POLITIKË

Artikull

Juristi Tonço Kraevski për Radio Bullgarinë:

Koncepti i "unitetit të kombit" është thelbi i institucionit të presidentit

Dielë, 25 Tetor 2026, 08:43

Koncepti i "unitetit të kombit" është thelbi i institucionit të presidentit

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Vetëm pak orë para se të zgjidhet presidenti i ri, i shtati me radhë i Bullgarisë, është mirë të kujtojmë kompetencat e tij dhe rolin që ai luan në arkitekturën e pushtetit shtetëror. Megjithëse vendi është republikë parlamentare dhe shumë njerëz mendojnë se kreu i shtetit ka vetëm funksione përfaqësuese, është e rëndësishme të dihet se ai zgjidhet drejtpërdrejt nga populli bullgar për një mandat pesëvjeçar. Presidenti është komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Bullgarisë dhe përfaqëson vendin në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Zgjedhjet për kreun e shtetit caktohen nga Kuvendi Popullor, ndërsa çifti i sapozgjedhur, president dhe nënpresident, bën betimin para deputetëve tre ditë para përfundimit të mandatit të presidentit dhe nënpresidentit në detyrë.

Kompetencat kryesore të presidentit janë të përcaktuara në Kushtetutën e vendit dhe përfshijnë:

 

·       cakton zgjedhjet për Kuvendin Popullor dhe për organet e vetëqeverisjes vendore;

·       cakton datën e referendumit kombëtar, kur për këtë ka vendim të Kuvendit Popullor;

·       u drejton fjalime dhe mesazhe popullit dhe parlamentit;

·       shpall ligjet ose u vendos veto dhe mund t’i kthejë për rishqyrtim;

·       merr pjesë në procedurën e formimit të qeverisë;

·       emëron përfaqësues diplomatikë dhe nëpunës shtetërorë;

·       jep shtetësi, azil, falje presidenciale dhe shlyen detyrimet shtetërore të pambledhshme;

·       lidh marrëveshje ndërkombëtare në rastet e parashikuara me ligj dhe me propozim të Këshillit të Ministrave;

·       emëron përfaqësuesit e kuotës së tij në një sërë organesh rregullatore.

·       jep dekorata dhe medalje dhe ushtron kompetenca të tjera të përcaktuara shprehimisht nga Kushtetuta dhe ligjet.

Koncepti i "unitetit të kombit" është thelbi i institucionit të presidentit

FOTO: BTA

Kyç është roli i presidentit për miratimin dhe shpalljen e ligjeve në vend. Megjithëse formalisht shumë prej tyre diskutohen dhe votohen në Kuvendin Popullor, pikërisht presidenti ka “fjalën e fundit” dhe firmën, pas së cilës ligji mund të shpallet në Fletoren Zyrtare të Shtetit.

“Në raste të tilla, presidenti rezulton të jetë një figurë politike mjaft e fuqishme, sepse, nëse vendos të veprojë politikisht, pa firmën e tij një sërë emërimesh nga më të rëndësishmet në shtet, përfshirë edhe ato të kryeprokurorit ose të qeverisë, nuk mund të hyjnë në fuqi. Kjo ndodh sepse, që të botohen në Fletoren Zyrtare të Shtetit, ato duhet të nënshkruhen nga kreu i shtetit”, shpjegoi në një intervistë për Radio Bullgarinë juristi Tonço Kraevski. “Kjo e bën pushtetin e tij njëkohësisht simbolik dhe të plotë, sepse pa shpalljen zyrtare, asgjë nuk mund të realizohet.

Koncepti i "unitetit të kombit" është thelbi i institucionit të presidentit

FOTO: Ivan Rusllanov

Një nga kompetencat e rëndësishme të kreut të shtetit, për të cilën flitet më pak, është fakti se ai mishëron unitetin e kombit. Ky koncept është i rëndësishëm për t’u kuptuar, në mënyrë që të kuptohet edhe vetë kuptimi i institucionit të presidentit, thekson Tonço Kraevski.

“Uniteti i kombit nuk është thjesht një kategori estetike apo një lloj uniteti simbolik. Ai është parakushti mbi të cilin mbështetet Kushtetuta e Bullgarisë. Që të ekzistojë një Kushtetutë, duhet të ketë dikush që e ka miratuar atë ligj. Duhet të supozojmë se ekziston një subjekt që e ka miratuar dhe ky është populli bullgar. Ky popull e realizon unitetin e vet përmes institucioneve të tij: Kuvendit të Madh Popullor, Kuvendit Popullor dhe Presidentit. Gjatë pjesës më të madhe të kohës funksionon Kuvendi Popullor, i ndarë në parti, të cilat shumë shpesh nuk arrijnë të gjejnë konsensus mes tyre, siç ka ndodhur jo një herë gjatë viteve të fundit. Kjo i pengon ato të mbrojnë unitetin që presupozon Kushtetuta. Prandaj, uniteti i kombit ndonjëherë nuk mund të garantohet nga parlamenti dhe pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që ai të mishërohet nga një person i vetëm, pa nënkuptuar kjo diktaturë apo autoritarizëm.”

Koncepti i "unitetit të kombit" është thelbi i institucionit të presidentit

FOTO: president.bg

Juristi i cilësoi si konjunkturore dhe të orientuara ndaj figurës së një presidenti konkret ndryshimet e miratuara në vitin 2023 në ligjin themelor të vendit, të cilat kufizojnë kompetencat e kreut të shtetit lidhur me zgjedhjen e kryeministrit të përkohshëm. Këto ndryshime vendosën një listë prej 10 funksionesh shtetërore, nga mbajtësit e të cilave mund të përzgjidhet kryeministri i përkohshëm.

Sipas Tonço Kraevskit, ndryshimet e bëra "e delegjitimojnë procesin dhe rezultatin e tij dhe lënë një përshtypje tejet negative".

Koncepti i "unitetit të kombit" është thelbi i institucionit të presidentit

FOTO: migration.bg

Dhënia e shtetësisë dhe falja presidenciale janë gjithashtu rrjedhojë e idesë së unitetit të kombit, thekson juristi dhe shpjegon:

“Le të marrim shembullin më të qartë nga këto të dyja, dhënien e shtetësisë. Ajo përfaqëson mundësinë për të përcaktuar se kush është pjesë e shoqërisë bullgare, pra e bashkësisë politike bullgare, dhe kush nuk është, pasi shtetësia sjell me vete të drejta politike. Me fjalë të tjera, në këtë mënyrë ne përcaktojmë se kush është njëri prej nesh, kush mund të vendosë së bashku me ne për fatin tonë dhe kush mbetet jashtë.

Po kështu edhe falja presidenciale. Këto janë pikërisht funksione të vjetra të carit. Sot ato ushtrohen nga kreu i shtetit, megjithëse ne kemi zgjedhur një model demokratik, republikan të qeverisjes.”

Në shumë raste, presidenti delegon një pjesë të këtyre kompetencave te zëvendëspresidenti, i cili e ndihmon në përmbushjen e detyrave si dhënia e shtetësisë dhe falja, thekson Kraevski. Sipas tij, figura e zëvendëspresidentit është jashtëzakonisht e rëndësishme për garantimin e sigurisë institucionale dhe vazhdimësisë së pushtetit. Zëvendëspresidenti luan rolin e një "zëvendësuesi", i cili merr vendin e presidentit dhe përfundon mandatin e tij, nëse atij i ndodh diçka.

Koncepti i "unitetit të kombit" është thelbi i institucionit të presidentit

FOTO: BTA

Presidenti i Bullgarisë është gjithashtu komandanti i përgjithshëm suprem i Forcave të Armatosura. Çfarë do të thotë kjo?

"Kjo do të thotë se, në një republikë, fjala e fundit për emërimin e oficerëve ose për marrjen e vendimeve në një situatë ushtarake, madje edhe për përcaktimin nëse një situatë është apo jo ushtarake (sepse kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha kompetencat), duhet t'u takojë autoriteteve civile. Kuvendi Popullor mund të marrë një vendim për çështjen nëse Bullgaria është në luftë apo jo, por ai nuk mund të marrë drejtpërdrejt kontrollin mbi drejtimin ushtarak. Mënyra e vetme për të siguruar një lloj kontrolli civil dhe legjitimimi demokratik mbi veprimet ushtarake, në mënyrë që ato të mos jenë tërësisht në duart e ushtarakëve, është pikërisht kreu i shtetit. Kjo garanci, në fakt, është presidenti” – vë në dukje Kraevski.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva