Autor
Krasimir Martinov
Lajm
Nëpër gjurmët e “Ahinorës” në Kazanllëk
Si kryevepra e Ivan Milevit nisi një jetë të re
Shtunë 24 Tetor 2026 09:52
Shtunë, 24 Tetor 2026, 09:52
"Ahinora", Ivan Milev, 1925
FOTO: artgallerykazanlak.com
Madhësia e shkronjave
A është e mundur që një pikturë të bëhet simbol i një qyteti të tërë, të frymëzojë vizitorët, të zgjojë kureshtjen e studiuesve, të shfaqet në bizhuteri e madje të përjetësohet si tatuazh në lëkurën e njeriut?
Historia e “Ahinorës”, vepër e krijuar nga piktori Ivan Milev në vitin 1925, dëshmon se kjo është plotësisht e mundur. Mjafton që piktura të ketë vlera të padiskutueshme artistike, siç është pa dyshim rasti i saj, por duhet edhe dikush që ta rrëfejë historinë e saj në një mënyrë të tillë që publiku i sotëm ta ndiejë si të vetën dhe të krijojë një lidhje emocionale me të.
Pikërisht kjo është ideja që qëndron pas muzeut kushtuar “Ahinorës” në qytetin Kazanllëk të Bullgarisë Qendrore. Muzeu lindi nga nevoja për t’i siguruar një strehë të përshtatshme njërës prej veprave më të veçanta të koleksionit artistik të qytetit, që ndodhet në Luginën e Trëndafilave. Kur ekipi i galerisë së qytetit, me drejtorin e saj, dr. Pllamen Petrov, në krye,nisi të kërkonte një vend të përshtatshëm për “Ahinorën”, u përball me një problem serioz: piktura ishte realizuar me bojëra tempera, një teknikë që kërkon kujdes të veçantë në ruajtje dhe kushte të posaçme. Nevoja për ta mbrojtur pikturën lindi një ide të pazakontë: në vend që ajo thjesht të zhvendosej në një hapësirë muzeale më të përshtatshme, t’i kushtohej një muze i tërë.
Kështu, një shtëpi e vjetër, pjesërisht e rrënuar, bëhet pikënisja e një projekti të ri kulturor. Koncepti është i pazakontë: në qendër të muzeut qëndron vetëm një vepër arti. Ajo nuk është thjesht një eksponat mes shumë të tjerëve, por personazhi kryesor i një rrëfimi të tërë, që përfshin krijimin e saj, veçoritë artistike, kontekstin historik dhe rrugëtimin e saj nëpër kohë. Kjo qasje ndryshon edhe rolin e vizitorit, i cili hyn në muze jo vetëm për të parë një pikturë, por edhe për të zbuluar lidhjen mes artit, letërsisë, historisë personale të piktorit dhe kujtesës së qytetit.
Pllamen Petrov rrëfen “Ahinorën”
FOTO: BNR
„Ivan Milev lindi në Kazanllëk në vitin 1897 dhe, gjatë jetës së tij gati 30-vjeçare, krijoi 200–250 vepra arti. Pjesa më e madhe e tyre ruhet në galerinë e artit të qytetit të tij të lindjes” - na njeh me historinë e piktorit dr. Pllamen Petrov.
Prej tij mësojmë gjithashtu se Ivan Milev shfaqi prirje për vizatim që në moshë të hershme, ndërsa rrugëtimi i tij artistik mbarti gjurmët e ambicies, ndjeshmërisë dhe karakterit të tij të fortë.Jeta e Ivan Milevit nuk ishte pa vështirësi. Zhgënjimet personale, konfliktet profesionale dhe tensionet mes krijuesit dhe mjedisit ku jetonte i dhanë historisë së tij një ngjyrim edhe më dramatik, që mbeti pjesë e trashëgimisë së tij.
Historia e muzeut “Ahinora” ndërthuret me atë të shtëpisë së familjes Stançovi në Kazanllëk. Sipas rrëfimit të dr. Pllamen Petrov, në një periudhë të vështirë të jetës së tij, piktori Ivan Milev iu drejtua kësaj familjeje për ndihmë:
“Një mbrëmje të ftohtë nëntori të vitit 1917, pak pasi ishte kthyer nga fronti, Ivan Milev trokiti në derën e kësaj shtëpie për të kërkuar ilaçe. Familja Stançovi ishte ndër tregtarët më të mëdhenj të mineralit të bakrit dhe të lëkurës së regjur në këtë pjesë të Ballkanit. Ajo zotëronte pothuajse një të tretën e tokave të kazasë së atëhershme të Kazanllëkut. Por ajo që është edhe më interesante, është se zonja e familjes, Nina Stançova, ishte farmacistja e parë në Kazanllëk. Kështu, më 20 nëntor, Ivan Milev u kthye në Kazanllëk me një dosje me vizatime, i gatshëm për të organizuar ekspozitën e tij të parë vetjake. Por, para kësaj, trokiti në derën e kësaj shtëpie për të kërkuar ilaçe. Meqë në atë kohë nuk kishte para, shkëmbeu një nga pikturat e tij me ato barna. Piktura qëndroi në këtë shtëpi deri më 3 janar 1971, kur familja u detyrua të largohej prej saj me urdhër të autoriteteve të qytetit. Kështu, kjo shtëpi u lidh në një mënyrë të veçantë si me Ivan Milevin, ashtu edhe me njerëzit që kishin jetuar aty.”
Por çfarë e bën “Ahinorën” kaq të veçantë? Një nga veçoritë më të rëndësishme dhe më intriguese të pikturës është lidhja e figurës së Ahinorës me një burim letrar, pikërisht me tregimin “Mbretëresha Ahinora”, nga përmbledhja “Vegime nga Bullgaria e lashtë” (1918), e shkrimtarit simbolist dhe piktor Nikollaj Rajnov. Në këtë tregim, Rajnov na përcejll një rrëfim artistik të frymëzuar nga përfytyrimet për historinë e hershme të Bullgarisë. Duhet theksuar se emri Ahinora dhe figura e mbretëreshës, bashkëshorte e themeluesit të Bullgarisë së Danubit, hanit Asparuh, janë fryt i përfytyrimit letrar të autorit dhe nuk mbështeten në fakte historike.
"Ahinora", Ivan Milev
FOTO: artgallerykazanlak.com
Dhe ndoshta pikërisht në këtë mister, në këtë ndërthurje të letërsisë me artin pamor, qëndron edhe suksesi i muzeut “Ahinora” në Kazanllëk. E bashkë me të, edhe suksesi i vetë pikturës. Siç na tregon dr. Petrov, vetëm tre vjet më parë, ishin të paktë ata që dinin për ekzistencën e kësaj pikture. Ndërsa sot, pas hapjes së muzeut në vitin 2023, ajo ka filluar të jetojë jetën e saj. Madje, figura e Ahinorës frymëzon shumë njerëz, të cilët e përjetësojnë atë në trupin e tyre, si tatuazh, ose e mbajnë si bizhuteri. Kështu, një vepër e ekspozuar në muze bëhet pjesë e kulturës së përditshme të Kazanllëkut të sotëm.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova