MUZIKË

Seksion

Kremena Stançeva – zëri i “Misterit”, që bëri të famshëm folklorin e Shopllukut

Më 21 tetor mbushen 85 vjet nga lindja e këngëtares së madhe, e quajtur “Bilbili i këngës shope”

Mërkurë, 21 Tetor 2026, 09:20

Kremena Stançeva

Kremena Stançeva

FOTO: YouTube

Madhësia e shkronjave

Këngëtarja e muzikës popullore Kremena Stançeva (21 tetor 1941 – 8 mars 2013) është një nga personalitetet më të shquara të Ansamblit të Këngëve Popullore të Radios Kombëtare Bullgare (BNR), i njohur më vonë në mbarë botën si “Misteri i Zërave Bullgarë”. Gjatë jetës së saj, ajo u cilësua si “talent i rrallë e i veçantë”, “një zë nga një dimension tjetër” dhe “dhunti hyjnore”.Admirimi për të buronte nga timbri i saj kumbues, i ngrohtë dhe përkëdhelës, nga mjeshtëria e jashtëzakonshme në interpretimin e melodive të ngadalta, si dhe nga zotërimi i përsosur i ornamentikës së veçantë dhe të pasur vokale. Ajo njihej për karakterin e saj gazmor, përzemërsinë dhe dashurinë e pamasë për njerëzit.Megjithëse ishte një soliste e shkëlqyer, Kremena Stançeva mbeti më e njohur për duetin e saj të famshëm me një tjetër këngëtare të “Misterit të Zërave Bullgarë” – Vasillka Andonova. Këto dy bija të talentuara të Bullgarisë Perëndimore u bënë një model i përkryer i interpretimit të këndimit të famshëm dyzërësh të krahinës së Shopllukut – një stil i jashtëzakonshëm: i ashpër dhe arkaik, i mprehtë dhe kumbues, me disonanca të theksuara dhe me një fuqi të jashtëzakonshme shprehëse.

Kremena lindi në një fshat të vogël, fare pranë kryeqytetit, dhe që në fëmijëri e dashuronte këndimin.

Në vitin 2009, në një intervistë të ruajtur në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare, Kremena Stançeva tregonte se në arkivën e BNR-së kishte më shumë se 100 këngë dyzërëshe të Shopllukut të regjistruara së bashku me Vasillka Andonovën. Me krenari, ajo shprehej: “I qëndrova besnike këndimit dyzërësh të Shopllukut.”Të dyja këngëtaret rezultuan një dyshe ideale. Mjeshtëria e tyre në interpretimin autentik të këngëve shope ishte vërtet mahnitëse.

Kremena Stançeva – zëri i “Misterit”, që bëri të famshëm folklorin e Shopllukut

FOTO: arkiva

Kremena ishte e jashtëzakonshme në interpretimin e këngëve të ngadalta, ndër të cilat më të preferuarat e saj ishin këngët e korrjes. Ajo ka interpretuar në skenat e sallave më të mëdha dhe më prestigjioze të botës, por me të njëjtin përkushtim ka kënduar edhe para nxënësve, në qendrat kulturore vendase.Në jetën e përditshme ishte e fortë, pozitive, plot gjallëri, një nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar. Por ndodhi tragjedia më e tmerrshme: vajza e saj 17-vjeçare, Nadja, humbi jetën në një aksident automobilistik. Tronditja ishte e jashtëzakonshme.Këngëtarja e madhe e ndërpreu këndimin dhe më pas solli në jetë një djalë tjetër. Kujdesi për të dhe, më vonë, puna e pandërprerë e ndihmuan ta mbyste dhimbjen.Ajo vazhdoi të këndonte te “Misterii Zërave Bullgarë”, jepte mësim në Universitetin e Ri Bullgar, publikoi një CD dhe drejtoi masterclass-a në Bullgari dhe në SHBA. Shtëpia e saj e vjetër në fshatin e lindjes, Kovaçevci, u shndërrua në një shkollë për talente – për bullgarë dhe të huaj – të cilëve ajo u përcillte bujarisht njohuritë dhe mjeshtërinë e saj.Në intervistën e vitit 2009, ajo rrëfen:

“Kam kaluar shumë momente të vështira në jetë. Përjetova gjënë më të tmerrshme, por kur flasim për vështirësitë, ja çfarë dua të them: del në skenë dhe duhet të shkëputesh për pak nga ajo që të ka ndodhur. Po të bëja një punë tjetër, ajo dhimbje do të më shoqëronte përsëri. Por, kur ngjitesh në skenë, nuk ke të drejtë ta bësh këtë! Ata një mijë, dy mijë apo tre mijë njerëz që janë aty nuk shqetësohen për dhimbjen tënde. Ti ke dalë atje dhe duhet të buzëqesh – kaq! Ndoshta pikërisht kjo më shpëtoi në momentet e vështira. Dhe, mbi të gjitha, puna ime me fëmijët.”

Ajo ka dhënë mësim për folklorin bullgar në disa nga universitetet më prestigjioze amerikane, si Yale University dhe University of Rochester. Me krenari tregonte për masterclass-et në Holandë, si dhe për nxënësit nga Norvegjia dhe Franca.Ndër nxënëset e saj më entuziaste ishin këngëtaret e korit të parë folklorik femëror bullgar në Nju Jork, “Yasna Voices”, të themeluar nga bashkëkombësja jonë Vllada Tomova. Në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë, këngëtarja dhe kompozitorja karizmatike tregon se Kremena Stançeva kishte qenë një mike dhe mentore shumë e afërt dhe e rëndësishme për të. Ato ishin njohur falë Martha Forsyth.Në atë kohë, kori ende i ri “Yasna Voices” kishte aplikuar për një grant, me qëllim që të udhëtonte në Bullgari dhe të mësonte këngë bullgare për më shumë se një javë në fshatin e lindjes së Kremena Stançevës.

Kremena Stançeva – zëri i “Misterit”, që bëri të famshëm folklorin e Shopllukut

FOTO: Facebook/Yasna Voices

“Ishte një njeri shumë emocional, shumë i ngrohtë. I pëlqente të qeshte, të bënte shaka dhe ishte shumë e kujdesshme me të tjerët. Ajo nuk e shfaqte hapur, por arrinte të ndante me ne edhe një pjesë të asaj dhimbjeje të madhe që ishte pjesë e jetës së saj… Për djalin e saj të vogël thoshte se kishte ardhur në jetë si një udhëzim drejt jetës, shpresës dhe lumturisë. Pasi vajza e saj kishte vdekur në aksident, ajo kishte rënë në një depresion të thellë dhe mjeku i kishte thënë: ‘Duhet menjëherë një fëmijë tjetër!’ Kjo e riktheu në jetë… Në fakt, një pjesë e grantit tonë ishte edhe organizimi i një koncerti të përbashkët në Nju Jork, gjë që për ne ishte një nder i jashtëzakonshëm.”Sipas Vllada Tomovës, bullgarët duhet ta kujtojnë Kremena Stançevën:

Kremena Stançeva dhe Vasillka Andonova

Kremena Stançeva dhe Vasillka Andonova

FOTO: arkiva

“Ta kujtojnë për zërin e saj, për dashurinë ndaj këngës shope dhe për faktin se sa njeri i mirë dhe i thjeshtë ishte, pa asnjë mendjemadhësi. Ajo e donte shumë lidhjen me njerëzit dhe të përcillte këngët e saj tek ata. Ta kujtojnë për dashurinë që kishte për të kënduar dhe për t’u mësuar atyre atë që kishte mësuar vetë.”

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello