Autor
Miglena Ivanova
Lajm
Në Bullgari është dita e reflektimit para zgjedhjeve presidenciale
Shtunë 24 Tetor 2026 06:01
Shtunë, 24 Tetor 2026, 06:01
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
24 tetori është dita e reflektimit në Bullgari, një ditë para zgjedhjeve për president dhe nënpresident të vendit, të cilët do të zgjidhen për një mandat pesëvjeçar. Gjatë kësaj dite ndalohet fushata zgjedhore, si dhe publikimi i sondazheve të opinionit lidhur me votimet. Kjo është një mundësi që votuesit të shqyrtojnë me qetësi mesazhet dhe propozimet e kandidatëve përpara se të bëjnë zgjedhjen e tyre.
Gjatë fushatës zgjedhore, vëmendja u përqendrua te roli i presidentit dhe marrëdhëniet e tij me institucionet e tjera shtetërore, lufta në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe vendi i Bullgarisë në BE dhe NATO. U diskutuan gjithashtu siguria në Detin e Zi, rritja e kostos së jetesës, të ardhurat dhe politika buxhetore, si dhe ruajtja e gjuhës bullgare dhe e identitetit kulturor në mesin e komuniteteve bullgare jashtë vendit.
FOTO: BTA
Një numër rekord prej 27 çiftesh kandidatësh konkurrojnë për postet e presidentit dhe nënpresidentit në këto zgjedhje. Ata janë propozuar nga parti politike, koalicione dhe komitete nismëtare.
Megjithëse Bullgaria është republikë parlamentare, presidenti ka një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit. Sipas Kushtetutës, ai mishëron unitetin e kombit, përfaqëson vendin në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Presidenti mund t’i drejtohet popullit dhe parlamentit me mesazhe, si dhe t’i kthejë ligjet për rishqyrtim. Kompetencat e tij përfshijnë gjithashtu çështjet e shtetësisë, azilit dhe faljes së dënimeve.
FOTO: BTA
Presidenti ndihmohet nga nënpresidenti, të cilit mund t’i delegojë një pjesë të kompetencave të tij. Në rrethana të caktuara, të përcaktuara nga Kushtetuta, nënpresidenti merr përsipër detyrën e presidentit.
Për të fituar që në raundin e parë, çifti i kandidatëve duhet të mbledhë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme, ndërsa në zgjedhje duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e zgjedhësve. Nëse këto kushte nuk plotësohen, më 1 nëntor do të zhvillohet raundi i dytë, ku do të përballen dy çiftet e kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova