Lajm
U vra Sllavi Binev, figurë e njohur e biznesit dhe sportit bullgar
Sllavi Binev - Nga titulli evropian te drejtimi i taekwondos botëre
Shtunë 24 Tetor 2026 22:44
Shtunë, 24 Tetor 2026, 22:44
Sllavi Binev
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Biznesmeni i njohur Sllavi Binev është vrarë, mësoi Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) nga burime të saj në Ministrinë e Brendshme. Krimi i rëndë është kryer në lagjen "Pavllovo" të Sofjes. Deri në këtë moment, Ministria e Brendshme nuk e ka konfirmuar zyrtarisht informacionin.
Në territorin e kryeqytetit po zhvillohet një operacion i specializuar policor dhe po kërkohen autorët e krimit. Rreth vendit ku ka ndodhur ngjarja ka prani të madhe të forcave të policisë. Ndërkohë, tashmë është hapur edhe një procedim paraprak penal.
Sinjali është marrë rreth orës 10:30. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, biznesmeni është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Sipas informacionit të BNR-së, vrasja ka ndodhur pas një konflikti mes tij dhe disa personave të tjerë në banesën e tij. Ministria e Brendshme është në kërkim të një automjeti tip xhip, me të cilin dyshohet se autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga Qendra e Ndihmës së Shpejtë në Sofje njoftuan për BNR-në se kanë marrë një sinjal për një burrë të vrarë në lagjen “Pavllovo”. Një autoambulancë ka mbërritur në vendngjarje për 7 minuta, por mjekët vetëm kanë konstatuar vdekjen e tij.
Vdekja tragjike e Sllavi Binevit përbën një humbje të rëndë për sportin bullgar dhe për komunitetin ndërkombëtar të taekwondos.
Emri i tij do të mbetet i lidhur jo vetëm me sukseset sportive në tatami, por edhe me punën e tij shumëvjeçare për zhvillimin dhe afirmimin e taekwondos bullgare në arenën botërore.
Sllavi Binev
FOTO: Federata Bullgare e Taekwondos
Rruga sportive e Sllavi Binevit lidhet me arritje të larta garuese, veprimtari trajnuese dhe punë të qëndrueshme për zhvillimin e taekwondos në Bullgari dhe në botë. Si sportist, ai u afirmua ndër taekwondistët më të shquar bullgarë, fitoi disa herë titullin kampion kombëtar dhe në vitin 1990 u shpall kampion absolut i Ballkanit.
Suksesi i tij më i madh ndërkombëtar ishte titulli kampion evropian në taekwondo, i fituar në vitin 1992 në Celje të Sllovenisë.
Krahas karrierës sportive, Binev iu përkushtua edhe punës si trajner. Në vitin 1985 ai ishte trajner i ekipit kombëtar të Bullgarisë, ndërsa në periudhën 1991–1994 mbajti detyrën e trajnerit kryesor të klubit CSKA.
Përvoja e grumbulluar si sportist dhe trajner hodhi bazat për angazhimin e tij të mëvonshëm në drejtimin e sportit. Që nga viti 2016, Sllavi Binev është në krye të Federatës Bullgare të Taekwondos – WT. Nën udhëheqjen e tij, taekwondoja bullgare arriti suksese historike.
Ndër to është edhe medalja e parë olimpike për Bullgarinë në këtë sport, bronzi i fituar nga Kimia Alizadeh në Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 2024. Alizadeh fitoi gjithashtu edhe titullin kampione evropiane.
Në maj 2026, Binev u rizgjodh njëzëri për një mandat të ri pesëvjeçar në krye të federatës. Sipas të dhënave nga raporti për periudhën e mëparshme drejtuese, sportistët bullgarë kanë fituar gjithsej 198 medalje në Lojëra Olimpike, kampionate botërore dhe evropiane, si edhe në Lojërat Olimpike Evropiane.
Një dëshmi e vlerësimit për punën e tij në nivel ndërkombëtar janë edhe postet e larta drejtuese që ai ka mbajtur: nënkryetar i parë i Unionit Evropian të Taekwondos (ETU), anëtar i Këshillit të Federatës Botërore të Taekwondos dhe anëtar i bordit drejtues të qendrës botërore të taekwondos Kukkiwon. Ai ishte gjithashtu nënkryetar i Komitetit Olimpik Bullgar.
Rezultatet e taekwondistëve bullgarë gjatë viteve të fundit janë ndër dëshmitë më të qarta të zhvillimit dhe afirmimit të këtij sporti në Bullgari.
Në Kampionatin Botëror për të rinj nën 21 vjeç në vitin 2025, Stanisllav Mitkov fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Hristijan Georgiev siguroi medaljen e bronztë. Me vendin e pestë të Erika Karabeleva, Bullgaria u rendit e shtata në klasifikimin ekipor, duke lënë pas vende me tradita të forta në taekwondo si Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe Meksika.
Në vitin 2026, Hristijan Georgiev fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për burra dhe gra, ndërsa Erika Karabeleva u stolis me medaljen e argjendtë. Në Kampionatin Botëror për kadetë dhe juniore në Tashkent, medaljen e bronztë e fitoi Deja Peeva.
Në vitin 2027, Samokovi do të jetë mikpritës i Kampionatit Botëror të Taekwondos për të rinj nën 21 vjeç, një tjetër ngjarje e madhe ndërkombëtare që e vendos Bullgarinë në qendër të vëmendjes së taekwondos botërore. Vdekja tragjike e Sllavi Binevit ka shkaktuar një valë ngushëllimesh në komunitetin sportiv ndërkombëtar.
Federata Botërore e Taekwondos shprehu pikëllimin e saj të thellë për ndarjen nga jeta të Sllavi Binevit, duke vënë në pah kontributin e tij të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e këtij sporti në Bullgari dhe në mbarë botën.
“Z. Binev ishte një drejtues i përkushtuar, i cili dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe popullarizimin e taekwondos në Bullgari dhe në nivel ndërkombëtar”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Federatës Botërore të Taekwondos.
Federata i shprehu ngushëllimet e saj më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve të tij, si dhe mbarë komunitetit bullgar të taekwondos.
Unioni Evropian i Taekwondos gjithashtu i bëri homazh zëvendëspresidentit të tij, duke e cilësuar humbjen si tragjike dhe duke shprehur solidaritetin me familjen dhe të afërmit e tij.
Ngushëllime shprehu edhe Ministria e Rinisë dhe Sportit. Nga Ministria theksuan gjurmën e rëndësishme që Sllavi Binev ka lënë në sportin bullgar, fillimisht si sportist, fitues i titujve ballkanikë dhe evropianë, e më pas përmes përpjekjeve të tij për zhvillimin, afirmimin dhe promovimin e taekwondos në Bullgari.
Ngushëllime shprehën edhe nga Komiteti Olimpik Bullgar, ku ai mbante postin e nënkryetarit.
“Kontributi dhe përkushtimi i tij ndaj sportit do të mbeten pjesë e historisë së taekwondos bullgare”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë, e cila u shprehu ngushëllimet familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij në këtë moment të rëndë.
Dhimbjen e saj e shprehu edhe Këshilli Drejtues i Federatës Bullgare të Taekwon-Do ITF. Nga federata e cilësuan ndarjen nga jeta të Binevit si një goditje të madhe dhe një humbje të pazëvendësueshme për komunitetin e arteve marciale, jo vetëm në Bullgari, por edhe në shkallë botërore.
“Sllavi nuk ishte thjesht një figurë dhe veprimtar i shquar. Ai ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet përgjithmonë njëri prej nesh”, thuhet në deklaratën e federatës.
Nga ITF-ja theksojnë se kontributi i tij, shpirti i pathyeshëm luftarak dhe përkushtimi ndaj sportit kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në histori, e cila do të kujtohet dhe respektohet nga brezat e ardhshëm.
Sllavi Binev
FOTO: BGNES
Për Sllavi Binevin, taekwondoja ishte më shumë se një sport. Ajo ishte një filozofi që kultivon disiplinë, respekt, forcë shpirtërore dhe përgjegjësi. Rruga e tij, nga tatamija e garave deri te postet drejtuese në organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, lidhet me përpjekjet për ta afirmuar Bullgarinë si një faktor të rëndësishëm në taekwondon botërore.
Sot, komuniteti sportiv vajton humbjen e një njeriu që i kushtoi një pjesë të madhe të jetës arteve marciale. Trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë në sukseset e sportistëve bullgarë, në zhvillimin e taekwondos dhe në gjurmën që ai la në historinë e këtij sporti.
Nderim kujtimit të tij!
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva