Autor
Krasimir Martinov
Artikull
Takimi i 21-të Botëror i Mediave Bullgare – Budapest 2026
Rrjetet sociale po i ndryshojnë edhe mediat bullgare jashtë vendit
Bisedë me Evgeni Veselinovin, kryeredaktor i faqes së internetit BulgariCA – SHBA
Mërkurë 21 Tetor 2026 14:30
Mërkurë, 21 Tetor 2026, 14:30
Evgeni Veselinov
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Rrjetet sociale po ndryshojnë mënyrën se si bullgarët jashtë vendit marrin informacion, ndërsa mungesa e mbështetjes së mjaftueshme institucionale vazhdon të jetë një problem serioz për komunitetet jashtë kufijve të vendit.
Këtë koment e bëri kryeredaktori i faqes së internetit BulgariCA nga SHBA-ja, Evgeni Veselinov, në një bisedë me kryeredaktorin e Radio Bullgarisë, Krasimir Martinov.
Evgeni Veselinov ngriti edhe çështje të tjera problematike që kërkojnë vëmendjen e institucioneve bullgare. Ndër to janë numri i pamjaftueshëm i klerikëve në kishat bullgare në Bregun Perëndimor të SHBA-së dhe mungesa e një zone zgjedhore «Jashtë vendit», gjë që i privon bashkatdhetarët tanë jashtë vendit nga përfaqësimi në parlamentin bullgar.
Shkas për këtë bisedë u bë pjesëmarrja e Evgeni Veselinovit në Takimin e 21-të Botëror të Mediave Bullgare, organizuar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) në Budapest. Atje, bullgari solli edhe një ikonë të Shën Joan Shangait, të cilën mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antonij, e shenjtëroi në kishën bullgare.
Evgeni Veselinov – pjesëmarrës në panelin "Mediat dhe udhëheqësit shpirtërorë" në Takimin e 21-të Botëror të Mediave Bullgare
FOTO: BTA
Takimi Botëror i Mediave Bullgare – një mundësi për shkëmbim përvoje dhe bashkëpunim
"Vetë fakti që ky forum zhvillohet prej 21 vitesh është diçka e madhe dhe domethënëse", theksoi në intervistën e tij për Radio Bullgarinë kryeredaktori i BulgariCA, Evgeni Veselinov. Sipas tij, takimi i mediave ishte forumi i parë më serioz i orientuar drejt bullgarëve jashtë vendit. Fillimi i tij në vitin 2005 i parapriu një sërë nismash të mëvonshme në mbështetje të komuniteteve bullgare, përfshirë zhvillimin e financimit nga shteti bullgar të shkollave bullgare jashtë vendit, thekson gazetari. Dhe nuk është rastësi që, pas krijimit të një medie bullgare në Bregun Perëndimor të SHBA-së, ai themeloi edhe një shkollë bullgare atje.
Sipas kryeredaktorit të BulgariCA, forumi në Budapest ka vlerë praktike për pjesëmarrësit, sepse u mundëson jo vetëm të takohen me kolegët, por edhe të shkëmbejnë përvoja, të zbulojnë mundësi të reja bashkëpunimi dhe të njihen me modele të suksesshme nga vende të tjera.
"Vij këtu jo vetëm për të takuar njerëz, por edhe për të bërë diçka konkrete. Së paku, mund të fitosh përvojë dhe të shohësh se si njerëzit e tjerë i bëjnë gjërat në mënyra të ndryshme dhe më të suksesshme", shpjegoi ai.
Si veçanërisht të dobishme, Evgeni Veselinov vlerësoi takimet me përfaqësuesit e mediave kombëtare bullgare, ndër të cilët drejtorët e përgjithshëm të Radios Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT), Milen Mitev dhe Milena Millotinova.
Vëzhgimet e gazetarit tregojnë se mediat e shkruara zënë një pjesë gjithnjë e më të vogël të hapësirës së përgjithshme mediatike, në favor të kanaleve digjitale, të cilat po shndërrohen në burimin kryesor të informacionit.
"Për mua, gjërat u rritën mijëra herë kur hyra në rrjetet sociale", tregoi ai, duke veçuar si përparësi kryesore të platformave të reja shpejtësinë e përhapjes së informacionit dhe mundësinë e reagimit të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm nga përdoruesit. Sipas tij, rrjetet sociale krijojnë ndjesinë e një lidhjeje më të afërt midis audiencës dhe medias, gjë që mund të kontribuojë edhe në ndërtimin e besimit.
Në pyetjen tonë se cilat tema tërheqin interesin më të madh të audiencës së mediave si e tija, Evgeni Veselinov përmendi lajmet për njerëzit që kanë ndërruar jetë dhe thirrjet për ndihmë. Pas tyre renditen publikimet për sukseset e bullgarëve – nga arritjet e fëmijëve dhe artistëve deri te sukseset shkencore e të tjera. Interes ngjallin edhe ngjarjet ekskluzive, për të cilat lexuesit do ta kishin të vështirë të gjenin informacion diku tjetër. Materialet e dobishme për udhëtime, këshillat praktike dhe publikimet që lidhen me festat dhe traditat kishtare kanë gjithashtu një audiencë të qëndrueshme, na tha Evgeni Veselinov.
Sipas tij, një karakteristikë thelbësore e mjedisit bashkëkohor mediatik është mundësia që lexuesit të komentojnë dhe të marrin pjesë në diskutime, gjë që sot ndërmjetësohet kryesisht përmes rrjeteve sociale.
Rrjetet sociale
FOTO: pixabay
Besimi që bashkon Lindjen dhe Perëndimin
Një nga temat e veçanta të bisedës me Evgeni Veselinovin lidhet me ikonën e Shën Joan Shangait, të cilën bashkatdhetari ynë nga SHBA-ja e solli në Budapest me rastin e festës së Shën Joanit të Rillës, mbrojtësit qiellor të Bullgarisë.
Ikona është punuar në një mënyrë të pazakontë – mbi një bazë të rëndë prej druri janë vendosur kristal dhe xham me ngjyra. Ajo peshon afërsisht 40–50 kilogramë dhe ndryshon nga ikonat tradicionale të pikturuara.
Sipas Veselinovit, simbolika e saj lidhet me bashkimin shpirtëror midis Lindjes dhe Perëndimit. "Shën Joani i Rillës është i lidhur me Bullgarinë, ndërsa Shën Joan Shangai me San Franciskon, ku ndodhet varri i tij.
Ideja është se besimi dhe dija janë drita në fund të tunelit. Pavarësisht nëse flasim për Joanin e Rillës apo për Joan Shangain, mesazhi është i njëjtë – paqe, dritë, dashuri dhe besim", shpjegoi ai.
Ikona ka përshkuar rrugën nga Los Anxhelosi, përmes Sofjes, deri në Budapest, ku është shenjtëruar në kishën ortodokse bullgare. Tani pritet të dërgohet në Hagë, gjë që parashikohet të ndodhë më 8 nëntor, me pjesëmarrjen e mitropolitit të Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antonij.
Për Evgeni Veselinovin, udhëtimi i ikonës është një shembull se si besimi mund të bashkojë njerëzit dhe komunitetet përtej kufijve gjeografikë.
Besimi është ruajtur, por kishat mbeten pa priftërinj
Evgeni Veselinov ndau mendimin se bullgarët jashtë vendit vazhdojnë ta ruajnë besimin e tyre, por frekuentimi i kishave ka rënë. Ndër shkaqet e mundshme, ai përmendi mungesën e priftërinjve, e cila vështirëson zhvillimin e rregullt të shërbesave fetare dhe ruajtjen e një jete aktive kishtare.
Ai solli si shembull Los Anxhelosin, ku ekzistojnë tri organizata bullgare me ndërtesat e tyre, dy prej të cilave janë kisha. Megjithatë, në këto kisha nuk ka prani të përhershme të priftërinjve bullgarë, ndërsa shërbesat zhvillohen me mundësi të kufizuara.
Sipas tij, çështja e pranisë shpirtërore në komunitetet bullgare jashtë vendit meriton vëmendje dhe mbështetje institucionale më serioze.
Kisha Ortodokse Bullgare "Shën Klimenti i Ohrit" në Los Anxhelos
FOTO: FB/Consulate General of Bulgaria in Los Angeles
Bullgarët jashtë vendit – pa përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar
Ndërhyrja institucionale nevojitet edhe për çështjen e përfaqësimit politik të bullgarëve jashtë vendit. Sipas kryeredaktorit të BulgariCA, mungesa e një zone të veçantë zgjedhore "Jashtë vendit" i privon ata nga përfaqësimi i drejtpërdrejtë në Asamblenë Kombëtare dhe kontribuon në ndjesinë se problemet e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit mbeten jashtë vëmendjes së agjendës politike të Bullgarisë.
Evgeni Veselinov shprehu pakënaqësinë e tij për shtyrjen e përsëritur të propozimeve për krijimin e një zone të tillë zgjedhore dhe deklaroi se shpërndarja e votave të bullgarëve jashtë vendit në zona të tjera zgjedhore nuk siguron një lidhje të drejtpërdrejtë midis votës së tyre dhe përfaqësimit parlamentar.
Ai theksoi gjithashtu se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje e bullgarëve në SHBA nuk duhet të shihet e shkëputur nga qëndrimi i institucioneve ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.
"Njerëzit thonë: Pse të votoj, kur nuk e di se kush e numëron votën time dhe se si do të përfaqësohet ajo?", komentoi ai.
Si shembull të një qasjeje të ndryshme, Evgeni Veselinov përmendi Hungarinë, ku pakicat kombëtare kanë mundësi të përfaqësohen në parlament përmes një përfaqësuesi që mund të ngrejë çështje dhe të propozojë nisma, megjithëse nuk ka të drejtë vote.
Bullgari nga SHBA-ja e cilësoi Takimin Botëror të Mediave Bullgare si një nga hapësirat e qëndrueshme për bashkëpunim të mirëfilltë midis bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.
"Të gjithë njerëzit këtu gëzohen kur takojnë njëri-tjetrin dhe janë të gatshëm të punojnë së bashku. Ne vazhdojmë të mbajmë kontakte dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin", tha ai.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski