Autor
Sevda Djukjanxhi
Seksion
Rrugët e jetës takohen në vijën e nisjes: tre histori nga Maratona e Sofjes
Shtunë 24 Tetor 2026 16:10
Shtunë, 24 Tetor 2026, 16:10
FOTO: arkiva personale
Madhësia e shkronjave
Që nga edicioni i parë në vitin 1983 e deri më sot, Maratona e Sofjes është konsoliduar si një nga ngjarjet e rëndësishme sportive të kryeqytetit. Në vitin 2026, ajo mblodhi pjesëmarrës për herë të 43-të dhe tregoi edhe një herë se sporti ka fuqinë t’i afrojë njerëzit përtej kufijve dhe dallimeve mes tyre. Mbi 12 000 pjesëmarrës nga 70 shtete morën pjesë në këtë ngjarje, e cila është shumë më tepër sesa një garë për të arritur një rezultat më të mirë apo një sprovë e aftësive fizike dhe e vullnetit njerëzor. Ajo është një vend takimesh dhe komunikimi, ku njerëz nga vende të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme dhe i përkasin feve të ndryshme, qëndrojnë krah për krah në vijën e nisjes.
FOTO: Radio Bullgaria
Pas vijës së finishit, maratona e jetës vazhdon
Maratona e Sofjes na kujton se sporti nuk është vetëm garë, por edhe një mundësi për të qenë së bashku, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të zbuluar atë që na bashkon si njerëz. Pas përfundimit të garës, maratona e jetës vazhdon – me vështirësitë, sfidat dhe kthesat e papritura. Sevda Djukjanxhi na njeh me tre prej pjesëmarrësve – njerëz nga vende shumë të ndryshme, me interesa të ndryshme, por me një pasion të përbashkët: sportin.
Shivan Ibrahim (në të djathtë)
FOTO: arkiva personale
Shivan Ibrahim: Bullgaria është atdheu im i dytë. E dua shumë!
Shivan Ibrahim mbërrin në Bullgari në vitin 2011, pasi kalon ilegalisht kufijtë nga Siria përmes Turqisë. Për vite me radhë jeton pa status ligjor dhe endet nëpër kampe refugjatësh, derisa, falë vullnetit dhe këmbënguljes së tij, arrin të integrohet dhe të fitojë shtetësinë bullgare. Rruga e vështirë e emigrantit të parregullt tashmë i përket së kaluarës. Tani Shivani vrapon, por, siç shprehet vetë, “në të njëjtën pistë me të gjithë, në një shtet të lirë, me buzëqeshje dhe pozitivitet”.
Sot, refugjati nga Siria është një qytetar krenar bullgar, i realizuar profesionalisht në profesionin e tij dhe baba i dy fëmijëve.
FOTO: arkiva personale
“Ndjesia ishte e jashtëzakonshme – ishim të buzëqeshur, plot energji dhe për ne fitorja nuk ishte të zinin vendin e parë, por të ishim së bashku, të mbështesnim njëri-tjetrin dhe të vraponim së bashku.”
Pikërisht këtu qëndron forca sociale e sportit – në aftësinë për të bashkuar njerëz të moshave, gjinive, kombësive dhe feve të ndryshme.
“Kishte shumë njerëz dhe gjatë gjithë kohës dëgjoje gjuhë të ndryshme, njerëz të të gjitha llojeve. Të gjithë jemi si një trup i vetëm dhe vrapojmë së bashku në këtë pistë. Nuk ka rëndësi kush je, të gjithë si një – të rinj, të moshuar, njerëz në moshë të thyer. Kishte edhe persona me aftësi të kufizuara, si dhe njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore. Më e rëndësishmja është se të gjithë ishim njerëz”, – tregon Shivani, rruga e vështirë e jetës së të cilit ka qenë një sprovë e vërtetë:
“Edhe rruga ime ishte një maratonë, por e një lloji tjetër – e vështirë, me shumë stres dhe dyer të mbyllura për mua. Maratonë ishte edhe ajo jetë në të cilën u largova nga një vend i përfshirë nga lufta, kalova nëpër disa shtete dhe mbërrita te maratona e vërtetë këtu, në Bullgari. Një maratonë e lirë, të cilën e vrapon me dëshirë dhe në liri!” – shprehet burri nga Siria, i cili sot reciton me krenari vargjet me të cilat është rritur çdo bullgar:
“Unë jam bullgar dhe i dua malet tona të gjelbra…!”
“E them gjithmonë këtë dhe jam krenar për këtë gjë. Bullgaria më ka dhënë gjithçka!Në këtë maratonë vrapova i buzëqeshur dhe plot energji, sepse e di që jam në një shtet të lirë, në një vend që më ka dhënë gjithçka. Po të ishte njeri, do ta përqafoja Bullgarinë, do ta puthja në kokë dhe do t’i thosha se jam mirënjohës për gjithçka që më ka dhënë!” – thotë me emocion burri dhe shton:
“Për mua, personalisht, Bullgaria është atdheu im i dytë, si një nënë. E dua shumë Bullgarinë! Mund të them se e dua Bullgarinë më shumë se Sirinë, sepse Bullgaria më ka dhënë më shumë nga sa kisha në Siri. Jam shumë mirënjohës ndaj këtij vendi.”
Shaban Mustafa
FOTO: arkiva personale
Shaban Mustafa – atleti i dytë më i shpejtë bullgar në distancën prej 42 km, me kohën 2:32:40 orë, dhe i 10-ti në renditjen e përgjithshme
Shaban Mustafa, nga fshati Kosten, jeton 300 kilometra larg kryeqytetit bullgar. Ai punon në Bashkinë e Sungurllares, merret me bujqësi dhe kujdeset për pemishten e tij me arra. Mes gjithë këtyre angazhimeve dhe aktiviteteve të ndryshme të përditshme, ai nuk heq dorë nga vrapimi dhe aktiviteti fizik, duke u stërvitur çdo ditë herët në mëngjes dhe në mbrëmje.
FOTO: arkiva personale
“Kam fituar maratonën e zhvilluar në vitin 2012, ku zura vendin e parë. Por rezultatet e mia më të mira i kam arritur në maratonat malore. Një nga maratonat më të rëndësishme malore në botë u zhvillua në vitin 2015. Ajo është ndër maratonat malore më të njohura në botë. Atë vit, në maratonën “Gornergrat Zermatt Marathon ” në Zvicër, arrita vendin e katërt në Kampionatin Botëror të Vrapimit Malor në Distanca të Gjatë.Jam i vetmi atlet bullgar që ka arritur të fitojë maratonën “Jungfrau” në Zvicër, në vitin 2015. Gjithashtu, jam dy herë kampion bote në vrapimin malor, në vitet 2016 dhe 2023.”
Sipas kampionit Mustafa, aktivitetet sportive masive krijojnë mundësi për të motivuar fëmijët dhe të rinjtë. Por cila është rruga nga një fshat i vogël bullgar deri te podiumi i medaljeve?
“Sporti i jep shëndet kujtdo që e praktikon. Ai të mëson disiplinën dhe respektin për të tjerët. Prandaj, sporti është vërtet një pasuri e madhe.Pikërisht për këtë arsye stërvitem dy herë në ditë. Gjëja e parë që bëj në mëngjes është të dal për vrap. Pastaj, pasi mbaroj punën, dal përsëri për të vrapuar.”
Desisllava Pavllova
FOTO: arkiva personale
Desisllava Pavllova: “Jam e lumtur që përmirësova rezultatet e mia personale”
Desisllava Pavllova është një biznesmene nga Sofja, për të cilën sporti është pjesë e pandashme e përditshmërisë. Pjesëmarrja në garën më të madhe sportive të Sofjes është për të një mësim për mbështetjen dhe vullnetin:
“Për mua, vrapimi është shumë më tepër se sport, është një lloj terapie. Është koha kur rigjeneroj energjitë, çlirohem nga tensioni, ndihem e lirë dhe vërtet e lumtur. Këtë vit, Maratona e Sofjes më la mbresa shumë të mira dhe më dhuroi emocione tejet pozitive. Atmosfera është e jashtëzakonshme. Është shumë frymëzuese të shohësh kaq shumë njerëz që dalin nga zona e tyre e rehatisë dhe i dëshmojnë, para së gjithash vetes, se sa shumë janë në gjendje të arrijnë.”
Edhe pse është një garë, maratona është gjithashtu një hapësirë bashkimi.
“Mbështetja mes njerëzve ndihet qartë – ata bëhen më të sjellshëm, më të edukuar dhe më mbështetës”, – thotë Desi, duke u bërë thirrje të gjithëve të gjejnë kohë për sportin. “E rëndësishme është të bësh hapin e parë”, – shprehet nëna e dy fëmijëve, e cila përpiqet t’i motivojë njerëzit e saj të afërt që të merren aktivisht me sport.
Dhe, duke folur për motivimin, do ta përmbyllim me fjalët e Shivan Ibrahim drejtuar të rinjve:
“Të vazhdojnë të ndjekin ëndrrat e tyre, të mos ndalojnë së menduari pozitivisht dhe të ruajnë energjinë. Kur e dëshiron diçka, nuk ka arsye të mos e arrish. Dhe ta duan vendin e tyre! Maratona më dha shumë. Ky ishte gëzimi im i parë!”
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello