SHOQËRI

Artikull

Austriakë të interesuar për Bullgarinë zgjedhin shkollën bullgare

Shtunë, 31 Tetor 2026, 11:02

Austriakë të interesuar për Bullgarinë zgjedhin shkollën bullgare

FOTO: Shkolla bullgaro-austriake “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë

Madhësia e shkronjave

"Ka austriakë që blejnë shtëpi në Bullgari dhe i sjellin fëmijët e tyre në shkollën tonë për të mësuar gjuhën, në mënyrë që t’i ndihmojë kur të vendosen ose të qëndrojnë në Bullgari", thotë Sëllzica Groman (Salzitsa Grohmann), drejtoreshë e shkollës bullgaro-austriake "Prof. Ivan Shishmanov" në Vjenë.

Shkolla bullgare u themelua në vitin 2017 me mbështetjen e prindërve nga komuniteti bullgar në kryeqytetin austriak, fëmijët e të cilëve shprehën dëshirën të mësonin historinë dhe kulturën bullgare në gjuhën e tyre amtare.

Si patron të shkollës ata zgjodhën filologun, shkrimtarin dhe politikanin e shquar bullgar Ivan Shishmanov. Ai studioi në Shkollën Pedagogjike të Vjenës me mbështetjen financiare të shoqërisë vjeneze "Napredëk", më pas ndoqi studimet për filozofi dhe letërsi në Jenë dhe Gjenevë, mbrojti doktoraturën për filozofi në Lajpcig dhe ishte një nga themeluesit e Shkollës së Lartë në Sofje, sot Universiteti i Sofjes "Shën Kliment Ohridski", si edhe i shkollës së parë të specializuar për personat me dëmtim të shikimit në qytetin e Varnës, e cila edhe sot mban emrin e tij.

Sëllzica Groman

Sëllzica Groman

FOTO: Shkolla bullgaro-austriake “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë

"Filluam me 46 fëmijë", tregon Sëllzica Groman, drejtoreshë e shkollës bullgaro-austriake. Në vitin 2024 ajo u nderua me çmimin "Personaliteti i Vitit" për kontributin e saj shumëvjeçar në zhvillimin e kulturës bullgare jashtë vendit.

"Tani kemi 240 nxënës dhe numri i tyre po rritet vazhdimisht! Po shtohet edhe numri i mësuesve tanë. Gjithnjë e më shumë fëmijë duan të mësojnë gjuhën bullgare. Është shumë gëzuese që kemi edhe prindër që jetojnë në Gjermani dhe madje na kanë shkruar himnin e shkollës. Teksti dhe muzika janë të Zllatko Raçevit, mësues i muzikës.

Tek ne fëmijët nuk vijnë vetëm të shtunave, por edhe gjatë ditëve të javës, sepse janë të shumtë, nga grupet parashkollore deri në klasën e 12-të. Pas mësimit kemi edhe lëndë me zgjedhje të lirë: tradita dhe zakone, shah, kor, arte pamore, shkencë dhe teknologji, si dhe valle popullore, të cilat tashmë organizohen edhe për të rriturit, pra për prindërit.

Austriakë të interesuar për Bullgarinë zgjedhin shkollën bullgare

FOTO: Shkolla bullgaro-austriake “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë

Nxënësit tanë marrin pjesë në Ditën Botërore të Matematikës dhe, së bashku me prindërit e tyre, edhe në veprimtari të Universitetit të Vjenës, ku demonstrojnë njohuritë e tyre. Ne zhvillojmë edhe mësim online për ata që jetojnë më larg, sepse kemi fëmijë nga Sllovakia dhe madje edhe një nga Moska."

 

Austriakë të interesuar për Bullgarinë zgjedhin shkollën bullgare

FOTO: Shkolla bullgaro-austriake “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë

Sëllzica Groman tregon se një pjesë e bullgarëve ende nuk dëshirojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë bullgare, me shpresën se do të integrohen si austriakë të vërtetë. Ka edhe familje që kanë mbërritur në Austri që në vitet 40 të shekullit të kaluar, por këmbëngulin që pasardhësit e tyre të mësojnë në shkollë bullgare dhe të njohin rrënjët e tyre. “Gjithnjë e më shumë nxënës tanë vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Bullgarisë”, thotë me gëzim drejtoresha e shkollës bullgare në kryeqytetin austriak dhe shton:

Austriakë të interesuar për Bullgarinë zgjedhin shkollën bullgare

FOTO: Shkolla bullgaro-austriake “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë

"Sepse atyre u pëlqen të vijnë në Bullgari te gjyshet, gjyshërit, hallat e tezet, si edhe të marrin pjesë në kampet verore dhe konkurset. U pëlqen! Vitin e kaluar u diplomua një nxënës yni nga një martesë e përzier, i lindur në Austri, i cili tha se dëshiron të bëjë diçka për Bullgarinë. Ai na tregoi se, sapo të kryejë shërbimin ushtarak, do të aplikojë menjëherë në një universitet bullgar. Një vajzë e vogël, nga ana tjetër, tha se do të studiojë mjekësi në Bullgari.

Provimet që organizojmë në gjuhën bullgare njihen në atdheun tonë, kështu që ata që e zotërojnë mirë gjuhën nuk kanë nevojë ta studiojnë atë si lëndë shtesë në universitete. Të tjerë, që shqetësoheshin se nuk do të dilnin mirë në provimin tonë, aplikuan në universitetet bullgare me gjuhën gjermane, por edhe atyre më pas u shkoi mbarë!"

Megjithatë, vitet e fundit për gjuhën tonë amtare po shfaqin interes edhe austriakë, të cilët sjellin fëmijët e tyre në shkollën bullgare, tregon znj. Groman dhe shton:

Austriakë të interesuar për Bullgarinë zgjedhin shkollën bullgare

FOTO: Shkolla bullgaro-austriake “Prof. Ivan Shishmanov” në Vjenë

“Ata blejnë shtëpi në Bullgari dhe, meqenëse duan ta vazhdojnë jetën e tyre atje, i sjellin fëmijët që të mësojnë gjuhën dhe t’i ndihmojnë. Tashmë ka familje të tilla austriake në Pleven, Burgas dhe Sozopoll. Fëmijët e tyre ndiqnin shkollën tonë dhe merrnin pjesë me dëshirë edhe në lëndët me zgjedhje të lirë. U pëlqejnë traditat tona! Kur e kanë vizituar për herë të parë Bullgarinë, u ka lënë përshtypje të fortë qëndrimi i njerëzve ndaj tyre dhe mikpritja e ngrohtë. Pikërisht për këtë arsye kanë vendosur të shpërngulen atje. Disa prej këtyre fëmijëve na telefonojnë ende sot dhe thonë se ndihen shumë mirë dhe nuk do të kthehen në Austri!”

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva