Premte 23 Tetor 2026 16:10
Premte, 23 Tetor 2026, 16:10
FOTO: EPA/BGNES
Madhësia e shkronjave
Jeta e shtrenjtë dhe arsimi i kushtueshëm nxorën studentët në protesta në Greqi
Në 50 qytete të Greqisë, studentët dhe mësuesit zhvilluan protesta masive dhe paqësore kundër kostos së lartë të jetesës, arsimit të shtrenjtë dhe politikës sociale të qeverisë, raportoi korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare (BNR), Katja Peeva. Në qendrat universitare u ngritën kampe me çadra, ndërsa demonstratave iu bashkuan edhe nxënës dhe prindër.
Në Patra, protestuesit kërkuan ndihmë financiare për qiranë dhe bursa për të gjithë, duke theksuar se qindra studentë me rezultate të shkëlqyera janë të detyruar të ndërpresin studimet për arsye financiare. Studentët në Selanik gjithashtu i bënë thirrje qeverisë që t'i dëgjojë problemet e tyre dhe shprehën solidaritet me të rinjtë protestues në Francë.
Në demonstrata morën pjesë edhe deputetë të opozitës dhe shumë kryetarë bashkish, të cilët mbështetën kërkesat e studentëve.
FOTO: AP/BTA
Protestat në Tiranë po zgjerohen dhe po shtojnë presionin ndaj Edi Ramës
Protestat studentore në Shqipëri kundër tarifave të larta të studimit dhe financimit të pamjaftueshëm të arsimit vazhdojnë prej dhjetë ditësh. Pakënaqësia u shndërrua në demonstrata kundër qeverisë, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tensionet u përhapën edhe në parlament, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren.
Gjatë ditëve të fundit, protestat janë shoqëruar me përplasje me policinë. Demonstruesit hodhën gurë dhe koktej molotovi drejt forcave të rendit, të cilat, nga ana e tyre, përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës.
Në protestat kundër qeverisë u bashkuan edhe pedagogët universitarë, të cilët shpallën bojkotin e mësimit, raportoi Euronews Albania. Rama bëri thirrje për dialog, por studentët e refuzuan atë. Për datën 24 tetor është caktuar një protestë kombëtare në Tiranë. Organizatorët u bëjnë thirrje të marrin pjesë edhe shqiptarëve të diasporës, shkruan balkanweb.com.
Kryeministri i ri i Rumanisë, Luka Nikulesku
FOTO: AP/BTA
Rumania zgjodhi një qeveri të re pas gjashtë muajsh krize politike
Rumania ka një qeveri të re pas gati gjashtë muajsh krize politike. Më 20 tetor, parlamenti miratoi kabinetin e kryeministrit të pavarur Luka Nikulesku me 280 vota, ndërkohë që nevojiteshin 233 vota, shkruan digi24.ro. Qeveria përbëhet nga ministra socialdemokratë dhe të pavarur. Ajo mori mbështetje me synimin për t'i dhënë fund krizës politike në vend edhe nga Partia Nacional-Liberale e ish-kryeministrit në detyrë, Bolozhanit, megjithëse kjo parti mbetet në opozitë.
Qeveria e re merr drejtimin e vendit pas krizës që filloi me tërheqjen e socialdemokratëve nga koalicioni qeverisës dhe që vijoi me votën e suksesshme të mosbesimit në maj kundër qeverisë së Ilie Bolozhanit. Ndër detyrat kryesore të qeverisë së re janë vënia nën kontroll e deficitit buxhetor, përgatitja e buxhetit për vitin 2027 dhe përmirësimi i standardit të jetesës.
Sipas Reuters, Rumania përballet me rrezikun e uljes së vlerësimit të saj të kreditit nëse nuk miraton një buxhet që përfshin masa për kufizimin e deficitit.
Hristijan Mickoski
FOTO: 360stepeni.mk
Shkup: Gazsjellësit e rinj me Greqinë dhe Serbinë forcojnë rolin strategjik të Maqedonisë së Veriut
Maqedonia e Veriut po punon aktivisht për ndërtimin e dy lidhjeve të gazsjellësit me Greqinë dhe Serbinë, të cilat, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, do të rrisin ndjeshëm rëndësinë gjeostrategjike të vendit. Më 16 tetor, ai deklaroi se lidhja me Greqinë pritet të vihet në funksion deri në mesin e vitit 2027, ndërsa ajo me Serbinë deri në fund të vitit 2028, shkruan 360stepeni.mk.
Të dy gazsjellësit do të sigurojnë lidhje më të mira me rrjetin rajonal të gazit dhe do të krijojnë mundësi për investime në prodhimin e energjisë elektrike. Sipas Mickoskit, ato do të mundësojnë gjithashtu modernizimin e termocentraleve me qymyr, duke kaluar në përdorimin e gazit natyror, ndërkohë që do të ruhen vendet e punës. Kompania shtetërore e energjisë ka nisur tashmë bisedimet me Bankën Botërore për një projekt të tillë.
FOTO: trthaber.com
Vizitat e natës në muzetë dhe qytetet antike të Turqisë tërheqin mbi 1 milion turistë
Vizitat gjatë natës në muzetë dhe objektet arkeologjike të Turqisë kanë tërhequr mbi 1,3 milionë vizitorë gjatë periudhës nga 1 qershori deri më 1 tetor, në kuadër të programit "Nata e Muzeve" 2026. Kjo përfaqëson një rritje prej 32% të vizitave të këtij lloji krahasuar me vitin e kaluar, shkruan TRT Haber, duke iu referuar ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy. Nisma u mundëson turistëve të vizitojnë 22 muze dhe objekte arkeologjike të ndriçuara edhe pas perëndimit të diellit, deri në orën 22:00 ose 23:00.
Objekti më i vizituar ishte qyteti antik i Efesit, pranë Izmirit, me mbi 501 mijë vizitorë. Pas tij renditet Kulla e Galatës në Stamboll, me afro 278 mijë vizitorë, dhe qyteti antik i Hierapolisit, pranë Pamukkales, me rreth 191 mijë vizitorë. Për shkak të interesimit të madh, vizitat gjatë natës në Gëreme, në Kapadoki, do të vazhdojnë deri më 31 tetor, ndërsa në Kullën e Galatës do të zhvillohen gjatë gjithë vitit.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski