Tregtia mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut pothuajse u dyfishua në 15 vjet

Enjte, 22 Tetor 2026, 12:29

Tregtia mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut pothuajse u dyfishua në 15 vjet

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Me moton „Biznes pa kufij. Rritje përmes suksesit të përbashkët“, Dhoma Ekonomike Maqedono-Bullgare shënoi në Shkup 15-vjetorin e themelimit të saj. Që nga viti 2011, kjo dhomë ekonomike shërben si një urë lidhëse mes bizneseve të dy vendeve, duke krijuar mundësi për kontakte të reja, partneritete, shkëmbime tregtare dhe bashkëpunim ekonomik afatgjatë, raporton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Sot, dhoma bashkon më shumë se 80 anëtarë.

Kryetari i Dhomës Bullgaro-Maqedonase të Tregtisë dhe Industrisë, Atanas Radev, dhe kryetarja e Dhomës Ekonomike Maqedono-Bullgare, Bilyana Miteva

Kryetari i Dhomës Bullgaro-Maqedonase të Tregtisë dhe Industrisë, Atanas Radev, dhe kryetarja e Dhomës Ekonomike Maqedono-Bullgare, Bilyana Miteva

FOTO: BGNES

Sipas të dhënave të Ministrisë bullgare të Ekonomisë, vlera vjetore e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve u rrit nga rreth 712 milionë euro në vitin 2011, në 1,317 miliardë euro në vitin 2025. „Pas këtyre shifrave qëndrojnë kompani, njerëz, ide dhe mundësi konkrete biznesi. Në këtë proces, Dhoma Ekonomike Maqedono-Bullgare luan rolin e saj si një platformë që lidh komunitetet e biznesit, nxit dialogun dhe krijon kushte për partneritete të reja“, u theksua gjatë ceremonisë. Gjatë aktivitetit u shpreh mirënjohje për drejtuesit e deritanishëm të dhomës. Që nga viti 2023, kryetare e saj është Biljana Miteva.

Në ceremoni morën pjesë ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, diplomatë nga përfaqësitë diplomatike bullgare dhe të vendeve të tjera në Shkup, zëvendësministri i ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të biznesit dhe të ftuar të tjerë.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova