Mërkurë, 28 Tetor 2026, 17:00

Agresioni – problem, shuplaka – jo edhe aq

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

"T’i japësh një shuplakë të vogël", "ta rrahësh me pëllëmbë", "ta godasësh lehtë" – kështu e përshkruajnë disa prindër dhunën "edukative". Por ku përfundon edukimi dhe ku fillon dhuna?

Çdo i dyti bullgar e konsideron shuplakën të pranueshme. Këtë e konstaton qendra kërkimore "Trend" në studimin e saj të fundit, të kryer me 800 persona. Në të njëjtën kohë, pothuajse gjysma e përgjigjeve ndaj pyetjes "Ku haset më shpesh sjellja agresive?" tregojnë familjen dhe shtëpinë. Një ekip i Radios Bullgaria verifikoi nëse banorët e kryeqytetit e miratojnë goditjen si mjet edukimi. Ja përgjigjet që morëm:

Agresioni – problem, shuplaka – jo edhe aq

FOTO: Pexels

"E kam goditur njërin nga djemtë e mi, por nuk ia rekomandoj askujt. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Për momentin jam shumë e acaruar, sepse sapo jam grindur me të. Ka shumë mënyra të tjera që dy njerëz të merren vesh me njëri-tjetrin. Askush nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje me “po” – ky është mendimi im, edhe pse më ka ndodhur ta bëj", shprehet një grua 49-vjeçare, e cila ka kërkuar të mbetet anonime. Burri 46-vjeçar që ndodhet pranë saj shton se dhuna fizike është një cenim i rëndë i lirisë dhe i të drejtave të njeriut.

Ka edhe njerëz që i përgjigjen pozitivisht pyetjes sonë. Aleksandri, një programues 36-vjeçar, thotë:

"Jam pro, sepse… do të tingëllojë paksa ashpër, por ka njerëz dhe fëmijë që nuk i kuptojnë mënyrat më të buta të disiplinimit. Kjo nuk do të thotë se njeriu duhet ta përdorë rregullisht, por herë pas here, shumë rrallë, mund të jetë diçka e nevojshme për disa fëmijë. Është njësoj si në rastin e një krimineli, i cili bën diçka të keqe jo një herë, por dhjetë herë. Nëse e gjobit ose përdor një masë të ngjashme, ndoshta kjo nuk do të funksionojë për atë person dhe ndoshta duhen masa më të rrepta. E njëjta gjë vlen si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët."

Agresioni – problem, shuplaka – jo edhe aq

FOTO: Pexels

Kur e pyesim Aleksandrin nëse është rritur duke marrë "shuplaka të vogla", ai përgjigjet pozitivisht, por sqaron:

"Po, por jo me keqdashje… Dhe jo deri në atë pikë sa të vuaja shumë. Më kanë rrahur shumë, shumë rrallë. Nuk kam asgjë kundër, për sa kohë që nuk lë plagë apo diçka të tillë."

"Jo, sigurisht që jo! Nuk e di se çfarë nënkuptoni me rrahje, por, për shembull, ta godasësh herë pas here lehtë në të ndenjura – nuk mendoj se do t’i ndodhë gjë", shpjegon Sabina Zaharieva, një asistente zyre 36-vjeçare, e cila është duke shëtitur me vajzën e saj.

Ndalojmë edhe një burrë 50-vjeçar, piktor dhe mësues.

"Patjetër që jo. Nuk e di se ku të çon dhuna. Më pas, dikush do të rrahë një person tjetër."

Agresioni – problem, shuplaka – jo edhe aq

FOTO: Pixelshot

"Jo, në asnjë mënyrë. Si mjet edukimi, jo. Kjo është shenjë e pafuqisë së të rriturit përballë një fëmije", shprehet Vanja Ilieva, 76 vjeçe.

"Është dhunë", shton Vanja Todorova, një pensioniste që qëndron pranë saj. "Nuk ka rëndësi se kë rreh – një të rritur apo një të ri. Dhuna është absolutisht e papranueshme", përfundon Todorova.

Sipas dy të tretave të të anketuarve në studimin përfaqësues në nivel kombëtar të "Trend", problemi i agresionit është shumë serioz. Megjithatë, "shuplaka e vogël" duket se vazhdon të jetë pjesë e repertorit të mjeteve të edukimit. Ndërsa pyetja nëse bullgarët i dallojnë manifestimet e agresionit brenda mjedisit familjar mbetet ende aktuale.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski