MUZIKË

Seksion

„Bota është për dy“ – një këngë për dashurinë përtej kohës

Premte, 23 Tetor 2026, 14:15

„Bota është për dy“ – një këngë për dashurinë përtej kohës

FOTO: arkiva

Madhësia e shkronjave

Marija Nejkova është një nga personalitetet më të talentuara dhe më të sinqerta të muzikës bullgare. Këngëtare emocionuese dhe kompozitore me një stil të veçantë, njeri modest, i ndjeshëm dhe delikat, ajo shprehej në intervistat e saj se ishte një person që dilte nga kornizat, nuk i pëlqenin kufizimet dhe, për fat të mirë, nuk ishte prekur nga sëmundja e „yjeve“ (mendjemadhësia që vjen me famën). Karriera e saj nisi me hov në ditëlindjen e saj të 23-të, më 21 dhjetor 1968, me debutimin në sallën „Bullgaria“. Tre vjet më vonë, pikërisht në të njëjtën datë, Marija mbijetoi pas një aksidenti tragjik me avion në aeroportin e Sofjes, ku humbën jetën 30 persona. Nejkova pësoi plagë shumë të rënda dhe rikuperimi i saj zgjati me muaj. Pas 21 dhjetorit 1971, ajo nuk e festoi më kurrë ditëlindjen e saj.

Marija Nejkova dhe Pasha Hristova në programin e Vitit të Ri "Shtegu i Dhisë", në fund të vitit 1971.

Marija Nejkova dhe Pasha Hristova në programin e Vitit të Ri "Shtegu i Dhisë", në fund të vitit 1971.

FOTO: dir.bg

Megjithatë, viti pasues, 1972, ishte shumë i suksesshëm për të. Kënga e saj origjinale „Mirëmbrëma, natën e mirë“ u vlerësua me çmimin special të Unionit të Kompozitorëve në festivalin prestigjioz „Orfeu i Artë“, me motivin: „Për krijimin e një stili të ri kombëtar në muzikën e estradës bullgare“. Më 5 tetor të po atij viti, në ekranet e kinemave doli filmi artistik „Briri i dhisë“, i konsideruar edhe sot si një nga arritjet më të mëdha të kinematografisë bullgare. Muzika e këtij filmi u bë simbol i Marija Nejkovës si kompozitore dhe interpretuese, veçanërisht falë këngës së saj të jashtëzakonshme „Dy vetë“. Brenda një jave, ajo arriti të krijonte disa variante për muzikën e filmit, të regjisorit Metodi Andonov.

Metodi Andonov dhe Dimo Kollarov në sheshxhirimin e filmit ''Briri i Dhisë''.

Metodi Andonov dhe Dimo Kollarov në sheshxhirimin e filmit ''Briri i Dhisë''.

FOTO: arkiva

Melodia e këngës „A ecin dy veta“ e përlot Andonovin dhe ai shprehet prerazi: kjo është muzika e filmit „Briri i dhisë“. Më pas, poeti Bogomill Gudev shkruan tekstin e këngës, e cila sot njihet me titullin „Dy vetë“. Por Marija kishte kompozuar edhe një melodi tjetër të mrekullueshme për atë që shumëkush e cilëson si „filmi më i mirë bullgar i të gjitha kohërave“, „Briri i dhisë“. Titulli „Bota është për dy“ sot është pjesë e kujtesës emocionale të disa brezave bullgarësh, falë mesazhit thellësisht njerëzor: të besojmë se ndarja nuk mund ta fshijë dashurinë e vërtetë. Kështu merr jetë melodia e shoqëruar me tekstin e poetit, shkrimtarit dhe gazetarit të shquar Dimitër Toçev. E refuzuar nga Metodi Andonovi për filmin e tij legjendar, kënga „Bota është për dy“ ndjek rrugën e vet, duke u shndërruar në një nga këngët më të njohura dhe më të dallueshme të muzikës bullgare.

"Bota është për dy" – një këngë për dashurinë përtej kohës – Orlin Goranov

"Bota është për dy" – një këngë për dashurinë përtej kohës – Orlin Goranov

FOTO: arkiva personale

Pothuajse një dekadë pasi kishte kënduar „A ecin dy veta“, Marija Nejkova dëshironte që kënga e saj tjetër, e frymëzuar nga filmi „Briri i dhisë“, të interpretohej nga një zë tjetër. Autori i aranzhimit jashtëzakonisht mbresëlënës, Panajot Sllavçev, propozon këngëtarin e ri dhe karizmatik Orlin Goranov, i cili zotëron një timbër të mrekullueshëm, të butë si kadife. Takimi mes melodisë, tekstit dhe zërit të papërsëritshëm të këngëtarit rezulton të jetë një përputhje e shkëlqyer. Vite më vonë, në një intervistë televizive, Goranov rrëfen për regjistrimin e këngës, i cili u realizua në Studion e Parë të Radios Kombëtare Bullgare në vetëm 55 minuta.

Emocionuese, e natyrshme dhe e çiltër, që nga fillimi i viteve ’80 të shekullit XX e deri më sot, kënga është simbol i lidhjes së përjetshme mes dy të dashuruarve, përtej kohës dhe largësisë. Elementi më mbresëlënës i tekstit është imazhi i lules së pranverës, në të cilën duhet kërkuar dashuria. Ndjenja bëhet pjesë e natyrës - ajo rilind, ndryshon formë dhe vazhdon të ekzistojë edhe pas humbjes. „Bota është për dy“ flet për ndjesinë se jeta merr kuptim kur ndahet me dikë dhe se dashuria lë gjurmë që nuk i nënshtrohen kohës. Ndonjëherë mjafton vetëm një këngë për të na kthyer te gjëja më e rëndësishme - te njeriu pa të cilin bota jonë duket ndryshe.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello