Autor
Diana Cankova
Seksion
Prof. Asoc. Dr. Polina Marinova jep mësim në një qendër botërore në Strasburg
“Kur njeriu është i trishtuar dhe nën stres, i krijon mundësinë kancerit të fillojë të zhvillohet”, thotë specialistja në një intervistë për Radio Bullgarinë
Premte 23 Tetor 2026 08:00
Premte, 23 Tetor 2026, 08:00
FOTO: Universiteti i Mjekësisë në Pleven
Madhësia e shkronjave
Prof. asoc. Polina Marinova është kirurgiae parë bullgare e ftuar për të dhënë mësim në një kurs ndërkombëtar në Strasburg, në një nga qendrat më prestigjioze botërore për trajnim dhe inovacion në kirurgjinë minimalisht invazive dhe atë robotike – Institut de recherche contre les cancers de l'appareil digestif (Instituti i Kërkimeve kundër Kancerit të Aparatit Tretës).
Në IRCAD vlerësohen jo vetëm aftësitë kirurgjikale të mjekes bullgare në fushën e onkologjisë, por mbi të gjitha aftësia e saj për të përcjellë njohuritë dhe përvojën. Ajo u qaset personave që vijnë për t'u trajnuar “me durim dhe me vetëdijen se disa hapa duhet të përsëriten disa herë, derisa kirurgu në trajnim t'i zotërojë plotësisht fazat e operacionit”.
FOTO: Universiteti i Mjekësisë në Pleven
“Në Universitetin e Mjekësisë në Pleven pata mundësinë të trajnoja kirurgë më të rinj”, thotë dr. Polina Marinova. “Me sa duket, kjo përvojë u vu re menjëherë edhe në një mjedis të huaj dhe ndikoi në vendimin e IRCAD-it për të vazhduar bashkëpunimin me mua edhe në të ardhmen. Në këtë mënyrë, kirurgjisë bullgare iu hap rruga drejt Perëndimit.”
Nga çdo trajnim dhe nga takimet me specialistë të njohur, dr. Polina Marinova meson diçka të re, e cila bëhet pjesë e përvojës së saj të ardhshme.“Në një mjedis ndërkombëtar mund të mësosh si nga studentët e tu, ashtu edhe nga profesorët dhe mentorët, përfshirë edhe përmes shkëmbimit kulturor dhe njohjes së traditave”, shton ajo.
“Kirurgjia onkologjike më zgjodhi mua”, beson dr. Polina Marinova. Ajo është mjekja e parë në familjen e saj, ndonëse mjekësia është pjesë e traditës familjare përmes nënës së saj, e cila dikur ka punuar si infermiere. Që në fëmijëri, ajo ëndërronte të bëhej pjesë e një ekipi kirurgjikal. Fillimisht u mor me kirurgjinë hepatobiliare dhe pankreatike, ndërsa prej tre vitesh, prof. Dobromir Dimitrov, në cilësinë e shefit të Klinikës së Kirurgjisë Onkologjike, e ka bën pjesë tëekipit tëtij.
FOTO: Universiteti i Mjekësisë në Pleven
“Kirurgjia onkologjike është ajo degë e specialitetit të kirurgjisë që po përparon jashtëzakonisht shumë, sepse përvetëson teknologjitë robotike”, tregon dr. Polina Marinova. “Kemi arritur shumë në drejtim të zbatimit të tyre në Evropën Lindore – akademiku Grigor Gorçev është pionieri, ndërsa prof. Dimitrov e vazhdon këtë rrugë. Ne, si nxënës të tij, përqafojmë risitë në trajtimin e pacientëve me sëmundje onkologjike. Pikërisht përmes sistemeve robotike vërejmë jo vetëm përparimin teknik, por edhe mënyrën se si pacienti rikuperohet më shpejt, me më pak shenja kirurgjikale dhe gjakderdhje, si dhe me më shumë rehati psikologjike dhe fizike.”
Megjithatë, hapat me të cilët përparon shkenca dhe i shndërron zbulimet e saj në praktikë janë ende larg ditës kur sëmundjet kancerogjene do të bëhen plotësisht të shërueshme. A arrin një mjek t'i lërë në spital ndjesitë e asaj që ndodh në sallën e operacionit dhe peshën e fjalëve që ndonjëherë i duhet t'u thotë pacientëve të tij?
Prof. Asoc. Dr. Polina Marinova
FOTO: Qendra Mjekësore "Exakta Medica"
“Në të vërtetë, lodhja pas një dite pune si kirurge është e madhe, por ne mbartim brenda vetes edhe një barrë emocionale, të cilën është e vështirë ta përballojmë”, përgjigjet dr. Polina Marinova. “Është e pamundur të jemi moralisht dhe emocionalisht indiferentë dhe t’i themi vetes se gjithçka mbetet në punë dhe se, pas përfundimit të ditës së punës, bëhemi njerëz të tjerë. Çdo kirurg i përjeton rastet e pacientëve të tij, veçanërisht kur ata paraqesin probleme më të ndërlikuara, sepse thelbi i këtij profesioni është të ndihmosh, të tregosh dhembshuri, të kuptosh nevojat e njerëzve dhe t’i ndihmosh ata ta kapërcejnë këtë periudhë kritike.”
Mjekja gjen te familja e saj një burim energjie që e ndihmon të vazhdojë përpara. “Shoh se fëmija im e percepton rolin tim sikur të isha një lloj supermeni i vogël që ndihmon dhe shpëton njerëz”, thotë ajo.Fakti që është grua, sipas saj, i shton vlerë profesionit të saj, pasi është më ekujdesshme dhe më endjeshme. Ajo arrin ta dallojë menjëherë ngarkesën emocionale të pacientit, t’u qaset të sëmurëve me përkujdesje amtare dhe madje të sjellë ekuilibër në një botë të dominuar nga burrat.Përveçse kryen operacione, ajo jep mësim në Universitetin e Mjekësisë në Pleven dhe del me ambulancë për t’u ofruar ndihmën e parë banorëve të qytetit.
FOTO: Universiteti i Mjekësisë në Pleven
“Pleveni ka një vend shumë të veçantë në zemrën time”, pranon dr. Polina Marinova. “Ajo që më mban këtu është familja ime dhe, më pas, Universiteti i Mjekësisë. Vetëm këtu kam dëshiruar të studioj mjekësi. Jam krenare që jam diplomuar në këtë universitet dhe tani, si pedagoge, ndihem e përmbushur duke përcjellë përvojën dhe njohuritë e mia te brezat e ardhshëm.”
Dr. Polina Marinova është optimiste për trajtimin e sëmundjeve kancerogjene.
“Duke parë arritjet më të fundit shkencore, mendoj se kirurgjia do të zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga trajtimet në nivel molekular dhe gjenetik”, shprehet ajo. “Pse jo, sëmundjet kancerogjene mund të bëhen të shërueshme edhe me një pilulë ose një vaksinë, ashtu siç nuk e kemi imagjinuar kurrë më parë për sëmundje të tjera. Mendoj se tashmë kemi hyrë në këtë trajektore kohore dhe ndoshta, brenda 20–30 vjetësh, fëmijët tanë do të arrijnë në një pikë kur kirurgjia nuk do të jetë më metoda kryesore e trajtimit.”
FOTO: Universiteti i Mjekësisë në Pleven
Por si mund të mbrohemi nga kjo sëmundje tinëzare dhe çfarë roli luan gjendja jonë psikologjike në shfaqjen e saj?
“Sigurisht që gjendja psikologjike është një nga faktorët kryesorë që ndikon në transformimin kancerogjen”, thotë dr. Polina Marinova. “Kur njeriu është vazhdimisht nën stres, i trishtuar dhe përballet me probleme, kjo ndikon në funksionimin e përgjithshëm të organizmit, dobëson aftësitë mbrojtëse të trupit dhe krijon kushte që sëmundja të fillojë të zhvillohet. Prandaj them se bullgarët duhet të buzëqeshin, të ndihen mirë dhe të krijojnë për veten e tyre kushte për emocione pozitive.”
Ekziston një mesazh i thjeshtë që mund të përhapë shumë energji pozitive: “Bëhu i mirë!” Edhe për të qenë më ishëndetshëm.Dr. Polina Marinova ua thotë këtë jo vetëm fëmijës së saj, por të gjithëve ne:“Le të bëhet mirësia sëmundja ngjitëse që përhapet në shoqërinë tonë!”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello