Bullgaria dhe Greqia nisin 21 projekte të reja për bashkëpunimin ndërkufitar

Enjte, 22 Tetor 2026, 13:16

Bullgaria dhe Greqia nisin 21 projekte të reja për bashkëpunimin ndërkufitar

FOTO: arkiv

Madhësia e shkronjave

Zëvendësministri grek i ekonomisë dhe financave kombëtare, Nikos Papatanasis, nënshkroi marrëveshjet për 21 projekte të reja, me një vlerë totale prej 33,4 milionë eurosh, në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Interreg VI-A „Greqi – Bullgari 2021–2027“. Projektet e reja ndahen në katër fusha kryesore.

Gjashtë prej tyre, me një buxhet prej 9,7 milionë eurosh, synojnë kalimin drejt një ekonomie të gjelbër dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese. Ato parashikojnë masa për menaxhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore.

Gjashtë projekte të tjera, me vlerë po ashtu 9,7 milionë euro, përqendrohen te mbrojtja e mjedisit dhe ruajtja e biodiversitetit. Aktivitetet përfshijnë mbrojtjen e natyrës, ruajtjen e larmisë së specieve bimore dhe shtazore, krijimin e hapësirave të gjelbra, edhe në zonat urbane, si dhe uljen e ndotjes.

Tri projekte, me një buxhet prej 4,2 milionë eurosh, lidhen me arsimin dhe përfshirjen sociale. Qëllimi kryesor është përmirësimi i mundësive të barabarta për arsim cilësor dhe për të mësuar gjatë gjithë jetës.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova