Autor
Krasimir Martinov
Lajm
Bullgaria dhe Sllovakia kanë potencial për partneritet në ekonomi dhe turizëm
Intervistë me ambasadoren e Bullgarisë në Republikën Sllovake, Snezhana Joveva-Dimitrova
Martë 20 Tetor 2026 14:30
Martë, 20 Tetor 2026, 14:30
Snezhana Joveva-Dimitrova para studiuesve në Universitetin „Komenius“
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Bashkëpunimi ekonomik, turizmi dhe shkëmbimi kulturor paraqesin mundësi të konsiderueshme për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Bullgarisë dhe Sllovakisë.
Për forcimin e këtyre lidhjeve punon ekipi i ambasadës bullgare në Bratislavë, duke vënë theksin te promovimi i Bullgarisë si një destinacion tërheqës turistik dhe te krijimi i perspektivave të reja për partneritete dypalëshe në fushën e biznesit.
Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ambasadorja e vendit tonë në Republikën Sllovake, Snezhana Joveva-Dimitrova, thekson mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit në një sërë fushash me perspektivë, nga turizmi dhe industria automobilistike deri te energjia e gjelbër, logjistika dhe teknologjitë e reja.
Intervista u zhvillua gjatë kremtimeve me rastin e 100-vjetorit të studimeve bullgaristike në Universitetin „Komenius“ në Bratislavë. Aktivitetet përfshinin një konferencë shkencore mbi dialogun ndërkulturor bullgaro-sllovak (15–16 tetor 2026), një koncert të kuartetit „Svetogllas“ në Sallën Moyzes të Universitetit „Komenius“ (15 tetor 2026), si dhe dy ekspozita fotografike në atriumin e institucionit të arsimit të lartë, të cilat paraqitnin objekte të trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare, thesaret e lashta të Bullgarisë dhe monumentet e përfshira në listën e UNESCO-s (shtator–tetor 2026).
Snezhana Joveva-Dimitrova në forumin me rastin e 100-vjetorit të studimeve bullgaristike në Sllovaki
FOTO: BNR
„Prandaj, gjatë muajve të fundit, së bashku me Institutin Kulturor Bullgar, realizuam disa projekte në këtë fushë. Për shembull, në Aeroportin Ndërkombëtar të Bratislavës u prezantua një ekspozitë fotografike që promovonte Burgasin si një destinacion tërheqës bregdetar për kulturë dhe pushim. Siç e dini, ekziston edhe një linjë ajrore direkte Bratislavë–Burgas dhe kjo ekspozitë u prit mjaft mirë. Gjatë gjithë verës kemi promovuar edhe Pomorien si një vendpushim turistik, përmes banderolave të vendosura në gardhin e ambasadës sonë, me nismën e Bashkisë së Pomories. Përfaqësuesit e saj do të vizitojnë Bratislavën në shkurt të vitit 2027 dhe do të prezantojnë ofertën e saj të pasur me lloje të ndryshme turizmi.“
Promovimi i Burgasit në aeroportin e Bratislavës
FOTO: facebook.com/BKISBA
Përveç turizmit, potencial i konsiderueshëm për zhvillim ekziston edhe në marrëdhëniet ekonomike me Sllovakinë. Sipas ambasadores bullgare në Bratislavë, mundësitë për partneritet janë premtuese në fusha të tilla si energjia e gjelbër, logjistika, industria automobilistike dhe teknologjitë e reja. Ndër synimet e përfaqësisë diplomatike të Bullgarisë është krijimi i një Dhome Bullgaro-Sllovake të Tregtisë, e cila do të lehtësojë kontaktet ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve dhe do të krijojë kushte për iniciativa të reja të përbashkëta.
Kryeministrat e Bullgarisë, Rumen Radev (majtas), dhe të Sllovakisë, Robert Fico
FOTO: BTA
Një pjesë e rëndësishme e punës së ambasadës bullgare është bashkëpunimi me Institutin Kulturor Bullgar në Bratislavë, i cili në nëntor të këtij viti shënon 55-vjetorin e themelimit të tij. Instituti zë një vend të konsoliduar në jetën kulturore të kryeqytetit sllovak, ndërsa programi i tij përfshin aktivitete dhe partneritete të larmishme.
„Roli dhe vendi i Institutit Kulturor Bullgar janë të rëndësishëm në jetën kulturore të Bratislavës“, thekson për Radio Bullgarinë Snezhana Joveva-Dimitrova. „Drejtoresha e re e tij, Denica Sekuliçka, lë një përshtypje shumë të mirë me nismat dhe pjesëmarrjen e saj në projekte të mëdha. Instituti u përfshi në programin e Trençinit, qytetit evropian të kulturës, me grupin muzikor bullgar „Ethérea“. Po krijohen partneritete edhe në kuadër të Rrjetit Evropian të Instituteve Kombëtare të Kulturës (EUNIC), si dhe përmes pjesëmarrjes në Rrugën Kulturore Evropiane të Shën Kirillit dhe Metodit. Këtë vit, me mbështetjen tonë, dy qytete bullgare, Pllovdivi dhe Burgasi, u pranuan si pjesëmarrës me të drejta të plota në këtë rrugë kulturore. Vetëm pak muaj më vonë, në Pllovdiv u zhvillua edhe një konferencë ndërkombëtare, në të cilën morëm pjesë edhe ne, kushtuar rolit të rrugëve kulturore në zhvillimin dhe ekonomitë lokale.“
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski