Autor
Ivo Ivanov
Lajm
Ditën e Shën Dhimitrit kujtojmë kryengritjen çlirimtare të dinastisë Asenevci
Hënë 26 Tetor 2026 04:36
Hënë, 26 Tetor 2026, 04:36
Kisha „Shën Dhimitri i Selanikut“ në Veliko Tërnovo, të cilën burimet historike e lidhin me shpalljen e kryengritjes së vëllezërve Petër dhe Asen
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Në vitin 1018, pas një lufte gjysmëshekullore, Mbretëria e Parë Bullgare (681 – 1018) u pushtua nga Bizanti. Pavarësisht kryengritjeve të shumta të bullgarëve, sundimi i Kostandinopojës vazhdoi për gati dy shekuj. Në vjeshtën e vitit 1185 ose në fillim të vitit 1186, në Tërnovgrad, fisnikët vendas Petër dhe Asen ngritën një kryengritje të re. Pas tre vjetësh, kjo kryengritje përfundoi me rivendosjen e shtetësisë bullgare.
Në vitin 1185, perandori bizantin Isak II Engjëlli vendosi të lidhte krushqi me fqinjin e tij më të fuqishëm në Evropë dhe mori për grua vajzën 10-vjeçare të mbretit hungarez Bela III. Si prikë, ai përfitoi Braniçevo, Beograd dhe Pomoravie, territore të banuara në atë kohë nga bullgarë. Por, siç shkruan logoteti i madh Nikita Honiati në veprën e tij „Rrëfim kronikal“: „Meqenëse ishte dorështrënguar për t’i zhvilluar ceremonitë martesore me shpenzimet e shtetit, ai i mblodhi këto para pa shpërblim nga tokat e veta... dhe nxiti armiqësi, sidomos kundër vetes dhe kundër bizantinëve, nga ana e barbarëve që banonin pranë malit Hemus, të cilët më parë quheshin mizi, ndërsa tani quhen vllahë dhe bullgarë“.
„Kryengritja e vëllezërve Asen dhe Petër“, pikturë nga G. Bogdanov
FOTO: museumvt.com
„Shkaktarët e parë të kësaj të keqeje dhe nxitësit e mbarë popullit ishin dy vëllezër, njëfarë Petri dhe Aseni“, vijon rrëfimin e tij dinjitari i lartë i oborrit perandorak. „E çfarë fjale do të mund të përshkruante atë që këta të pafe dhe të paudhë i bënë bizantinëve? E çfarë rrëfimi do të mund t’i përfshinte gjithë këto mijëra fatkeqësi?“, thërret me patos zyrtari bizantin.
Duke iu referuar historianëve të tjerë bullgarë, prof. Pllamen Pavllov thekson se, në të folurën e përditshme, bullgarët e quajnë kryengritjen „e Asenit dhe Petrit“, por forma e saktë është „e Petrit dhe Asenit“! Kjo sepse, deri në vitin 1194, figura udhëheqëse e ngjarjeve ishte vëllai më i madh, Teodor, i cili mori emrin mbretëror Petër dhe ishte gjithashtu ideologu i lëvizjes.
Përkujtimi i 840-vjetorit të kryengritjes së dinastisë Asenevci në Veliko Tërnovo
FOTO: BGNES
Fillimi i kryengritjes shënohet me shugurimin e kishës së re në Tërnovo, të ndërtuar nga dy vëllezërit dhe kushtuar Shën Dhimitrit të Selanikut. Për këtë arsye, edhe sot, dita e shenjtorit, 26 tetor, konsiderohet si fillimi i kryengritjes. „Ata i bindën këta njerëz të ngazëllyer të përsërisnin se Zoti u kishte caktuar lirinë popullit bullgar dhe atij vllah dhe se ishte dakord që ata të çliroheshin nga zgjedha e gjatë. Për këtë arsye, edhe martiri i Krishtit, Dhimitri, braktisi qytetin kryesor të selanikasve, kishën atje dhe qëndrimin e tij mes bizantinëve, e erdhi tek ata, për t’u bërë ndihmës dhe mbrojtës i tyre në këtë vepër“, rrëfen kronisti.
Lufta e carëve të parë të dinastisë Asenevci – vëllezërve Petër dhe Asen, si dhe Kalojanit – ishte e vështirë, e gjatë dhe e mbushur me kthesa tejet të rrezikshme. Ajo vazhdoi deri në mbërritjen e Kryqëzatës së Katërt, e cila në vitin 1204 pushtoi Kostandinopojën dhe i detyroi të mërgoheshin mbetjet e Perandorisë Romake të Lindjes, dikur të fuqishme. Perandoria Latine, e krijuar nga kryqtarët në vend të saj, u përpoq nga ana e vet të pushtonte Bullgarinë, por shumë shpejt mori një mësim të merituar pranë Adrianopojës (sot Edrene). Fitorja e car Kalojanit, sundimtar i Bullgarisë nga viti 1197 deri më 1207, u bë një ngjarje e paharrueshme dhe mjaftoi për t’i frenuar latinët njëherë e përgjithmonë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova