Lajm
Solidariteti dhe angazhimi qytetar në fokus të një forumi ndërkombëtar në Sofje
Mërkurë 28 Tetor 2026 06:36
Mërkurë, 28 Tetor 2026, 06:36
Instituti i Etnologjisë dhe Folkloristikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave
FOTO: Facebook / Национален етнографски музей - БАН
Madhësia e shkronjave
Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë "Solidariteti dhe veprimtaria qytetare në kohë pasigurie" mbledh në Sofje shkencëtarë, studiues dhe përfaqësues të organizatave qytetare nga Bullgaria dhe 11 vende të tjera. Mikpritës i forumit dyditor, që nis sot, është Instituti i Etnologjisë dhe Folkloristikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
Diskutimet do t’i kushtohen solidaritetit, vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes qytetare si forma të reagimit shoqëror ndaj sfidave bashkëkohore. Pjesëmarrësit do të shqyrtojnë motivet për përfshirje në nisma vullnetare, rëndësinë e ndihmës së ndërsjellë dhe të besimit, si dhe ndikimin e faktorëve socialë, kulturorë, emocionalë dhe fetarë mbi angazhimin qytetar.
Në kuadër të konferencës do të hapet edhe një ekspozitë që prezanton forma të ndryshme të veprimtarisë vullnetare, si dhe njerëz, organizata dhe iniciativa të angazhuara në kauza me dobi shoqërore.
Konferenca organizohet në kuadër të projektit kërkimor-shkencor "Vullnetarizmi në Bullgari – histori, kauza dhe rekomandime", i financuar nga Fondi "Kërkime Shkencore".
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva