EKONOMI

Artikull

Pse Bullgaria është një vend tërheqës për investime?

Enjte, 22 Tetor 2026, 20:08

Pse Bullgaria është një vend tërheqës për investime?

FOTO: Fotografi e gjeneruar nga inteligjenca artificiale

Madhësia e shkronjave

Fluksi neto i investimeve të huaja direkte në Bullgari është rritur me 100,5% në tetë muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 3,829 miliardë euro. Këto të dhëna paraprake u publikuan nga Banka Kombëtare e Bullgarisë (BNB) dhe mund të rishikohen më vonë. Një pjesë e madhe e këtij fluksi vjen nga fitimet që kompanitë e huaja që operojnë në Bullgari kanë zgjedhur t’i riinvestojnë në vend, në vend që t’i tërheqin. Në tetë muajt e parë të vitit 2026, kjo shumë arriti në 3,095 miliardë euro, krahasuar me 2,816 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Cilat janë avantazhet që e bëjnë Bullgarinë tërheqëse për investitorët e huaj?

Prof. dr. Todor Jallëmov

Prof. dr. Todor Jallëmov

FOTO: Universiteti i Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”

“Nuk do të thosha se anëtarësimi në eurozonë është një faktor që do t’i tërheqë investitorët, por është një avantazh shtesë krahas faktorëve të tjerë, sepse ul kostot e transaksioneve dhe rrezikun nga luhatjet e kursit të këmbimit – thotë për Radio Bullgarinë Prof. dr. Todor Jallëmov, zëvendës dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”.  - Ndër faktorët më të rëndësishëm është sistemi i thjeshtë tatimor. Është e rëndësishme që për të përmbushur detyrimet tatimore të mos keni nevojë të paguani shuma të mëdha parash për konsulentë tatimorë, siç ndodh në shumë vende evropiane, ku për të përfituar nga taksat e ulëta duhet të keni konsulentë të mirë tatimorë.”

Pse Bullgaria është një vend tërheqës për investime?

FOTO: magnific.com

Një tjetër faktor pozitiv, sipas dr. Jallëmov, është norma e ulët e tatimit mbi fitimin e kompanive, e cila është 10%. Shumë investitorë të vegjël e vlerësojnë këtë masë, ndërsa kompanitë e mëdha, me të ardhura vjetore prej 750 milionë eurosh, paguajnë gjithashtu tatim mbi fitimin, por me një normë prej 15%. Edhe kjo normë konsiderohet mjaft e favorshme.

“Një faktor tjetër i rëndësishëm është taksa e sheshtë, si dhe kufijtë e arsyeshëm të të ardhurave mbi të cilat paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në raport me tregun e përbashkët evropian. Kjo do të thotë se, nëse një punëdhënës në Francë ose në Gjermani ka të njëjtat shpenzime për pagat dhe kontributet e punonjësve si një punëdhënës në Bullgari, punonjësi në Bullgari do të marrë një pagë më të lartë neto. Kjo krijon mundësi për të tërhequr më shumë punonjës dhe përbën një avantazh për një kategori të caktuar investitorësh. Ndërsa disa investitorë të tjerë, të cilët erdhën në Bullgari vetëm për shkak të kostos së ulët të punës, filluan të largohen, për shkak të rritjes së pagave” - shpjegon profesori.

Si shembull, ai përmend numrin gjithnjë e më të madh të restoranteve në kryeqytet, të hapura nga italianë, të cilët këtu sigurojnë fitime më të mira sesa do të siguronin nëse do ta nisnin biznesin e tyre në Itali. Pra, faktorët që e bëjnë Bullgarinë tërheqëse për investimet e huaja ndryshojnë në varësi të investitorëve.

Pse Bullgaria është një vend tërheqës për investime?

FOTO: Agjencia Bullgare e Investimeve

“Shumë kompani greke i zhvendosën në Bullgari jo vetëm selitë e tyre juridike, por edhe vetë aktivitetet e prodhimit. Këtë e bënë jo për shkak të kostos më të ulët të punës, por për shkak të stabilitetit financiar. Pra, Bullgaria është një vend tërheqës për investimet e huaja.”

Një tjetër temë e rëndësishme, së cilës i kushtohet shumë pak vëmendje, janë investimet e kompanive bullgare jashtë vendit. Edhe këto investime kanë rëndësi për rritjen e ekonomisë, punësimin dhe konkurrueshmërinë e vendit tonë, sepse është e pamundur të rritesh ekonomikisht pa investuar edhe në vende të tjera.

Pse Bullgaria është një vend tërheqës për investime?

FOTO: forbesbulgaria.com

“Për fat të mirë, ka shumë kompani bullgare që investojnë jashtë vendit, por edhe një pjesë e investimeve të huaja në Bullgari janë, në fakt, investime me kapital bullgar. Nëse shqyrtojmë më nga afër të dhënat për pronësinë e kompanive, do të shohim se disa ndërmarrje që konsiderohen të huaja, në të vërtetë janë bullgare. Ka kompani të teknologjisë financiare që operojnë në mbarë botën, si edhe kompani që tregtojnë naftë dhe vajra, si dhe kompani farmaceutike. Një kompani nga Veliko Tërnovo ka ngritur fabrikën e saj të tekstilit në Florida – sjell si shembull prof. Jallëmov dhe shpjegon: - Ky lloj të mësuari përmes investimeve në tregjet e huaja është jashtëzakonisht i dobishëm për kompanitë e tjera që kanë ndërmarrë ose dëshirojnë të ndërmarrin të njëjtën rrugë.”

Gjithnjë e më e rëndësishme është t’i bëjmë vetes edhe pyetjen e kundërt: çfarë i shtyn kompanitë bullgare të investojnë jashtë vendit? Një nga faktorët kryesorë është tregu, thekson analisti. Në vitet e para pas vitit 1990, kishte investitorë që vinin të investonin në Bullgari, sepse vendi ofronte një treg dhe sepse donin të siguroheshin që në atë treg të mos hynte një kompani tjetër nga i njëjti sektor. Shembuj të tillë gjenden në industrinë ushqimore, në prodhimin e artikujve sanitarë dhe në disa sektorë të shërbimeve.

Kur flasim për investimet, vëmendja përqendrohet gjithnjë e më shpesh edhe te sipërmarrësit e huaj që kanë zgjedhur Bullgarinë për të nisur biznesin e tyre.

Pse Bullgaria është një vend tërheqës për investime?

FOTO: para.expert

“Sipas teorisë tradicionale ekonomike, investimet janë faktori më i rëndësishëm. Megjithatë, sot sipërmarrja duket se ka më shumë rëndësi se vetë investimet, sepse lidhet më shpesh me inovacionin dhe synon të depërtojë në tregje të reja. Pra, nëse arrijmë të tërheqim sipërmarrës që ta themelojnë kompaninë e tyre në Bullgari, kjo mund të jetë më e dobishme dhe më e rëndësishme sesa të tërheqim një investitor të zakonshëm, i cili do të prodhojë një produkt që deri më tani prodhohej në Itali.”

Një shembull në këtë drejtim janë fabrikat italiane të tekstilit, të cilat u zhvendosën në Bullgari. Më vonë, një pjesë e tyre u mbyllën, ndërsa punëtorët mbetën pa mundësi për të fituar aftësi të reja profesionale dhe për t’u përshtatur me një punë tjetër.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, për investitorët në Bullgari nuk ka rëndësi vetëm sistemi tërheqës tatimor, por edhe cilësia e institucioneve dhe mënyra se si funksionon shteti. Pikërisht këta faktorë përcaktojnë se sa gjatë do të qëndrojnë investitorët në Bullgari.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova