Nina, Roza dhe “Nina Roza”

Intervistë me regjisoren Geneviève Dulude-De Celles

Mërkurë, 21 Tetor 2026, 08:00

Intervistë me regjisoren Geneviève Dulude-De Celles

FOTO: Reuters

Madhësia e shkronjave

Një video e bërë e njohur në internet, ku shfaqet një vajzë tetëvjeçare bullgare që merret me pikturë, tërheq vëmendjen e një koleksionisti. Mihailli, nga Montreali (i luajtur nga Galin Stoev), dërgohet për të vlerësuar krijimtarinë e vajzës. Kështu, pas 30 vitesh mungesë, ai detyrohet të kthehet në vendin e tij dhe të përballet me fantazmat e së kaluarës. Ky është përshkrimi i shkurtër i filmit “Nina Roza”, një bashkëprodhim mes Bullgarisë, Kanadasë, Belgjikës dhe Italisë. Filmi, i cili fitoi Ariun e Argjendtë në edicionin e 76-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale), është gjithashtu kandidatura e Kanadasë për çmimin “Oscar”.

Në një intervistë për Radio Bullgarinë, regjisorja dhe skenaristja Geneviève Dulude-De Celles trajton temat kryesore të filmit: lojën e imazheve pasqyruese, identitetin dhe migracionin. Këto tema nuk janë të panjohura për kinematografinë bullgare, por në këtë rast marrin një interpretim të ri, të paraqitur nga një këndvështrim i jashtëm.

Intervistë me regjisoren Geneviève Dulude-De Celles

FOTO: Reuters

Pse Bullgaria?

“Kur isha 21 vjeçe, kalova gjashtë muaj në Evropën Lindore”, përgjigjet regjisorja. “Isha në Rumani, por udhëtova edhe në vende përreth. Më pas, u dashurova me këtë rajon. Më dukej shumë i pasur. Njeriu mund ta lexojë historinë e këtyre vendeve përmes arkitekturës dhe fytyrave të njerëzve, të shohë si gjurmët e komunizmit, ashtu edhe ato të kapitalizmit të egër. Ndërsa në fshatra mund të kesh kontakt të drejtpërdrejtë me një kulturë të lashtë, të cilën njerëzit e ruajnë përmes zejeve, këngëve dhe zakoneve. Ëndërroja të ndërtoja një rrëfim që zhvillohej në Evropën Lindore. Përveç kësaj, atje punova me njerëz që po përgatiteshin të largoheshin drejt Kanadasë, me emigrantë të ardhshëm. Kjo më shtyu të shtroja një pyetje: çfarë do të ndodhë pas shumë vitesh, kur ata të kthehen me mendje pas dhe të reflektojnë për atë që kanë lënë pas dhe për sakrificat që kanë bërë për hir të emigrimit?”

Për të përcjellë ngjyrat dhe veçoritë e jetës vendase, skenari u plotësua dhe u përshtat sipas vendeve të ndryshme ku zhvillohej ngjarja, ndërsa rrëfimi u pasurua përmes bisedave dhe improvizimeve.

“Nga këto improvizime lindën replika dhe shprehje që nuk i njihja”, tregon Geneviève Dulude-De Celles. “Ka një moment kur motra e Mihaillit thërret: “Mos ka kumbulla në gojë?!” Vetëm më vonë kuptova se kjo ishte një shprehje idiomatike bullgare. Unë mendoja se ajo vërtet i kishte përfytyruar kumbullat.”

Skenë nga filmi „Nina Roza“

Skenë nga filmi „Nina Roza“

FOTO: Berlin International Film Festival

Ashtu si në filmat e saj të mëparshëm, Geneviève Dulude-De Celles interesohet për çështjen e identitetit dhe për gjendjen e ndërmjetme të njeriut, të bllokuar mes dy botëve.

“Mendoj se kjo është një çështje komplekse. Unë nuk kam jetuar në emigracion, as prindërit e mi, prandaj reflektoj mbi bazën e rrëfimeve që dëgjoj. Identiteti është kompleks dhe pikërisht kjo e bën çështjen të vështirë. Shpesh, si në rastin e personazhit tonë, Mihaillit, emigrantët thonë: “Nuk jam as krejtësisht bullgar, as krejtësisht kanadez”. Kur bisedoja për këtë personazh me Galin Stoevin, i cili gjithashtu jeton prej vitesh jashtë vendit, ai më thoshte se ndonjëherë ndihet sikur ndodhet në një ashensor të ngecur mes dy kateve. Identiteti është gjithashtu diçka që ndryshon me kalimin e kohës.”

Në nivelin narrativ, por jo vetëm në të, filmi përdor shumë simetri: dy identitete, dy vajza dhe dy Nina.

“Ndërsa shkruaja skenarin, pyesja veten dhe më pyesnin nëse ishte i nevojshëm personazhi i vajzës së Mihaillit. A nuk duhej që rrëfimi të përqendrohej vetëm te Nina, pasi kishte shumë personazhe? Por unë nuk mund t’i ndaja ato. Njëra është pasqyrimi i tjetrës dhe Nina i mundëson Mihaillit të kuptojë më mirë atë që ka përjetuar vajza e tij. Ideja e dyzimit ishte gjithmonë e pranishme, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme. Ajo mishërohet edhe në dy anët, Kanadaja dhe Bullgaria, të cilat përfaqësojnë identitetin e dyfishtë të Mihailit. U argëtuam duke luajtur me pasqyrimet në skenar, gjatë xhirimeve dhe madje edhe në titullin e filmit. Ideja e pasqyrimit, edhe në aspektin grafik, mes emrave Nina dhe Roza, dy fjalë me nga katër shkronja që përputhen me njëra-tjetrën, ilustron idenë e dyzimit.”

Sofija Stanina, Galin Stoev dhe Ekaterina Stanina

Sofija Stanina, Galin Stoev dhe Ekaterina Stanina

FOTO: berlinale.de

Në të vërtetë, rolin e Ninës e luajnë dy aktore, motrat binjake Sofija dhe Ekaterina Stanina, të cilat, sipas regjisores, u zbuluan rastësisht.

“Në fillim nuk mendonim t’i përdornim të dyja. Bëmë disa prova. Më pas kuptuam se secila prej tyre kishte aftësi të mëdha aktrimi, por pikat e tyre të forta ishin të ndryshme dhe plotësonin njëra-tjetrën. Për shembull, njëra i interpretonte shumë mirë momentet e cenueshmërisë, ndërsa tjetra parapëlqente skenat ku shprehej në mënyrë më shpërthyese, shfaqte zemërim dhe bërtiste. Meqenëse Nina, nga njëra anë, është më e rezervuar, ndërsa drejt fundit bëhet më e vendosur, vendosëm t’i përdornim të dyja. Ato interpretojnë të njëjtën Nina, e cila ndryshon gjatë zhvillimit të rrëfimit.”

Nina e dyfishtë mishëron motivin e fëmijës mrekulli, mbi të cilin ndërtohet subjekti i filmit.

“Rastësisht hasa në YouTube një video të një vajze të vogël australiane që merrej me pikturë dhe ekspozitën e saj të parë e kishte hapur kur ishte vetëm dy vjeçe. Ky personazh dhe vetë fenomeni më zgjuan kureshtjen. Lexova për fëmijët mrekulli dhe më pas mësova se, në raste të tilla, duhet të dërgohet një ekspert për të verifikuar vërtetësinë e pikturave. Ndryshe nga rasti i një pianisti jashtëzakonisht të talentuar, ku talenti është i dukshëm, në pikturë njeriu nuk mund ta dijë nëse prindërit nuk kanë manipuluar gjithçka. M’u duk një motiv i mirë për ta dërguar personazhin e Mihaillit në Bullgari.”

Intervistë me regjisoren Geneviève Dulude-De Celles

FOTO: Reuters

Geneviève Dulude-De Celles, e cila e nisi karrierën e saj me filma dokumentarë, flet për dallimet mes xhirimit të një filmi artistik dhe një filmi dokumentar.

“Mjetet janë krejtësisht të ndryshme. Në kinemanë dokumentare ke më shumë liri, sepse punon me një ekip shumë më të vogël, por je e detyruar t’i përshtatesh realitetit. Në filmin artistik nevojiten shumë më tepër mjete dhe ekipi është më i madh. Kjo mund të krijojë edhe kufizime, sepse duhen respektuar disa rregulla. Më pëlqen të mendoj se përvoja ime në kinemanë dokumentare ndikon në mënyrën se si realizoj filma artistikë dhe se puna ime në filmat artistikë ndikon, nga ana tjetër, në krijimtarinë time dokumentare. Kur xhiroj filma dokumentarë, i lejoj vetes të sajoj disa gjëra për të përcjellë emocionin dhe të rregulloj elemente të rrëfimit, në mënyrë që gjithçka të jetë më e qartë për shikuesin. Ndërsa në kinemanë artistike lejoj që shumë elemente të realitetit të përfshihen në film. Në rastin e filmit «Nina Roza», kjo ishte e rëndësishme edhe sepse, duke qenë se nuk jam bullgare, dëshiroja të sigurohesha që filmi të dukej autentik për bullgarët. Në fshatin ku zhvilluam xhirimet, përfshimë banorë të vërtetë të Karlievos. Gratë e moshuara të fshatit morën pjesë në festë. Prandaj, është e rëndësishme të ruajmë këtë autenticitet dhe fleksibilitet, duke i lejuar realitetit të hyjë në film.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski