Cilët janë kandidatët për president dhe nënpresident në balotazh

Dielë, 25 Tetor 2026, 20:21

Cilët janë kandidatët për president dhe nënpresident në balotazh

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Me një pjesëmarrje të ulët në votime u zhvillua më 25 tetor raundi i parë i zgjedhjeve për president dhe nënpresident. Më 1 nëntor 2026 pritet që bullgarët t'u drejtohen kutive të votimit për një raund të dytë, pasi që të zgjidhet një kandidat që në raundin e parë, ai duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme dhe në zgjedhje duhet të kenë marrë pjesë mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas rezultateve të sondazheve sociologjike, pretenduesit kryesorë për balotazh janë çiftet Ilijana Jotova - Kirill Vëllçev dhe Andrej Gjurov - Georgi Kandev.

Ja cilët janë kandidatët dhe cili është rrugëtimi i tyre profesional:

Ilijana Jotova

Ilijana Jotova

FOTO: BTA

Ilijana Jotova, kandidate për presidente, është presidente e Bullgarisë që nga 23 janari 2026, pas përfundimit të parakohshëm të mandatit të Rumen Radevit. Më parë, që nga viti 2017, ajo ka ushtruar detyrën e zv/presidentes, ndërsa një nga fushat kryesore të punës së saj kanë qenë marrëdhëniet me komunitetet bullgare jashtë vendit. Ajo ka qenë gjithashtu deputete në Parlamentin Evropian dhe deputete nga Partia Socialiste Bullgare. Me profesion është filologe dhe ka një përvojë të gjatë si gazetare televizive, si edhe ka drejtuar qendrën e shtypit të Partisë Socialiste Bullgare (BSP).

Më herët gjatë ditës, pasi ushtroi të drejtën e votës, Ilijana Jotova deklaroi para gazetarëve:

"Votova për t'i dhënë fund përçarjes dhe urrejtjes mes nesh. Besoj thellësisht se Bullgaria do të përjetojë një ngritje. Besoj thellësisht se duhet të ketë paqe, duhet të ketë stabilitet dhe duhet të ketë siguri."

Kirill Vëllçev

Kirill Vëllçev

FOTO: BGNES

Kirill Vëllçev, kandidat për nënpresident në këtë tandem, është jurist me profesion dhe gazetar radiofonik me përvojë shumëvjeçare. Që nga viti 2021 ai drejton Agjencinë Telegrafike Bullgare (BTA), ku vë theks edhe te pasqyrimi i jetës së bullgarëve në mbarë botën.


Andrej Gjurov

Andrej Gjurov

FOTO: BGNES

Andrej Gjurov, kandidat për president, është ekonomist dhe pedagog universitar. Ish-deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të partisë "Po e Vazhdojmë Ndryshimin", ai më pas ka mbajtur postin e nënguvernatorit të Bankës Kombëtare Bullgare. Nga 19 shkurti deri më 8 maj 2026 ka qenë kryeministër i përkohshëm i Bullgarisë.

Pasi hodhi votën e tij sot, Andrej Gjurov theksoi:

"Ne nuk duam që fëmijët tanë të jetojnë në frikë, në varësi dhe në varfërinë e së kaluarës, ku disa njerëz duan të na kthejnë. Ne duam një Bullgari që shikon përpara, që është evropiane, e lirë dhe krenare, ku të ardhurat mjaftojnë, ku jemi të qetë për ditën e nesërme dhe ku shteti funksionon siç duhet."

Georgi Kandev

Georgi Kandev

FOTO: BGNES

Georgi Kandev, kandidat për nënpresident në këtë çift, ka mbi 27 vjet përvojë profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ai ka mbajtur poste drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Kombëtare. Nga shkurti deri në qershor 2026 ka ushtruar përkohësisht detyrën e sekretarit të përgjithshëm të MPB-së.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva