Lajm
Parashikimi i motit për 22 tetorin 2026
Kod i verdhë për reshje të dendura shiu në 6 rajone të Bullgarisë Veriperëndimore
Mërkurë 21 Tetor 2026 19:24
Mërkurë, 21 Tetor 2026, 19:24
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Të enjten gjatë natës, në disa zona të Bullgarisë Perëndimore do të ketë reshje të shkurtra shiu dhe bubullima. Temperaturat minimale do të luhaten nga 8 deri në 13 gradë. Në Sofje pritet të shënohen 10 gradë. Në mëngjes, i gjithë vendi do të jetë i mbuluar nga vranësirat. Kryesisht në rajonet lindore do të ketë vranësira të ulëta, që do të kufizojnë shikueshmërinë.
Gjatë ditës, vranësirat do të shpërndahen përkohësisht, por më pas do të shtohen sërish nga perëndimi dhe në disa zona të Bullgarisë Perëndimore do të ketë reshje shiu. Pasdite dhe gjatë natës së të enjtes duke u gdhirë e premtja, me afrimin e një fronti të ftohtë atmosferik, në shumë zona të vendit priten reshje të dendura dhe me intensitet të lartë. Gjithashtu, do të ketë stuhi me bubullima. Do të vazhdojë të fryjë erë jugore dhe jugperëndimore, mesatare, ndërsa në Bullgarinë Lindore dhe në veri të maleve era do të jetë e fortë. Në rajonet veriperëndimore do të fryjë erë e lehtë, kryesisht nga veriu. Temperaturat maksimale do të luhaten nga 20 deri në 25 gradë. Në kryeqytetin Sofje temperaturat do të arrijnë rreth 19 gradë.
Në pjesën veriore të bregdetit të Detit të Zi mund të ketë reshje të lehta shiu. Pasdite, vranësirat do të shpërndahen dhe në jug do të mbizotërojë moti me diell. Temperaturat maksimale të ajrit do të luhaten nga 18 deri në 23 gradë. Temperatura e ujit të detit do të jetë 17–18 gradë, ndërsa dallgëzimi do të arrijë deri në 2 ballë.
Në zonat malore do të mbajë kryesisht mot me vranësira. Që në orët e paradites, nga perëndimi do të nisin reshje shiu, herë pas here të dendura dhe të shoqëruara me bubullima. Në majat më të larta të maleve Rilla dhe Pirin, shiu do të përzihet me borë. Do të fryjë erë mesatare nga perëndimi dhe jugperëndimi, e cila në disa zona në veri të kreshtave malore do të jetë e fortë. Temperatura maksimale në lartësi 1200 metra do të jetë rreth 15 gradë, ndërsa në lartësi 2000 metra, rreth 9 gradë.
Të premten, një front i ftohtë atmosferik do të kalojë mbi Bullgari. Moti do të jetë kryesisht i vranët dhe në shumë zona do të ketë reshje shiu, të cilat në disa pjesë të Bullgarisë Qendrore dhe Lindore do të jenë të dendura. Era do të ndryshojë drejtimin, duke fryrë nga veriperëndimi, do të forcohet dhe do të sjellë masa ajrore më të ftohta. Temperaturat gjatë ditës do të ulen me 5–6 gradë. Deri në mbrëmje, vranësirat do të fillojnë të shpërndahen nga perëndimi.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova