Lajm
Bullgaria dhe Turqia konfirmojnë angazhimin për sigurinë në Detin e Zi
Enjte 22 Tetor 2026 11:54
Enjte, 22 Tetor 2026, 11:54
FOTO: Këshilli i Ministrave
Madhësia e shkronjave
Bullgaria dhe Turqia do të forcojnë bashkëpunimin dypalësh dhe nismat e përbashkëta me Rumaninë për të garantuar lundrimin e lirë në Detin e Zi. Për këtë u dakorduan gjatë një bisede telefonike kryeministri bullgar Rumen Radev dhe presidenti turk Rexhep Erdogan. Gjatë bisedës, presidenti turk shprehu solidaritetin me Bullgarinë pas sulmeve me dronë ndaj anijeve tregtare në zonën ekskluzive ekonomike bullgare në Detin e Zi. Të dy liderët ranë dakord se propozimi i kryeministrit Radev, i paraqitur në mbledhjen e Këshillit Evropian, për vendosjen e një moratoriumi mbi sulmet ushtarake ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, është një zgjidhje e arsyeshme dhe e mundshme, në interes të të gjitha vendeve.
Gjatë bisedës u diskutuan edhe çështje të tjera të marrëdhënieve dypalëshe, si rritja e kapaciteteve të pikave kufitare dhe përmirësimi i lidhjeve mes dy vendeve, përfshirë edhe përmes mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.
Radev e ftoi Erdoganin të marrë pjesë në samitin e nivelit të lartë që do të mbahet në fillim të vitit 2027 në Sofje, nën egjidën e Komisionit Evropian. Takimi do t'i kushtohet lidhjes së Evropës me Azinë Qendrore.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova