Muzika, frymëzimi dhe horizonte të reja: Ersin Mustafov nga Jeremy?

Shtunë, 24 Tetor 2026, 11:00

Muzika, frymëzimi dhe horizonte të reja: Ersin Mustafov nga Jeremy?

FOTO: Ani Petrova

Madhësia e shkronjave

Ersin Mustafov njihet nga publiku bullgar si vokalisti dhe frontmeni i grupit Jeremy? — një nga grupet bullgare më të njohura, me një tingull të veçantë, stil karakteristik dhe një prani të fuqishme skenike. Jeremy? ka sjellë një ndryshim në muzikën rock në Bullgari, duke arritur diçka me të cilën mund të mburren pak grupe: të ruajë stilin e vet, ndërkohë që krijon muzikë origjinale të nivelit botëror. Ata janë grupi i parë bullgar që ka fituar çmimin prestigjioz ndërkombëtar People’s Voice Award. Në vitin 2024, grupi fitoi dy çmime të para në klasifikimin BNR Top 20: për këngën që qëndroi më gjatë në vendin e parë të klasifikimit dhe për këngën që mori rezultatin më të lartë nga votat e dëgjuesve. Ata kanë ndarë skenën me emra të mëdhenj të muzikës botërore, si Queen dhe Adam Lambert. Ersin Mustafov dha një intervistë të veçantë për emisionin rinor të Redaksisë Turke të Radios Bullgaria.

Nga Kavarna drejt skenës së madhe

I lindur në Varna, Ersini u rrit në Kavarna, një qytet i njohur si kryeqyteti i rock-ut në Bullgari. Gjatë rinisë së tij, ai merrej edhe me pikturë, por pasioni për muzikën mbizotëroi dhe vendosi t’i përkushtohej asaj plotësisht.

Muzika, frymëzimi dhe horizonte të reja: Ersin Mustafov nga Jeremy?

FOTO: BNR

“Kur mbarova universitetin, e lashë pikturën dhe fillova të merresha vetëm me muzikë. Prej rreth 15 vitesh merrem vetëm me këtë dhe me asgjë tjetër. Fati ka qenë shumë bujar me mua dhe grupin tim.”

Vitet e fundit, Jeremy? ka gëzuar interes të madh, ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme muzikore dhe ka organizuar turnetë e veta.

JEREMY? – Grupi që hapi koncertin e QUEEN – Sofje, 23 qershor 2016

JEREMY? – Grupi që hapi koncertin e QUEEN – Sofje, 23 qershor 2016

FOTO: Facebook /JEREMY?

“Gjatë 15 viteve të fundit arritëm të vizitonim gjysmën e Evropës. Organizuam disa turne të mëdha. Në vitin 2016 patëm fatin të ishim grupi që hapte koncertet e tre koncerteve evropiane të legjendarëve Queen dhe Adam Lambert, në Poloni, Rumani dhe Bullgari”, kujton Ersini.

JEREMY? me Brian May (Queen)

JEREMY? me Brian May (Queen)

FOTO: Facebook /JEREMY?

Tingujt e fëmijërisë dhe magjia e kitarës

Kujtimet e para muzikore të artistit lidhen me televizionin kombëtar dhe, më konkretisht, me muzikën klasike simfonike që transmetohej para fillimit të filmave vizatimorë për fëmijë. Sipas tij, pikërisht kjo muzikë i ka formësuar dëgjimin muzikor, pavarësisht mungesës së një arsimimi muzikor akademik. Megjithatë, kthesa e vërtetë drejt muzikës rock erdhi kur ai dëgjoi për herë të parë tingullin e një kitare akustike në një rrugë të Kavarnës. Dashuria e tij për këtë instrument vazhdon edhe sot.

“Kur dëgjoj tingullin e një kitareje, çfarëdo lloj kitareje qoftë, diçka ndodh brenda meje, diçka që nuk mund ta shpjegoj me fjalë. Thjesht filloj të emocionohem shumë. Më përfshin një frymëzim i jashtëzakonshëm, një eufori.”

Muzika, frymëzimi dhe horizonte të reja: Ersin Mustafov nga Jeremy?

FOTO: Arkivi personal

Të punosh për frymëzimin

Duke reflektuar mbi mënyrën se si lind arti, Ersini tregon se në fillim e nënvlerësonte rolin e frymëzimit, duke menduar se ai nuk ishte faktori kryesor. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe fitimin e përvojës, ai kuptoi se gjërat nuk qëndronin kështu dhe se është e rëndësishme që frymëzimi të të gjejë duke punuar.

“Bëj gjithçka që është e mundur për të punuar sa më shumë. Dhe kur vjen ai moment frymëzimi, ai gjithmonë vjen nga lart, të paktën për mua. Është mirë që në atë moment të kesh një kitarë pranë.”

E vërteta në art dhe fuqia për t’i rezistuar kohës

Me rastin e dhjetëvjetorit të albumit debutues të Jeremy?, Ersini ndan filozofinë e tij për mënyrën se si një këngë mund t’i rezistojë kohës dhe të mbetet aktuale ndër vite.

“Njerëzit duan të dëgjojnë të vërtetën, sepse ajo lidhet me jetën e tyre, me përvojat e tyre dhe me gjërat që u ndodhin. Kur një artist është i sinqertë dhe e rrëfen historinë me ndershmëri dhe hapur, atëherë nuk ka rëndësi sa vjeç është vepra. Kur ajo nuk krijohet thjesht për t’i pëlqyer brezit të sotëm, mund të dëgjohet, lexohet dhe shihet edhe shekuj më vonë.”

Projekti solo dhe horizonte të reja në gjuhën bullgare

Disa vite më parë, paralelisht me punën e tij në Jeremy?, Ersin Mustafov nisi një projekt të pavarur muzikor. Pandemia e vitit 2020 i dha kohën dhe hapësirën e nevojshme për të realizuar dhjetëra ide që i kishte mbledhur ndër vite. Projekti i tij i parë solo mban titullin “Не може вечно да вали” (Nuk mund të bjerë shi përgjithmonë), një metaforë për shpresën gjatë pandemisë. Pas tij erdhi kënga “Любовни утрини” (Mëngjese dashurie), e cila rrëfen një histori personale. Deri në fund të vitit, muzikanti planifikon të publikojë edhe albumin e tij të parë të shkurtër, një EP.

Një aspekt interesant i rrugëtimit të tij solo është zgjedhja për të kënduar në gjuhën bullgare, ndryshe nga këngët e Jeremy?, të cilat janë në anglisht.

“Të kënduarit në anglisht është teknikisht shumë më i lehtë sesa të kënduarit në bullgarisht. Me kalimin e kohës, mësova t’i shkruaj tekstet në mënyrë të tillë që të mos ishin aq të vështira për t’u interpretuar. Nuk ka asgjë të fshehtë apo mistike në zgjedhjen e gjuhës në të cilën këndojmë. Çështja është që njerëzit të na kuptojnë dhe ne të jemi në gjendje të shprehim atë që duam.”

Duke punuar i vetëm në projektin e tij solo, Ersini regjistron vetë shumicën e instrumenteve, megjithëse i mungon dinamika e punës në grup dhe këndvështrimi i ndryshëm që sjellin kolegët e tij të grupit. Pavarësisht sfidave, Ersin Mustafov e sheh të ardhmen me entuziazëm, duke pritur me padurim projektet e reja, albumin e ardhshëm të Jeremy? dhe bashkëpunimet me artistë të tjerë.

“Le të urojmë që të jemi shëndoshë e mirë! Gjithashtu, urojmë që jeta, koha dhe rrethanat të jenë në anën tonë, në mënyrë që të vazhdojmë të bëjmë atë që duam.”

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski