Bullgaria zgjedh presidentin dhe nënpresidentin

Dielë, 25 Tetor 2026, 07:03

Bullgaria zgjedh presidentin dhe nënpresidentin

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Sot, më 25 tetor, qytetarët bullgarë votojnë për të zgjedhur presidentin dhe nënpresidentin për një mandat pesëvjeçar. Për besimin e zgjedhësve konkurrojnë 27 çifte kandidatësh, të propozuara nga parti politike, koalicione dhe komitete nismëtare.

Deri në shpalljen zyrtare të përfundimit të procesit të votimit, ndalohet fushata zgjedhore, si dhe publikimi i rezultateve të sondazheve të opinionit lidhur me votimin.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtën e votës e kanë rreth 6,59 milionë persona, mes tyre 46 mijë do të votojnë për herë të parë. Qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 20:00.

Në më shumë se tri të katërtat e qendrave të votimit parashikohet votimi me makinë elektronike. Me fletë votimi në letër do të votohet në qendrat ku ka më pak se 300 zgjedhës.

Për bullgarët që jetojnë jashtë vendit janë organizuar 613 qendra votimi në 60 shtete. Numri më i madh i tyre ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar - 82 qendra, në Turqi - 78, dhe në Gjermani - 70. Në 242 qendra votimi jashtë vendit është mundësuar votimi me makinë elektronike.

Për të garantuar transparencën e votimit, është siguruar mbikëqyrje me kamera gjatë numërimit të fletëve të votimit dhe plotësimit të procesverbaleve zgjedhore. Aplikacioni “Izbori 360°” ofron një hartë interaktive të qendrave të votimit, informacion për kandidatët dhe mundësinë e ndjekjes së rezultateve.

Që një çift kandidatësh të zgjidhet që në raundin e parë, duhet të mbledhë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme, ndërsa në votime duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e zgjedhësve. Nëse njëri prej këtyre dy kushteve nuk plotësohet, më 1 nëntor do të zhvillohet raundi i dytë mes dy çifteve të kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova