Vlladimir Perev nga Shkupi:

Nevojitet një fushatë për votuesit në Maqedoninë e Veriut

Në Ohër, Angell Kortellov, 91 vjeç, doli ndër të parët për të votuar

Dielë, 25 Tetor 2026, 18:58

Nevojitet një fushatë për votuesit në Maqedoninë e Veriut

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Një numër qytetarësh bullgarë votuan në qendrat e votimit në qytetet Shkup, Manastir, Prilep, Ohër, Kavadar, Koçan dhe Strumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

"Gjëja më e rëndësishme është që së pari të thuhet se zgjedhjet po zhvillohen normalisht, pa asnjë incident dhe keqkuptim në vendvotime", tha për Radio Bullgarinë Vlladimir Perev, veterani i gazetarëve bullgarë në Maqedoninë e Veriut dhe i komunitetit bullgar në Shkup.

Vlladimir Perev

Vlladimir Perev

FOTO: BTA

"Kurioz është fakti se në Ohër, Angell Kortellov, 91 vjeç, doli ndër të parët për të votuar. Ajo që më bën përshtypje nga zgjedhjet e viteve të fundit është se komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut nuk është mjaftueshëm i angazhuar dhe i orientuar për të promovuar zgjedhjet. Nuk ka fushatë të mjaftueshme që të ketë më shumë njerëz që të votojnë. Në një farë mase, kjo është lënë në dorë të informacionit që vjen nga Sofja, si dhe të njoftimeve të gazetarëve dhe gazetave. Por zgjedhjet duhet të promovohen më shumë në media. Duhet të theksohet nevoja që qytetarët të dalin të votojnë, duhet të bëhet diçka."

Nevojitet një fushatë për votuesit në Maqedoninë e Veriut

FOTO: BTA

Sipas Perevit, 81 vjeç, i cili këtë vit u sulmua në një dyqan në Shkup për shkak të shkrimeve të tij në portalin "Tribuna", presioni i madh në Maqedoninë e Veriut i bën njerëzit të kenë frikë të dalin për të votuar.

"Duhet të tregojmë se jemi këtu, se nuk kemi frikë, se kemi marrë pasaporta bullgare. Disa madje janë larguar jashtë vendit, por edhe ata kanë frikë të votojnë në Britaninë e Madhe apo në Gjermani. Kanë frikë edhe të shihen pranë ambasadave, të shkojnë atje. Ne duhet të bëjmë diçka. Çfarë duhet të jetë kjo, për momentin nuk e di. Por e di se diçka duhet bërë", shprehet ky bullgar i moshuar nga Maqedonia e Veriut.

Nevojitet një fushatë për votuesit në Maqedoninë e Veriut

FOTO: BTA

Perev është kategorik se lidhja mes Bullgarisë dhe BE-së është me rëndësi themelore për përmirësimin e pozitës së komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut.

Politika bullgare gjatë 5-6 viteve të fundit ka ndryshuar ndjeshëm në drejtim pozitiv sa i përket bullgarëve të Maqedonisë së Veriut. /.../ Ne presim nga presidenti i ri, kushdo qoftë ai, para së gjithash të forcojë lidhjet me BE-në, në aspektin politik, ekonomik, financiar dhe mbi të gjitha ushtarak. Sepse lufta është afër. Nga zhvillimi i marrëdhënieve të politikës bullgare me institucionet e BE-së varet edhe lufta për të drejtat e bullgarëve maqedonas dhe suksesi i kësaj lufte.

Ne jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me politikën e BE-së për respektimin e të drejtave të të gjithëve ne, duke përfshirë këtu edhe bullgarët maqedonas. Ne presim që kreu i ardhshëm i shtetit bullgar të vazhdojë, në një nivel më të lartë, përpjekjet për mbrojtjen e bullgarëve maqedonas, për hapjen e tyre ndaj botës dhe për tejkalimin e klimës së frikës.

Po ashtu, presim një qëndrim të qartë ndaj udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut se nuk do të lejohet shkelja e të drejtave të njeriut të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, siç është lejuar gjatë një periudhe të gjatë në të kaluarën”, thotë Vlladimir Perev.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva