Material nga koleksioni i Radio Bullgarisë

Muaji i Shën Dhimitrit – këngë dhe tradita

Hënë, 26 Tetor 2026, 09:00

Muaji i Shën Dhimitrit – këngë dhe tradita

FOTO: Arkiv

Madhësia e shkronjave

Në qoftë se në ditën e Shën Dhimitrit, më 26 tetor, hëna është e plotë, gjatë vitit të ardhshëm kosheret po kështu do të jenë plotë dhe do të ketë shumë mjaltë. Në qoftë se hëna është për gjysmë, bletarët nuk do të kenë një rendiment të mirë. Ky është vetëm një nga profecitë, të kryera në këtë ditë. Njerëzit janë munduar të parashikojnë po kështu se si do të jetë dimri, a do të ketë shëndet dhe bereqet për familjen e kështu me radhë. Një festë e madhe kishtare dhe popullore, dita e Shën Dhimitrit është e shoqëruar dhe me tradita të shumta. Të gjitha traditat përpara dhe pas dhe gjatë kohës së festës është një shembull i qartë për krishterimin e përfytyrimeve të lashta mitologjike, kuptimin e tyre sipas besimit ortodoks dhe përshtatjen e kalendarit popullor me atë kishtar.

Populli ynë e quan festën akoma Mitrovden, kurse i gjithë muaji tetor mban emrin Dimitrovski ose Mitrovski. Shumë i njohur është emërtimi Razpus ose Razpust. Në po këtë ditë ose në ditën tjetër pronarët më të pasur kanë liruar nga puna të gjithë shërbëtorët ose punonjësit me mëditje razpuskam (lëshoj, ose liroj). Pronarët u kanë dhënë rrogën e premtuar, kanë pasuar tryeza të mëdha, valle dhe hare. Sipas rregullimit të dikurshëm të tregut të punës, punonjësit janë marrë në punë në ditën e Shën Gjergjit (më 6 maj). Në prag të pranverës ata janë marrë vesh se çfarë pune do të bëjnë dhe çfarë parash do të presin më 26 tetor, kur përfundon marrëveshja gojore. Disa pronarë kanë emëruar punonjës për gjithë vitin. Nga Shën Dhimitri i sivjetshëm deri në Shën Dhimitrin e moçëm. Njëherë të marrë në punë punonjësit nuk kanë mundur të ikin në bazë të asnjë shkaku. Në qoftë se pronari ka rastisur të jetë i mirë dhe i drejtë-bukur. Në qoftë se jo-shërbëtori ka vuajtur shumë, “ka hequr të zinjtë e ullirit”, sipas një shprehje popullore. Prandaj dikur kanë thënë se, në ditën e Shën Dhimitrit “disa bëhen rob, kurse të tjerët – lirohen”.

Shën Dhimitri dhe Shën Gjergji – ikonë

Shën Dhimitri dhe Shën Gjergji – ikonë

FOTO: bgicons.com

Në përfytyrimet popullore Dhimitri dhe Gjergji janë vëllezër binjak. Ditët e këtyre shenjtorëve shënojnë dy kalimet bazë në kohën vjetore. Shën Gjergji sjell verën, kurse Shën Dhimitri – dimrin. Sipas besimeve në orën 12 të natës duke u gdhirë dita e Shën Dhimitrit qielli hapet, kurse vet shenjtori pranohet për përkrahës të dimrit, të të ftohtit dhe të dëborës. Nga qielli ai tund mjekrën e tij të gjatë të bardhë dhe prej saj derdhet dëbora e parë. Një nga profecitë për dimrin e ardhshëm e kanë kryer me ndihmën e lopëve. Për njeriun modern me siguri që është pak e çuditshme, por ja se çfarë kanë bërë në disa vende – e kanë nxjerrë kafshën jashtë dhe kanë vënë re se kë pjesë nga trupi i vet kafsha do ta lëpij më parë. Në varësi nga kjo kanë supozuar se kur do të jetë dimri më i thellë, të ftohtit më të shumtë – në fillim ose në fund të stinës.

Gjatë muajit të Shën Dhimitrit, dikur ndiqej zakoni i quajtur "Kisha e Zotit" (Gospodja cërkva). Ky zakon ekzistonte në pjesën juglindore të trojeve bullgare, si dhe në disa vendbanime në verilindje. Të hënën para festës së Shën Petkës (14 tetor), organizohej një kurban i përbashkët për të gjithë fshatin, ku merrnin pjesë vetëm përfaqësuesit e moshuar të komunitetit. Studiuesit kanë përshkruar edhe zakonin e quajtur "Kisha e Pulës" (Kokosha cërkva), i përhapur në të njëjtat rajone. Në një të shtunë të caktuar, çdo amvisë u çonte rojtarëve të fshatit aq pula sa nevojiteshin për familjen e saj. Ajo u jepte gjithashtu erëza, gjalpë etj. Rojtarët e fshatit e përgatitnin kurbanin në një kazan të madh. Rreth mesditës, i gjithë fshati mblidhej pranë vendit të shenjtë kushtuar një shenjtori ose në një vend tjetër të posaçëm (një kishëz, një kishë e vjetër etj.). Para se të fillonin të hanin, gratë i jepnin secilit nga një copë bukë për nder të Shpirtit të Zotit.

Sipas besimeve folklorike bullgare, Shën Dhimitri është edhe mbrojtësi i minjve. Një ditë pas festës së tij, në të kaluarën e largët, shënohej dita e minjve, e njohur si Mishinden. Data 27 tetor ka mbetur në traditën tonë me disa emërtime: përveç Rasрus dhe Mishinden, quhej edhe Nistor, pasi në këtë ditë Kisha Ortodokse përkujton Shën Nestorin Martir. Pavarësisht se kjo ditë vjen pas dy datave të rëndësishme të kalendarit të krishterë, Mishinden është qartazi një zakon pagan. Ai i kushtohet minjve, këtyre dëmtuesve të padëshiruar, që shkaktojnë dëme si në ara, ashtu edhe në shtëpi. Në përfytyrimet folklorike, minjtë janë mishërim i një force demonike.

Muaji i Shën Dhimitrit – këngë dhe tradita

FOTO: Pixabay

Në këtë ditë, gratë nuk duhej të punonin me lesh, të kriheshin apo të përdornin sende të mprehta. Gjithashtu, ishte e ndaluar të hapeshin sëndukët me rroba, arkat me miell, fuçitë me dhjamë derri… Gruaja më e moshuar e shtëpisë zgjohej shumë herët dhe lyente me baltë dyshemenë pranë vatrës. Ajo lyente gjithashtu të katër qoshet e dhomës dhe "brirët" (qoshet) e pragjeve të derës. Më pas dilte jashtë dhe «shënonte» në të njëjtën mënyrë shportat dhe hambarët ku ruheshin drithërat, bodrumin dhe dhomën e rrobave. Gjatë gjithë kohës që gruaja kryente këtë veprim, duhej t'i mbante sytë gjysmë të mbyllur, në mënyrë që edhe minjtë t'i mbanin sytë mbyllur, domethënë të mbeteshin të verbër dhe të mos sulmonin ushqimet e sendet. Ajo shoqërohej nga një grua tjetër e familjes, e cila gjatë gjithë kohës e pyeste: "Çfarë po lyen, moj gjyshe?" Përgjigjja ishte: "Po ua lyej sytë minjve". Në përfundim të këtij veprimi ritual, ajo ngjiste mbetjen e baltës në pjesën e sipërme të pragut. Në fillim të shekullit XX, ky zakon ishte harruar disi, por gratë vazhdonin t'i respektonin ndalesat që lidheshin me punët e përditshme.

Edhe sot, "Dita e Shën Dhimitrit" është një nga festat më të mëdha në Bullgari. Në këtë ditë festojnë emrin personat që quhen Dhimitër, Dhimitrina, Dhimo, Dhimço, Dhimka, Mitra e të tjerë. Në shumë qytete dhe fshatra organizohen panaire dhe festa popullore, duke ringjallur traditën e festimeve të dikurshme madhështore të fshatrave. Sipas traditës, në tryezën festive duhet të ketë gatime me mish dashi, gjel deti ose gjel shtëpiak (nëse personi që feston emrin është burrë) ose pulë (nëse është grua). Gjithashtu, shërbehen misër i zier, pestil (ëmbëlsirë tradicionale e përgatitur nga frutat), pite me mollë, kungull i pjekur dhe mollë të pjekura.


Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva