja e tij, Julija Grigorova, në një bisedë me reporteren e Radio Bullgarisë, Diana Cankova.

“Në vitin 1906, tre muaj para zbulimit të dy francezëve, ai krijoi vaksinën, por në Bullgari nuk u gjet një institucion i fuqishëm që ta mbështeste. Kështu, popullaritetin e fitoi vaksina tjetër. Madje, drejtuesit më të lartë të mjekësisë në vend nuk u kushtuan vëmendje kërkimeve të tij dhe rezultateve shumë të mira që ai kishte arritur. Kjo e detyroi të shkonte në Milano, ku e zhvilloi dhe e afirmoi më tej vaksinën. Interesante është se ajo nuk shërbente vetëm për parandalim, por edhe për trajtim. Edhe sot shkencëtarët mbështeten kryesisht në të në punën dhe zhvillimet e tyre kërkimore.”

Muzeu i Kosit në fshatin Studen Izvor

Muzeu i Kosit në fshatin Studen Izvor

FOTO: transkotd.org

Sot, në fshatin e lindjes së dr. Stamen Grigorovit, Studen Izvor (7,5 km në jugperëndim të qytetit të Trënit në Bullgarinë Perëndimore), ndodhet Muzeu i Kosit, i vetmi i këtij lloji në vend. Në të, një vend qendror i kushtohet kontributit të shkencëtarit. Vizitorët njihen me procesin e fermentimit dhe me origjinën e cilësive karakteristike të shijes së kosit bullgar.

Dr. Stamen Grigorov dhe bakteri që e ktheu kosin bullgar në legjendë

FOTO: bulgariatravel.org

Në muze janë ekspozuar sende të përdorura në jetën e përditshme për përgatitjen dhe ruajtjen e kosit dhe produkteve të tjera të qumështit. Paraqiten gjithashtu makete dhe objekte që lidhen me prodhimin industrial të kosit, duke ilustruar etapat e përgatitjes së tij dhe rrugën që ndjek deri te konsumatori.

E këta konsumatorë gjenden në mbarë botën. Emri bulgaricus është i pranishëm në ambalazhet e kosit, nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara deri në Japoni.

 

Mësoni më shumë për kosin e famshëm bullgar nga arkivi i Radio Bullgarisë:

 

Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova, Vesella Mançeva